Të jetosh me qira në Spanjë po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Gjatë vitit 2025, spanjollët kanë shpenzuar mesatarisht 50% të pagës bruto për pagesën e qirasë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vend.
Sipas një studimi të publikuar nga InfoJobs dhe Fotocasa, pesha e qirasë në të ardhurat e familjeve është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Në vitin 2019, një spanjoll shpenzonte mesatarisht 38% të pagës për strehim, ndërsa në vitin 2025 kjo përqindje ka arritur në 50%.
Shkaku kryesor është rritja shumë më e shpejtë e çmimeve të banesave krahasuar me pagat. Gjatë vitit të fundit, pagat e ofruara në treg u rritën vetëm me 1%, ndërsa qiratë u shtrenjtuan me 6.9%.
Çmimi mesatar i qirasë arriti në 14.21 euro për metër katror në muaj. Për një apartament standard prej 80 metrash katrorë, kostoja vjetore e qirasë llogaritet në 13.642 euro, ndërsa paga bruto mesatare vjetore në Spanjë është 27.336 euro.
Situata është edhe më e rëndë në Madrid dhe Katalonjë. Në Madrid, qiraja përthith rreth 71% të pagës bruto, ndërsa në Katalonjë kjo shifër arrin në 70%.
Pas tyre renditen Ishujt Balearikë me 64%, Baskia me 58% dhe Ishujt Kanarie me 56%, duke u kthyer në rajonet ku strehimi me qira ushtron presionin më të madh mbi buxhetin e familjeve.
Në anën tjetër qëndrojnë Extremadura dhe Castilla-La Mancha, ku qiraja konsumon përkatësisht 29% dhe 32% të të ardhurave. Megjithatë, edhe këto nivele mbeten pranë ose mbi kufijtë e rekomanduar nga organizmat ndërkombëtarë.
Kur analizohen provincat, Barcelona rezulton zona më e papërballueshme për qiramarrësit. Atje, një banor duhet të shpenzojë mesatarisht 76% të pagës bruto për qiranë. Pas saj vijnë Madridi me 72%, Ishujt Balearikë me 64% dhe provincat Vizcaya, Las Palmas dhe Guipúzcoa.
Sipas Fotocasa, fakti që gjysma e pagës po shkon për strehimin përbën një “emergjencë të vërtetë banimi”, pasi tejkalon me 20 pikë përqindjeje nivelin që konsiderohet i përballueshëm.
Edhe InfoJobs paralajmëron se hendeku mes rritjes së pagave dhe çmimeve të banesave po zgjerohet vazhdimisht. Edhe pse paga mesatare e ofruar u rrit me 276 euro gjatë vitit të fundit, kjo nuk ka mjaftuar për të kompensuar shtrenjtimin e qirave.
Ekspertët paralajmërojnë se situata po kufizon aftësinë e qytetarëve për të kursyer, po ndikon në lëvizjen për punë dhe po shtyn vendime të rëndësishme jetësore, si largimi nga shtëpia e prindërve apo krijimi i familjes.
Komente





