SPECIALE/ Finale luksi në Tiranë, fatura e fjetjes 3 mijë euro! Ekspertët: Më lirë 1 avion privat se 1 dhomë hoteli! Çmimet jo etike! Politika e ndarë, Veliaj: Normale! Braçe: Po turp nuk keni?

Romë-Feyenoord, një finale e tillë për herë të parë ndodh në Shqipëri, por jo dhe aq për tifozët italian dhe ata holandez. Fitim i shpejt, xhiro të shumë fishuar dhe në fund një imazh abuzimi për gjithë vendin.

“Që janë jo etike një pjesë janë jo etike, por nga ana tjetër në periudha të tilla të gjithë kemi udhëtuar nëpër panaire, nëpër aktivitete të ndryshme, qoftë edhe sportive që kemi gjetur edhe çmime 2-3 herë më të larta se në periudha normale”, thotë Besnik Vathi operator turistik.

“Ndodh gjithandej nuk është se ndodh vetëm në Shqipëri, por ajo që ndodh këtu është që ne i çojmë gjërat në ekstrem”, shprehet për Report TV, Ferjolt Ozuni ekspert për turizmin.

Kjo është ajo që po ndodh aktualisht në Tiranë, kryeqyteti i Rinisë për vitin 2022, dhe destinacioni i zgjedhur për të zhvilluar për herë të parë një event ndërkombëtar prestigjioz si Konferencë Liga, me ndeshjen Rome- Feyenoord.

Hotelet kanë në dorë shansin e rikuperimit të humbjeve të shkaktuara nga pandemia, në vetëm 3 ditë. Ata që kane vendosur të vini në Tiranë në datën 25 maj dhe pas ndeshjes natën ta kaloni në një prej hoteleve të kryeqytetit, duhet të kontrolloni disa herë llogarinë bankare, pasi çmimet e kripura nuk i ngjajnë Tiranës së zakonshme, por hoteleve luksoze në Dubai.

“Është një tendencë që ne e kemi pasur gjithmonë kur kemi pasur flukse të mëdha turistësh, por fatkeqësisht këtë herë kemi shkuar shumë sepse kemi parë çmime që kanë shkuar deri në 8 mijë euro për një dhomë hoteli”, thotë Ozuni.

“Në planin etik ka problem, sepse nëse një biznes jo thjeshtë abuzon por përfiton nga situata të kësaj natyre këto kthehen në bumerang”, thotë Vathi.

“Duke marrë parasysh se dy ekipet e futbollit vijnë nga Italia e Holanda, nëse e konsiderojmë Italinë që marrim shpesh turistë, Holanda është një treg i ri për Shqipërinë”, tha Ozuni.

“Kurrë një klient nuk mund të justifikojë përdorimin e kohës dhe nevojës së tij për ti marrë sa më shumë të ardhura nga xhepi i tij”, tha Vathi.

“Ne vazhdojmë të jemi me tendencën që të përfitojmë në mënyrë të menjëhershme pa marrë parasysh që këtë gjë mund ta shfrytëzonim për marketing dhe të kishim më shumë turistë në sezonin turistik”, pohon Ozuni.

“Pra në planin afatgjatë vetë biznesi do të dëmtohej, nuk do i kthehej më kjo klientelë”, pohon Vathi.

Në mënyrë të unifikuar e të menjëhershme, të gjitha strukturat akomoduese, kanë arritur deri në 50 fishim të çmimit te dhomës.

 “Ne i kemi të shitura dhomat në ato data, mund të rezervoni vetëm në Booking nëse ka akoma dhoma të lira. Në fakt janë shtrenjtë në ato data, janë diku tek 500 euro në mos gaboj, sepse ia kemi shitur asaj kompanie dhomat për këto data. Po për shkak të ndeshjeve”, shprehet menaxherja e një hoteli.

Nëse sot një dhomë hoteli e gjen me 70 deri në 200 euro nëpër hotelet e njohura të kryeqytetit, me datat 23, 24 dhe 25 maj, fatura është "mahnitëse" arrin 3000 euro.

Këto çmime të papara ndonjëherë në këtë periudhë në vend, kanë shkaktuar jo pak zhurmë në mediat vendase e ato italiane, duke krijuar e një strukture hoteliere të kushtueshme e aspak mikpritëse.

Shkaku i kësaj vale çmimesh të menjëhershme është padyshim numri i lartë i sportdashësve që pritet të zbarkojnë në Tiranë në këto data për të ndjekur ndeshjen.

A na dëmton një hap i tillë?

“Jemi në një situatë që na dëmton shumë herë më shumë sesa probabiliteti për të nxjerrë fitime në një kohë të tillë”, thotë eksperti Ozuni.

