Policia ka arrestuar 2 shqiptarë në Cádiz, Spanjë, të cilët u kapën duke ruajtur një sasi prej një ton hashashi me armë lufte.
Sipas mediave të huaja, të dy ishin të armatosur me pushkë automatike sulmuese të tipit kallashnikov (AK-47) dhe ndodheshin në një banesë në zonën Pelayo, në Algeciras.
Sipas policisë, droga kishte mbërritur në Cádiz përmes plazheve të Algeciras dhe Tarifës, ku narko-skafet kishin zbarkuar ngarkesën e hashashit që ruhej nga shqiptarët e arrestuar.
Aksioni policor është rezultat i një hetimi të mëparshëm, i cili bëri të mundur lokalizimin e një objekti të përdorur nga organizata kriminale si “guardería” term që në zhargonin policor i referohet vendeve të përdorura për fshehjen dhe ruajtjen e sasive të mëdha të drogës.
Gjatë operacionit, agjentët arrestuan dy persona me origjinë shqiptare, përgjegjës për ruajtjen e ngarkesës, të cilët kishin në dispozicion tre armë kallashnikov të mbushura me municion, në gjendje perfekte funksionimi dhe me aftësi të menjëhershme për të hapur zjarr.
Përdorimi i këtij lloji armësh nga organizatat e trafikut të drogës konsiderohet me “rrezikshmëri të veçantë” në zonën e Campo de Gibraltar, e cilësuar si një zonë “veçanërisht e ndjeshme” për shkak të rëndësisë së saj strategjike në rrugët e narko-trafikut.
Komente





