Sulmuesi spanjoll Raul Gonzales nuk do ta vazhdojë kontratën e tij me ekipin e Bundesligës gjermane, Schalke 04, dhe do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni.

Një komunikatë e publikuar në uebfaqen zyrtare të klubit nga Gelsenkirchen konfirmoi se 34 vjeçari i cili erdhi dy vite më parë nga Real Madridi, ka vendosur të largohet. Raul u bë idhull i tifozëve të Schalkes duke realizuar 13 gola në sezonin debutues. Ai ka shtuar 14 të tjerë këtë edicion duke e ndihmuar skuadrën e "Veltins Arena" të jetë shumë pranë kualifikimit për në Ligën e Kampionëve.

Forma e shkëlqyer e Raul Gonzales, ka bërë të mendohet edhe trajnerin e kombëtares spanjolle të futbollit, për ta përfshirë në listën e lojtarëve për turneun "Euro 2012" që zhvillohet këtë verë në Poloni dhe Ukrainë. (rb/shqiptarja.com)