Këto rreshta lindën krejt spontanisht, pas një postimit tim në FB. Ishte një kompozim i piktorit të madh Besim Golemi. Mendoja se të gjithë miqtë e mi duhej ta dinin se çfarë kish bërë ky gjeni i pikturës shqiptare. Kuadri në fjalë është një vepër e çmuar e koleksionit tim privat. Ai e kish lëne +- pa titull. Unë e kam quajtur “Tuneli”.

Është një kryevepër e rinisë së piktorit tonë, me një histori të vetën, sesi u krijua, sesi nuk ia ekspozonin, sesi iu luta për muaj të tërë të ma dhuronte, sesi iu mbush mendja me shumë vështirësi për të ma falur. Dikur, në studion e tij të vjetër, tek ish-Tregu fshatar i Lushnjes, në vend të të cilit u ngrit kinoteatri.

“Like” i parë per ekspozimin e këtij kuadri arriti menjëherë. Ishte poeti e publicisti Jozef Radi. I mahnitur prej kuadrit, më shkruan: “Si është e mundur, Shpend, që sʼe kam njohur Besimin! E pra unë kam njohur mjaft prej artistëve në Lushnje!?”

Ndoshta miku im i mënçur nuk deshi të përmendte fjalën “Savër”, ku kaloi pjesën më të çmuar të jetës; ndoshta nuk deshi të rikujtonte internimin dhjetravjeçar të familjes së tij, ndoshta nuk deshi të kujtonte që, në kohrat kur Besim Golemi ekspozonte ato pak vepra në Lushnje, atij i duhej të vinte çdo ditë në këmbë për të vazhduar gjimnazin, më vonë të rropatej fushave të Myzeqesë për as edhe një copë bukë...

Kemi qenë shokë klase me Jozefin, dhe e dija që dalja në Lushnje për të birin e Lazër Radit ishte mollë e ndalueme, përfshi edhe një xhiro të thjeshtë me shokët e moshës. Dhe as që bëhej fjalë për të frekuentuar ekspozitat.

Pak minuta pas mesazhit të parë të Jozefit, më arrin po prej tij një tjetër: “Kërkova në Web, por sʼgjeta asgjë rreth Besim Golemit! Mund të dërgosh ndonjë foto të veprave të tjera të tij?”

Rropatem pak dhe i nis disa prej atyre që kam mundur të kopjoj prej faqeve FB të nipave të tij, sidmos të Reiçallsit dhe Sigerios. Mesazhi tretë i Jozefit është akoma më befasues: “Mbeta i mahnitur prej këtyre pikturave! Kjo heshtje në internet për këtë kollos, nuk duhet të vazhdojë më. Kam mendmin të bëjmë një seri ekpozimesh e komentesh për Golemin, një javë rresht!”

“Pse jo” - i them. “Bëj si ke vendosur. Prej meje kërko çʼtë duash, si mik, si shok, por edhe si koleg, për shpluhurizimin e vlerave të Besimit!”.
“Dua të bëj diçka që të kalojë normalen Shpend, ky ështe mendimi im, po unë kam fuqi të reduktuar në kët rast...”.
“Atë që arrin të bësh, nga pena jote nuk dalin gjëra të shëmtuara!”.

“Nuk kam asnjë pikë referimi… Imagjino: veç kuadrin që ke vënë ti në FB, nuk kisha parë tjetër deri sot!”.
“Kurse unë rrija me orë të tëra në studion e tij, më kish bërë edhe ca portrete të shpejtë, por sʼu gjet dot kanavaca!!”.


“Hahhaa… është për të qeshur, dhe shumë për të qarë… Një piktor që nuk gjen dot kanavacë!!!”.

“Ki parasysh se, edhe tim biri, i bëri disa skica para se ne të iknim në Itali, por mbetën bocete, po për mungesë kanavaci! Nuk e di ku kanë përfunduar edhe ato bocete. Fute në shënimet, nëse të vlen kjo “mungesa e kanavacit!”.

“Po kjo u fut… Shpend, i shkrova edhe inxhenierit nga Lushnja, Flamur Hoxhës, pasi kishte qenë katër vjet në tetëvjeçare me Besimin”
.
“E pashë komentin. Ah, bëmat me kanavacin kanë ndodhur kur Besimi sapo qe kthyer nga Gjermania. Ai nuk donte të pikturonte mbi kompensatë apo fibër, siç bënin të tjerët. Nuk mund ta prishte dorën. Ai ose e bënte të përkryer e të veçantë një gjë ose hiç...!

E di çke, Nini (ky është diminiutivi i Jozef Radit ndër miqtë e ngushtë), bëjmë një intervistë të ndërsjelltë për Besimin, mbase është shumë më mirë se disa përshtypje “al volo”.

“Kur do ta nisim, tani? Unë jam gati, apo ke ndonjë angazhim?”.


(Ime shoqe më tërheq prej mënge. Nuk e di se çfarë jam duke shkruar në PC. Tek Rai Uno është duke u zhvilluar Ndeshja e Paqes me yje të futbollit botëror të besimeve të ndryshme fetare, ndër të cilët Maradona e Baggio.

Roberto sapo ka shënuar me asist të Diegos. Unë as që e dija që kish hyrë në fushë. Pas golit, ia la vendin një tjetri. Kishte vënë shumë bark? - pyeta time shoqe. Ajo tund kokën në shenjë aprovimi.)

Me shaka i shkruaj Jozefit: “Ik, se më humbi pa parë barku i Baxhos!”.... po ai ndërkaq ma ka nisur pyetjen e parë:
 
Një bisedë midis Jozef Radit dhe Shpend Sollaku Noé-së rreth figurës së piktorit Besim Golemi