Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar mëngjesin e sotëm në Spanjë, pranë stacionit të Urda-s, në zonën e Toledos, ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur me njëri-tjetrin. Mediat e huaja raportojnë se 68 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur.
Përplasja ndodhi pak pas orës 09:00, kur një tren i kompanisë publike Renfe, i nisur nga Madridi drejt Seviljes, u përplas me një tren të kompanisë private Iryo, që po udhëtonte në drejtimin e kundërt. Si pasojë e përplasjes, të dy trenat dolën nga shinat ndërsa disa vagona përfunduan në një skarpate.
Operatori hekurudhor Adif njoftoi pezullimin e qarkullimit në linjën e shpejtësisë së lartë që lidh Madridin me Andaluzinë. Ndërkohë, ekipet e emergjencës janë angazhuar në operacionet e shpëtimit dhe në dhënien e ndihmës për të plagosurit.
Burime qeveritare spanjolle kanë paralajmëruar se numri përfundimtar i viktimave mund të jetë më i lartë se ai i aksidentit të janarit pranë Adamuzit, ku humbën jetën 46 persona. Në atë rast, hetimet ngritën dyshime për probleme me mirëmbajtjen e shinave, por ende nuk ka të dhëna që konfirmojnë se aksidenti i ri ka të njëjtat shkaqe.
Deri më tani, dinamika e plotë e përplasjes pranë Toledos mbetet e paqartë. Sipas informacioneve paraprake, treni i Renfe-s ishte ndalur pak para përplasjes për shkak të një problemi me qarkullimin në linjë.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, shprehu dhimbjen për aksidentin dhe bëri të ditur se po qëndron në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Transportit, Óscar Puente, dhe autoritetet rajonale të Kastiljes-La Mançës.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe numrin përfundimtar të viktimave.

Incidenti i sotëm, i cili ka vrarë të paktën 68 persona, është përplasja e dytë vdekjeprurëse e trenave në të njëjtën linjë në më pak se një vit dhe ka të ngjarë të ngrejë pyetje mbi infrastrukturën hekurudhore të Spanjës.
Është ndër aksidentet më vdekjeprurëse të trenave, tramvajeve dhe metrove në Evropë në vitet e fundit:
Greqi, 2023: Një tren pasagjerësh nga Athina për në Selanik u përplas ballë për ballë me një tren mallrash në të njëjtën linjë në Greqinë veriore, duke vrarë 57 persona.
Spanjë, 2013: Një aksident hekurudhor la 80 të vdekur dhe 145 të plagosur kur një tren me shpejtësi të lartë me tetë vagona doli nga shinat dhe u përplas pranë qytetit veriperëndimor të Santiago de Compostela.
Mali i Zi, 2006: Të paktën 44 persona u vranë dhe më shumë se 180 u plagosën kur një tren pasagjerësh u përplas në një përrua jashtë kryeqytetit, Podgoricës.
Austri, 2000: Një teleferik në një tren funikular u përfshi nga flakët në një tunel malor lart mbi qytetin e Kaprun, duke vrarë 155 persona.
Gjermani, 1998: Një tren me shpejtësi të lartë doli nga shinat në Eschede në Saksoninë e Poshtme, duke vrarë 101 persona, në atë që ishte katastrofa hekurudhore më vdekjeprurëse në vend pas luftës.
Përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 68 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, ka tronditur vendin. Kryeministri Pedro Sánchez ka shpallur tri ditë zie zyrtare, më 29, 30 dhe 31 tetor, duke premtuar se hetimet do të shkojnë deri në fund për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.
“Nëse ka pasur neglizhencë, do të zbulohet, dhe nëse ka pasur dështime në sistemin e sigurisë, do të ketë një reagim me gjithë vendosmërinë.”- ka thënë Sánchez
Sánchez e cilësoi si përparësi kryesore mbështetjen për viktimat dhe familjarët e tyre, ndërsa theksoi se është e papranueshme që një vend si Spanja të përjetojë dy aksidente hekurudhore me trena të shpejtësisë së lartë brenda të njëjtit vit.
Në një postim në X, Pedro Sanchez tha se ishte “i tronditur nga aksidenti i rëndë hekurudhor dhe tragjik në Toledo”. Ai ka ofruar “shpresë, solidaritet dhe mbështetje për të gjitha viktimat” e aksidentit hekurudhor.
“Unë mbetem në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e transportit dhe me presidentin e Castilla-La Mancha. Shërbimet e emergjencës po punojnë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të siguruar sigurinë e tyre, në koordinim me të gjitha administratat e përfshira”, përfundoi ai.
Edhe mbreti Felipe VI ka shprehur tronditjen dhe shqetësimin për ngjarjen, duke përcjellë ngushëllimet për familjet që humbën të afërmit dhe mbështetjen për të plagosurit.
Në shenjë solidariteti me viktimat, mbreti ka anuluar aktivitetet e planifikuara për ditët në vijim. Ndërkohë, disa parti politike kanë anuluar aktivitetet e tyre publike, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën në terren.
-
Shinat ne Spanj i kan minuar Berishistet dhe financuar nga kryekrimineli Sali Berisha qe te njgjalli panik ne popull si ketu ne Tiran edhe ne vendet e tjera te BE.
Përgjigju-
Mire Mara ashtu eshte sic thua ti. Por te lutem mos neglizho marrjen e ilaceve, he te keqen 2 here ne dite, ne mengjes dhe ne darke!
-







Komente
Komento