Speciale/ Ekonomia përballë inflacionit e zhvlerësimit të valutave, Banka e Shqipërisë për Report TV: Ndaloni pagesat me euro! S’ka rrezik për krizë tjetër inflacioni (VIDEO)

Ekonomia e vendit përjetoi ditë më të mira në vitin 2024, edhe pse efektet e krizës së inflacionit të vitit 2023, ishin prezente. E kaluar, thotë Banka e Shqipërisë është etapa inflacioniste e shkaktuar prej luftës në Ukrainë, por kriza i rriti kostot e jetesës, por edhe të biznesit.

Bankat përjetuan këtë vit bum kërkese për kredi. Qytetarët kryesisht për blerje banese dhe për përballim të shpenzimeve të papritura, ndërsa bizneset kërkesën për hua e patën më së shumti për investime.

2024-ra ndryshoi ‘pllakën’ e kreditimit jo më valutë, por në lekë! Mijëra kontrata kredie u kthyen nga euro/dollar në lekë, për shkak të forcimit të lekut dhe normave të interesit më të favorshme. Edhe kërkesat e reja për kredi ishin në monedhën kombëtare, e cila ishte më e fortë edhe në 2024-ën përballë valutave.

“Kursi i këmbimit djallëzor”, tha Sejko.

Luhatjet në kurs ishin të pranishme përgjatë 12 muajve, euro e dollari prekën vlerat më të ulta historike përballë monedhës kombëtare. Euro 98 lekë, e dollari arriti të këmbehej deri në 89 lekë.

“Kursi është gjeneza e problemeve që ka biznesi sot”, tha Zekja.

Thirrja e Bankës së Shqipërisë është përshtatja me këtë normalitet të ri në tregun valutor, dhe të shmangin përdorimin e monedhave të huaja.

“Nuk duhet të përdoret, ne duhet ta ndalojmë sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Sejko në korrik.

Kursi ishte vetëm njëra nga sfidat! Mikrokreditë sfiduan jo vetëm strukturat e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, por hetimet e drejtësisë zbuluan një skemë mashtrimi të dhjetëra qytetarëve.

“Banka e Shqipërisë e ka monitoruar tregun financiar jo-banka”, tha Sejko në 5 shtator.

Për herë të parë pas 28 muajsh, Banka e Shqipërisë uli më 3 korrik 2024 normën bazë të interesit në 3% nga 3.25% duke sinjalizuar ditë më të mira për ekonominë dhe kredi më të lira. Katër muaj më vonë më 6 nëntor norma u ul në 2.75%, duke i dhënë më shumë frymëmarrje tregjeve, për kosto më të ulëta e inflacion nën kontroll.

Viti 2024 u kurorëzua me anëtarësimin e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në euro më 21 nëntor 2024.

Intervista me zëvendësguvernatoren e parë të Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi!

Cilat ishin sfidat kryesore të vitit 2024?

Ka qenë një vit i mirë, rritja ekonomike ka qenë 4%, dhe planifikohet rritje 3.6-3.7% edhe për vitin 2025, pra ekonomia po performon mirë, dhe po ruan balancat pozitive. Sa i takon inflacionit edhe ai është në parametra të pranueshëm, për vitin 2025 do të qëndrojë në kufijtë e 3% që tregon qëndrueshmëri të prodhimit por edhe të transaksioneve që ka ekonomia.

Nga inflacion mbi normë, tanimë jemi me inflacion nën normë 3%, si ka ndikuar vendimmarrja e BSH e politikës monetare tek kostot e familjeve dhe bizneseve?

Ekonomia ka kapërcyer të gjitha hendeqet e krijuara nga faktorë ekonomik por jo vetëm, dhe duket se ka hyrë në normalitet. Kufijtë e inflacionit janë afër normës natyrore. Transaksionet nuk janë të ndikuara nga ndryshimet e vlerës së parasë.

A ka më rrezik për një pasgoditje nga inflacioni në vitin 2025?

