MADRID, 16 dhjetor /ATSH-AFP/ - Gjiganti i internetit "Google" mbylli shërbimin e tij të informacionit në Spanjë, për shkak të miratimit të një ligji që detyron të shpërblehen mediat e cituara dhe që po shqetëson përdoruesit e internetit dhe botuesit e medias spanjolle.
"Me shumë keqardhje njoftojmë se për shkak të ndryshimeve të fundit në ligjin spanjoll, ne kemi tërhequr botimet e medias spanjolle nga 'Google News' dhe e kemi mbyllur këtë shërbim për Spanjën", deklaroi gjiganti amerikan në faqen e tij.
Përballë kërcënimit të mbylljes, qeveria spanjolle garantoi se edhe në mungesë të "Google News", aksesi i informacionit në internet do të mbetet i garantuar në Spanjë pasi artikujt mund të konsultohen drejtpërdrejtë nga faqet e internetit të vetë gazetave.
Shpeshherë i kritikuar në Evropë për pozicion dominues, "Google" është objekt i një hetimi nga Komisioni Evropian për mosrespektim të konkurencës.
Në Gjermani, gjiganti i botimeve "Axel Springer" falimentoi në fillim të nëntorit duke kërkuar që të figurojnë sërish falas në motorin e tij të kërkimit pjesë nga artikujt që publikonte, ndërkohë në Francë, "Google" dhe botuesit kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 mbi ndarjen e fitimit të reklamat./
/G.S/ a.jor.