“Do e bëja në formë thirrje KUJDES, jini sa më shumë etik në biznesin që kryeni sesa të përdor fjalën abuzim”, pohon operatori turistik Besnik Vathi.

Kërkesa e lartë për të rezervuar një dhomë hoteli më 25 maj në Tiranë rriti edhe çmimet. Nga një vëzhgim në ‘booking’ bie në sy se çmimet variojnë nga 500 euro deri në 3 mijë euro nata, ndërkohë që në kushte të tjera çmimet nëpër hotele në varësi të preferencave të klientëve varjonin nga 50 euro në 300 euro.

Atë që menaxherët e hoteleve e konsiderojnë pasojë e kërkesës së lartë për dhoma, ekspertët e sektorit te shohin si abuzim që mund edhe të ishte parandaluar.

“Ne mund ta kishim shfrytëzuar nëse do të ishim realisht të organizuar dhe nëse realisht do të kishte një organizim të kryesuar nga institucionet dhe operatorët turistik, që rritja të ishte më e lehtë, që ti linim vend vetes që këta shtetas të ktheheshin në Shqipëri për një kohë edhe më të gjatë”, pohon Ozuni.

Pas denoncimit në media, Autoriteti i Konkurrencës vë në hetim tregun e hotelerisë në Tiranë, që rriti në mënyrë abuzive çmimet për dhoma në datat 23-25 maj kur në Tiranë mbahet finalja e futbollit të Ligës së Konferencës.

Konkurrenca u kërkohet kompanive të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos si dhe të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta.

Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron kompanitë se do të gjobiten me 10% të xhiros së tyre vjetore të 2021, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja e menjëhershme e çmimit të fjetjes në hotele, që bie në kundërshtim me ligjin e konkurrencën.

“Si fillim ne duhet të kemi një ndryshim në sistemin fiskal ku ne duhet të deklarojmë paraprakisht që në momentin e regjistrimit në QKB, marzhin e fitimit maksimal. Duke mos pasur një marzh të deklaruar ne mund të shkojmë nga zero në 1 milionë për një dhomë hoteli pa asnjë lloj shqetësimi, ku askush nuk mund të na kërkoj llogari”, thotë Ozuni.

Por pavarësisht se një hetim për shkelje të konkurrencës po zhvillohet, operatori turistik Besnik Vathi thotë se me ligj çmimet i përcakton tregu.

“Në planin ligjor unë nuk di të ketë ndonjë ligj në Shqipëri që të pengojë lëvizjen dhe luhatjen e çmimeve kur ato lëvizin sipas ofertës dhe kërkesës”, thotë Vathi.

Operatori turistik thotë se e vetmja mënyrë për të parë nëse ka abuzim të përmasave të deklaruar është duke parë librat e deklarimeve të këtyre hoteleve,në krahasim me vjet.

Pritshmëritë janë që në tiranë të vijnë mbi 50 mijë të huaj, italian e holandez. Një numër shumë më i lartë se hapësira akomoduese që ka Tirana, për këtë arsye një pjesë e lartë e rezervimeve janë bërë në Durrës.

“Tirana vështirë se i përballon, bashkë me Durrësin është e mundshme të akomodohen të gjithë, pasi Durrësi ofron kapacitete shumë të mëdha dhe është një periudhë që akoma nuk kanë filluar fluturimet me charter  nga një pjesë e vendeve ose nuk kanë filluar përdorimet për pushime për plazh”, Vathi.

Një spekulim i tillë me çmimet do i dëmtoj imazhi dhe në afatgjatë  vendit, për shkak se këtyre turistëve do ju krijohet përshtypja e një Shqipërie të shtrenjtë.

“Nëse ne deri sot kemi pretenduar që do të marrim në Tiranë edhe gjatë verës turistë, me këtë që po ndodh është e vështirë dhe kemi bërë 2-3 hapa prapa. Ne krijojmë imazhin që në Shqipëri nuk shkohet sepse çmimet janë të frikshme”, tha Ozuni.

Përpos problemit të akomodimit dhe faturave të kripura të hoteleve në këto ditë,eksperti i Turizmit Ferjolt Ozuni thotë  se vendi ka edhe probleme në shërbimin që ofron.

“Në një turizëm modern ne punësojmë kamerier në bare e restorante që nuk kanë lidhje me këtë lloj aktiviteti, dhe krijojnë deficite në shërbim”, tha Ozuni.

Akomodimi i kushtueshëm por i pasigurt, shpenzimet e tjera të tifozëve gjatë ditës por edhe frika për një shërbim jo cilësor i ka orientuar sportdashësit drejt prenotimit të avionëve privat.

“Kemi parë raste, ku grupe individësh kanë menduar të marrin me qira një avion privat që të vijnë të shohin ndeshjen e të kthehen pasi kushtojnë më lirë sesa një dhomë hoteli sot”, tha Ozuni.

