Spanjë-Dy-vjeçari nga Spanja i cili ndërroi jetë pasi kishte rënë në një pus 230 metra të thellë, është përcjellë për në banesën e fundit nga të afërm dhe familjarë. Trupi i Julenit u gjet nga Emergjencat Civile në Spanjë, pas 13 ditësh kërkime.
Prindërit e tij u shfaqën të dëshpëruar në funeralin e të birit, i cili u varros pranë të vëllait Oliver i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2017 pas një problemi në zemër.
Një turmë njerëzish kishin shkuar pranë varrezëve në Malaga, për të mbështetur moralisht familjen e fëmijës.
Djaloshi i vogël ra në pusin e thellë që në datën 13 janar, ndërkohë që kërkimet për të vazhduan deri në momentin e fundit. Babai i tij shpresonte se i biri do të gjendej i gjallë pasi sipas tij mbrohej nga vëllai i cili kishte ndërruar jetë dy vite më parë. Ndërkohë mediat spanjolle shkruajnë se djaloshi kishte ndërruar jetë që ditën e parë të rënies në pus.