Spanjë- Një grup kriminal nga Shqipëria është shkatërruar nga Roja Civile dhe Policia Kombëtare e Spanjës pesë ditë më parë.
Pesë persona u arrestuan, përgjegjës për të paktën 13 grabitje të banesave në seri në territorin e Madridit dhe rrethinat e tij, me një dëm që vlerësohet gati 500 mijë euro.
Media spanjolle ka ndarë edhe pamjet e këtij operacioni, teksa agjentët shkojnë në një prej banesave ku kishte bazën banda shqiptare.
Me anë të një çelësi që mendohet se ishte imitim, ata hapën apartamentin dhe brenda zbuluan një ‘magazinë’ me sende të vjedhura dhe euro cash. Të futura në një çantë të vogël sportive u gjetën tufat e parave.
Anëtarët e rrjetit vepronin në Salou, në provincën e Tarragona, dhe u zhvendosën në provinca të ndryshme si Alicante, Murcia, Madrid, Toledo, Granada dhe Jaén për të kryer sulmet. Përveç kësaj, ata kishin një kasafortë ku fshihnin bizhuteritë e vjedhura gjatë këtyre krimeve.
Në këtë vend agjentët kanë arritur të sekuestrojnë 21 mijë e 800 euro para të gatshme, si dhe bizhuteri floriri dhe mjete. Grabitjet bëheshin me një mjet transporti të fuqishëm të marrë me qira. Por banda vepronte edhe si ‘shëtitëse’, edhe në territorin italian. Operacioni u krye bashkë me agjentët e vendit fqinj.
Nëntorin e kaluar, grabitjet u zbuluan në shtëpitë e një familjeje që paraqisnin një 'modus operandi' (taktikë e njëjtë), gjë që çoi në fillimin e hetimit.
Automjeti me motor të madh, i cili u përdor në grabitje për largim nga vendngjarjet dhe me targa të dubluara, u zbulua në saj të hetimeve të agjentëve, të cilët kishin bashkëpunimin e Policisë së Italisë. Kjo makinë ishte e regjistruar në Itali dhe i përkiste një kompanie makinash me qira.
Gjithashtu u sekuestruan telefona, nga ku pritet të zbulohen anëtarë të tjerë të bandës, pajisje transmisioni, vegla pune për hapje dyersh dhe mjeti i përdorur në grabitje.
Në një fushë të hapur pranë shtëpisë, agjentët gjetën një dhomë magazinimi që besohet se përdorej për të fshehur bizhuteritë e vjedhura në grabitje përpara se të nxirreshin jashtë vendit (në foto).
Gjithashtu, në këtë vend janë gjetur edhe mjete që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.