TIRANË- Mbrëmjen e kësaj të shtune, forca të shumta policie, me urdhër të SPAK zbarkuan në banesën e të shumëkërkuarit Ervis MartinajSurrel. Burime për gazetarin e Report Tv Sokol Dema bëjnë me dije se në shtëpi janë marrë vetëm dokumente pasi nuk u gjet asgjë e paligjshme. Atje nuk ishte i pranishëm asnjë familjar i Martinaj.

Urdhri i SPAK për kontrolle nuk lidhet me zhdukjen e Martianjt, por u dha në kuadër të operacionit "Golden Bullet", pas rrëfimit të Nuredin Dumanit se e kishte porositur për të eliminuar Endrit Doklen për 500 mijë euro, detyrë që nuk u krye asnjëherë për shkak se bashkëpunëtori i drejtësisë e kishte konsideruar të vështirë. Dumani ka thënë se për këtë vrasje Ervis Martinaj do paguante 500 mijë euro, shumë për të cilën ra dakord. Para vrasjes i dha Dumanit paradhënie shumën prej 100 000 Euro. 

Endrit Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zgjedhur që të përgjigjet shkurt mbi hetimet pë zhdukjen e tij duke thënë se janë në rrugë të mbarë, por nuk ka asnjë përgjigje nëse Martinaj është gjallë apo jo, por këto kontrolle mund të jenë një shenjë se grupi hetimor nuk ende asnjë provë për vdekjen e tij.