Mbi 60 fluturime me charter janë konfirmuar deri më tani vetëm në datat 24-25-26 maj, dhe po shikohet mundësia për akomodimin e tyre jo vetëm në Rinas dhe në Kukës por edhe në aeroportet e afërta të rajonit.

Për çmimet e kripura reagoi edhe politika pasi ish zëvendëskryeministri Erion Braçe e konsideroi turp një luhatje të tillë.

“1000 euro një dhomë hoteli në Tiranë? 1500/2000 euro një apartament në Tirane? Po turp a keni? Kjo është grabitje, zhvatje, një dëm kolosal për atë që ne jemi dhe, ne nuk jemi të tillë! Po e bëjmë këtë turp ndaj njerëzve të dy vendeve që na kanë mirëpritur prej 30 vitesh, dyer hapur për çdokënd! Nuk po ju kërkon kush të hapni hotelet e shtëpitë e dyta e të treta falas. Asfare! Po kërkoj të ndalet kjo grabitje, kjo zhvatje! Kaq!”, shkruan Erion Braçe në Instagram.

Ndërsa në krah të bizneseve u rreshtua kryebashkiaku Veliaj duke thënë se, çmimet nuk i rrisin hotelet sepse në momentin kur ti futesh në aplikacione si Booking, Expedia apo Edreams, çmimi ndryshon në bazë të një algoritmi.

"Kur flasim për hotele te regjistruar në booking, në sisteme, ke dorëzuar një pjesë të pavarësisë për çmimin. Është algoritmi që përcakton, teksa mbushen vendet rritet çmimi, kjo ofertë si për flurimin si për bujtje paska kërkesë të madhe, të fajësish hotelet që i kanë dorëzuar pavarësinë këtyre sistemeve është fyese”, vijoi ai.

Vërtet biletat e avionit fillojnë me 19 euro nëse e rezervoni të parët, por shkojnë 100 euro e deri në 300 euro nëse e lini për në orën e fundit.

“Nuk është e thënë që nëse ne gjejmë një çmim 700-800-1000 euro për një dhomë dhe të themi se hoteli është shitur pasi hotelet mund të kenë dhoma, suita presidenciale që janë të shtrenjta edhe në ditë të tjera dhe në kushtet kur dhomat e tjera janë shitur i ka mbetur vetëm kjo dhomë. Pra nuk duhet keqpërdorur me shifra pa bërë krahasimet për të njëjtën dhomë në data të ndryshme”, shprehet operatori turistik Besnik Vathi.

Por a ja vlen të shpenzosh kaq shumë për të qëndruar një natë në Tiranë?

Në këto shuma nuk ja vlen mendoj unë për të qëndruar në asnjë vend të botës jo në Tiranë, aq më tepër kur ky shpenzim është vetëm për fjete pa marrë parasysh biletat e fluturimit, biletën e ndeshjes e shpenzime të tjera”, thotë Ozuni.

Një ndeshje e përmasave të tilla po zhvillohet për herë të parë në Tiranë por me sa duket, abuzuesit që përpiqen të fitojnë shuma të majme në kurriz të këtyre zhvillimeve, do përballen me humbje në të ardhmen pasi çmimet e larta deri 3mijë euro kanë bërë edhe xhiron e mediave të huaja. E nëse Shqipëria tenton të hyjë në listën e vendeve pritëse për evente të rëndësishme në art, kulturë apo sport, me sa duket, jo gjithmonë gjithçka është e mirë-menduar.

“Çdo ngjarje, çdo event ndërkombëtar sidomos këto që kanë peshë të madhe në opinionin publik janë me efekte të mëdha në turizmin e një vendi. Zgjuarsia, mençuria dhe sjellja korrekte gjatë ngjarjes që ndodh mund të sjellë efekte të mëdha pozitive të një vendi, pasi bëhet fjalë për dy vende që kanë trafik të madh ajror me Shqipërinë dhe mundësi të mëdha të lëvizjes së turistëve të këtyre vendeve”, thotë Vathi.

Ky ishte një rast i mirë për tu shfrytëzuar nga gjithë ekonomia dhe industria turistike në Shqipëri për imazh, që të kishim mundësi që t’ju linim një përshtypje perfekte që të ktheheshin në verë”, përfundon Ozuni.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Syrjai: 22/05/2022 02:04

    Po shikoni si levizin cmimet ne Bruksel kur ka mbledhja KE. A paguajne tvsh, pak rendesi ka. Shifni Bordin e Naftes!

    Përgjigju
  • Alb: 21/05/2022 12:00

    Ky ashte kapitalizmi i eger.

    Përgjigju
  • Goni: 21/05/2022 09:42

    Turpin keni 10 vjet që e hani me aragosta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?