Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi ironizoi deklaratat deputetit Belind Këlliçi, i cili 2 ditë parë, pas dëshmisë 90-minutëshe në Prokurorinë e Posaçme lidhur me financimin e Kuvendit të Rithemelimit të Sali Berishës të zhvilluar më 11 dhjetor 2022, tha se ishte thirrur për një çështje periferike.

“Si është çështje periferike kur të kanë thirrur si person që ke dijeni ose që ke qenë pjesë? Kanë disa padi njëri-tjetrin këta, unë nuk e di ekzakt përderisa nuk ka një deklaratë zyrtare. SPAK duhet të dalë për një njoftim për çfarë ka qenë. Aty ka pasur një denoncim dhe për hetim pasuror dhe për vetë Belindin”,- tha Murrizi në një intervistë në emisionin “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv.

Murrizi tha se SPAK duhet të hetojë në mënyrë rigoroze dhe shteruese Këlliçin për pasurinë e tij.

“Duhet ta thërrasësh për ta hetuar për pasurinë që ka”,- tha Murrizi.

Ish-deputeti demokrat foli edhe për skandalin e arratisjes në Durrës të të paraburgosurit Altin Ndoci, i cili arriti të largohej nga Spitali Rajonal ku ishte shtruar për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar nga ajo që ofrohej në burg.

“Burgu i Durrësit dhe disa të tjera janë hotele, i kanë të gjitha brenda, kanë telefonat, kanë laptopët, televizorë, vaskë, kondicionerë. Nuk iu mungon komunikimi me botën e jashtme. Nga brenda porosisin vrasje, gjoba. Të gjithë teknologjinë që përdorin qytetarët VIP-a përjashta, ata i kanë brenda. Ky ishte largim i porositur. Do t’i interesonte botës së krimit dhe politikës që është e lidhur me krimin”,- tha Murrizi.

”Ai mes ditës, shtetit, SPAK-u i famshëm, iu arratisën 5–6 milion euro verë. Kur ikën vera që vjen furgoni që ka katër goma, vijnë dhe dy veta, ngarkojnë dhe verën, ky një shishe verë është. Që atë ditë duhet të ishin ndaluar ata që e kishin në ruajtje”,-tha ish-deputeti duke iu referuar zhvendosjes së shisheve me verë që kapnin vlerën në miliona euro, nga kantina e të shpallurit në kërkim nga SPAK, Ergys Egasi.