SPECIALE/ ‘Arapët e polenës’, riti pagan që i mbijetoi edhe komunizmit! Si ‘rrëmbehet’ nusja ditën e dasmës

Në errësirën e ftohtë të çdo 6 janari, banorët e Polenës presin të dëgjojnë poteren e këmborëve të Arapëve. Kështu ka ndodhur që në lashtësi në këtë fshat 5 km larg qytetit të Korçës. Një traditë e hershme pagane e njohur si karnavalet ose rrogeçët. Drita e diellit ndalon turravrapin e zhurmshëm të personazheve maskuar frikshëm. Këmbana e Kishës së Shën Sotirit njofton ceremoninë e Ujit të Bekuar dhe hedhjes së Kryqit në ujë.

Më pas në qendër të fshatit mblidhen të gjithë banorët për të ndjekur ritualin që nuk dihet ende zanafilla. Në shesh hyjnë një e nga një sipas një skenari të përgatitur grupe të ndryshme ku në tërësi të bie në sy barazia e racave dhe ideve. Atje futen arapë, nuse, dhëndër, dasmorë e kapedanë, arabë, indianë e romë. Në harmoni me natyrën midis njerëzve gjenden kafshë si ariu, gamilja, gomari etj, megjithëse disa prej tyre nuk janë kafshë të zonës.

Shfaqja popullore ka një linjë dhe subjekt që tenton të jetë i pandryshuar, e që sillet në një performancë popullore nga personazhet e sipërpërmendur. Në mesin e fshatit nis të marrë jetë dasma midis dhëndrit dhe nuses, festuar nga disa dasmorë. Arapët kujdesen herë pas here që dasma të shkojë sipas rregullit dhe banorët të mos e prekin apo ngacmojnë nusen as dhëndrin. Nga turma e njerzve shfaqet Hajduti, i cili do të rrëmbejë nusen. Arapët do të mundohen ta mbrojnë dhe ta rikthejnë pranë dhëndrit. Nga kjo përleshje mbeten të plagosur disa Arapë, të cilët marrin mjekim nga Doktori.

Karakteristikë e ritit është maskimi i pesonazheve. Përmes butaforive dhe mjeteve rrethanore, banorët krijojnë maskat dhe kostumet e gjithë grupit pjesëmarrës në rit. Në disa raste maskimi është i plotë, në disa raste është konvencional. Fredi Mançi, organizator i karnavaleve dhe mësues në Polenë, tregon sesi kjo traditë ka mbetur e pandryshuar. Duke qënë se Polena mbetet homogjene dhe pa të ardhur në të, tradita ka mbetur e pandryshuar dhe autentike.

Nikollaq Dudo dhe Gjergji Minka janë dy burra të fshatit të cilët në rininë e tyre dhe pas viteve 1990, kanë kthyer këtë traditë shumë vjeçare të ndaluar. Ajo e cila e bën Fshatin e Polenës unik për organizimin e karnavaleve, janë uniformat dhe veshjet të cilat vishen nga rreth 20-30 të rinj djem të këtij fshati.

Lëkura e papërpunuar e kafshëve dhe kreativiteti për të sjellë një veshje sa më të frikshme, është misioni i çdo të riu në këtë fshat, i cili fillon disa muaj përpara organizimit të Arapëve. Së pari ata kërkojnë lëkurën e kafshëve dhe e qepin atë. Secili nga pjesëmarrësit e këtyre karnavaleve, çdo vit qep një “kostum” të ri, pasi me kalimin e kohës lekura fillon dhe dëmtohet nga agjentët e jashtëm.

Materialet e përdorura janë kryesisht rroba të vjetra dhe aksesorë të tjerë, të sajuar në përgjigje të personazhit që do të maskohet. Tipik është maskimi i Arapëve, i cili realizohet me lëkurë të bagëtive, lopës, deles, dashit, viçit. Lëkurët vendosen në trup dhe fytyrë. Në brez vendosen zile e këmborë, të formave dhe madhësive të ndryshme. Kjo bën që përveç aspektit organizativ, riti i Arapëve të përjetohet edhe si një eksperiencë aureale.

22 vjeçari Nikollaq Koroveshi është një prej arapëve. Ai tregon emocionet e herës së parë dhe përjetimet e vrapimit mëngjesin e 6 janarit në rrugët e Polenës. Ky rit zhvillohet edhe në zona të tjera të Ballkanit. Por ajo që e vecon Shqipërinë prej tyre është fabula.

Polena është i vetmi fshat në Shqipëri, i cili ruan këtë traditë të pandryshuar dhe afër origjinales, edhe pse nuk dihet se prej sa kohësh ky event kremtohet. Gjatë komunizmit Arapët e Polenës, u ndaluan pasi për sistemin ishte zakon prapanik. Ndërsa në vitin 1990 kjo traditë u kthye përsëri në fshatin e Polenës.

Të rinjtë me një çorape që mbajnë hij dhe me veshjet e frikshme, dalin dhe gjuajnë kalimtarët në rrugë. Të frikshëm për të trembur të keqen, shoqëruar nga nusja e cila tregon fillimin e një cikli të ri, ky është rituali i Arapëve të Polenës, i cili fatkeqësisht po mbahet vetëm nga banorët dhe nuk po suportohet nga shteti.

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë