MADRID - Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy i kërkoi sot kryeministrit grek, Alexis Tsipras të ishte më serioz dhe të mos bënte koka turku Spanjën dhe Portugalinë pas akuzave të tij kundër dy vendeve.
Pavarësisht tensioneve, veçanërisht me Gjermaninë, shfaqur gjatë negociatave për ndihmën evropiane për Greqinë, është përplasja e parë kaq hapur mes kryeministrit grek dhe një drejtuesi tjetër evropian.
"Ne nuk jemi përgjegjës për frustrimin që krijoi e majta radikale greke", deklaroi konservatori, Mariano Rajoy.
"Dje, partia e majtë radikale greke deklaroi se përgjegjësia e problemeve të Greqisë binte mbi qeverinë e Portugalisë dhe qeverinë spanjolle", theksoi ai para militantëve të partisë së tij në Andaluzi.
"Të kërkosh një armik jashtë është një veprim që e kemi parë tashmë disa herë në Histori", theksoi Mariano Rajoy.
"Kjo nuk i zgjidh problemet, kjo vetëm i rëndon", theksoi konservatori spanjoll duke shtuar se e vetmja zgjidhje është të jesh serioz.
Aleksis Cipras akuzoi dje Spanjën dhe Portugalinë se kanë kërkuar të çojnë vendin e tij në një asfiksi financiare gjatë negociatave të fundit mes Athinës dhe BE-së që përfunduan me një zgjatje të ndihmës evropiane për Greqinë.
Qeveritë spanjolle dhe portugeze kundërshtuan zyrtarisht këto deklarata.
Madridi i kërkoi Këshillit Evropian dhe Komisonit Evropian për të dënuar deklaratat e Aleksis Cipras", theksoi një burim qeveritar spanjoll. /ATSH/