TIRANË- Pasi Gjykata Kushtetuese u shpreh për rastin e Belinda Ballukut, mazhoranca ka vendosur të mbledhë Këshillin e Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e saj. Mbledhja për Ballukun do të mbahet javën e ardhshme, bëjnë me dije burime për Report Tv.

Socialistët e kanë kushtëzuar datën për thirrjen e mbledhjes me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe publikimit të tij në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i Kushtetueses pritet të zbardhet të hënën dhe po këtë ditë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi pritet të nxjerrë edhe urdhrin në të cilin do të përcaktohet data dhe ora kur do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Mandateve.

Kushtetuesja nuk arriti dot shumicën për rastin e Ballukut, duke u ndarë 4-4, çka bëri që kërkesa e kryeministrit Edi Rama të rrëzohej, ndërsa mbeti në fuqi vendimi i marrë nga GJKKO në muajin nëntor, për pezullimin nga detyra të Balluku, e marrë e pandehur, për shkelje të barazisë në tenderë për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.

Seanca maratonë në Kushtetuese, gjithsesi nuk i dha një zgjidhje përfundimtare pyetjes, nëse një gjykatë mund të pezullojë nga detyra një anëtar qeverie, pa marrë më herët leje nga Kuvendi. Nisur nga kjo situatë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi dhe ndërhyrje ligjore për të zgjidhur, atë që ai e ka cilësuar tejkalim kompetencash të gjyqësorit me pezullimin e një anëtari të qeverisë. 

Ndërkohë, SPAK është në pritje që të shqyrtohet kërkesa e tyre për heqjen e imunitetit të Ballukut, çka do t’i hapte rrugë edhe arrestimit të saj.