Sonte në orën 21:00 Spanja do të zhvillojnë ‘finalen’ e kampionatit botëror të Brazilit, pasi do të përcaktojë nëse do të vazhdojë garën, apo do të largohet nga edicioni i 20-të. Humbja përballë Holandës me rezultatin e thellë 5-1 e bën të detyrueshme fitoren me Kilin sonte. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë shanset për kalimin e grupit janë pothuajse zero duke shënuar eliminimin e kampiones në fuqi të botës nga Brazili, por trajneri Del Boske premton se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë.

“Pas humbjes me Holandën në formacion do të ketë disa ndryshime. Formacionin që do të zbres sonte në fushë e kam përcaktuar, por nuk do ta bën publik. Kam besim të plotë se me Kilin do të zhvillojmë tjetër ndeshje nga ajo me Holandën. Humbja na ka shërbyer dhe besoj se kthesa nis sonte. Grupin nuk e vendos në dyshim që do ta kalojmë” deklaroi ai duke mos dhënë asnjë informacion për emra konkretë. Por sipas të gjitha gjasave risitë do të nisin nga mbrojtja, ku Pike do të zëvendësohet nga Martinez, ndërsa në mesfushë do të zbresë Koke nga minuta e parë.

Ndërsa përsa i përket Casillas, nuk do të diskutohet aspak formacioni nga minuta e parë, pasi kapiteni është një nga pikat më të forta të spanjollëve kampionë bote dhe europe, pavarësisht pësimit të 5 golave në ndeshjen e parë. Për portierin është shprehur edhe Murinjo duke deklaruar se është mirë që të mos largohet nga formacioni i parë pavarësisht gabimeve në ndeshjen e parë. “Pozicioni i portierit është specifik. Unë nuk do kisha preferuar që ta ndryshoj atë për një lojë të keqe. Casillas është legjendë në Spanjë, ai duhet të vazhdoi të jetë i pari i Spanjës" ka thënë Mourinho.

Australi-Holandë
Ndeshja tjetër e grupit B është mes Australisë dhe Holandës. Për Australinë është ndeshje vendimtare, pasi një tjetër humbje pas asaj me Kilin do ta dërgonte automatikisht në shtëpi, por fitorja duket e pamundur në kushtet e një Holande që është kthyer një super fuqi duke trembur cdo kundërshtar pas asaj i bëri Spanjës. Trajneri Van Gal sonte synon kualifikimin. “Uroj që të zhvillojmë të njëjtën ndeshje që zhvilluam me Spanjën. Kundërshtarin e vlerësojmë pavarësisht humbjes me Kilin.

Jemi të motivuar dhe duam që të shkojmë deri në fund të kampionatit” tha ai. Holanda do të synojnë me cdo kusht kreun e grupit për të shmangur Brazilin. Sipas të gjitha gjasave ndeshjen e ardhshme me Brazilin do të ndeshet Spanja, pasi shihet si ekipi që do të përfundojë grupin e dyta. Ndërsa  Arjen Robben është zyrtarisht futbollisti më i shpejtë në histori pasi ka arritur shpejtësi maksimale prej 37 kilometrash në orë në ndeshjen kundër Spanjës.

Në fitoren prej 5-1 kundër La Roja, futbollisti i Bayern Munichut e la pas vetes Sergio Ramosin duke shkuar drejt zonës dhe duke shënuar golin e pestë. Deri më tani futbollisti më i shpejtë ka qenë anglezi Theo Ualcott, i cili ka vrapuar 35.3 kilometra në orë. Më pas në renditje janë Antonio Valencia në vend të tretë (35.2 km/h), Gareth Bale i katërti (34.7 km/h), Aaron Lennon në vend të pestë (33.8 km/h) dhe Cristiano Ronaldo që mban vendin e gjashtë (33.6 km/h).



d.b/shqiptarja.com