Deri më tani nuk duket. Nga të gjitha analizat edhe në afat gjashtëmujor nuk duket se do të ketë goditje inflacioniste.

Edhe viti 2024 është konsideruar i ‘super lekut’, si ishte ky vit parë nga Banka e Shqipërisë sa i takon tregut valutor?

Ka pasur luhatje në tregjet valutore sa i takon Lekut me monedhat e tjera të huaja kryesisht me monedhën euro që është kryesore në ekonominë shqiptare. Nga analizat tona del që euro është nënçmuar si rezultat i flukseve tregtare që ne kemi. Problemi është që ekonomia shqiptare në tregjet e brendshme duhet të përdori monedhën kombëtare. Përdorimi i pakufizuar i euros shkakton faktor ekonomik që nuk janë në kontroll as të bankave, as të bizneseve dhe as të bankave qendrore. Banka qendrore është zotëruese e monedhës kombëtare dhe udhëzon që forma më e mirë e të bërit biznes në ekonominë e brendshme dhe transaksionet në ekonominë e vendit të bëhen në lekë.

Ka pasur një deklaratë nga guvernatori Gent Sejko në korrik 2024 që duhet të shkojmë drejt një kufizimi të përdorimit të euros. A po diskutohet një kufizim me tavan?

Akoma nuk ka një vendim të tillë. Ja kemi lënë tregut sepse besojmë se fuqia e tregut është rregullatori kryesor i transaksioneve ekonomike. Por megjithatë është në dorë të Ministrisë së Financave që është zotëruesja e Monedhës kombëtare dhe e të gjitha aktiviteteve ekonomike, që të mund të nxjerrë disa rregullore për të forcuar përdorimin më shumë të monedhën kombëtare. Qoftë edhe ju që jeni gazetar të mos bëni lajme ekonomike që denominohen në monedhë të huaj.

A janë bërë analiza për të marrë masa për ta shmangur një thellim të shpejtë të rënies në 2025, marrë shkas nga pritshmëritë në rritje të turizmit?

Analizat janë të përhershme, çdo tre muaj bëjmë një analizë dhe nuk është se ka shkaktuar humbje në nivel të përgjithshëm. Por ka sektor për shkak të ndryshimit të shpejtë të vlerës së euros kanë pasur humbje në transaksionet ekonomike. Ndaj brenda vendit është mirë që marrëdhëniet ekonomike të bazohen në monedhën kombëtare.

Po në këtë kuadër, a ka dhënë rezultate pozitive paketa e deeuroizimit?

Paketa e deeuroizimit është një projekt afatgjatë i Bankës së Shqipërisë që ka filluar vite më parë, dhe çohet përpara vetëm përmes edukimit financiar. Ne vazhdimisht bëjmë edukime gjatë gjithë vitit. Kanë dhënë një rezultat, por transaksionet i udhëheq vetë biznesi.

Nga të gjitha sinjalet dhe projeksionet që keni si e parashikoni vitin 2025, për tregun valutor?

Për të gjithë operatorët turistik pritshmëritë janë të larta, por kjo nuk do të thotë që pritshmëritë të shfaqen në kurs. Nëse reklamat bëhen në lekë shqiptar, nëse ofertat e turizmit bëhen në lekë shqiptar, nëse çmimet nëpër resorte vendosen në lekë, natyrisht turistët do respektojnë monedhën tonë siç bëjmë ne. Është e gjitha në dorën e institucioneve shqiptare ta forcojnë përdorimin e Lekut.

Në komisionet parlamentare ku ju keni qenë për të dhënë opinionin e Bankës së Shqipërisë për buxhetin 2025, keni thënë se shqetësoheni më shumë nga ritmi i rënies së euros. Çfarë mund të bëjë Banka e Shqipërisë nëse përballet me një rrezik të tillë?

Rënia ose rritja e shpejtë e monedhës, është ndryshim i marrëdhënies midis shitjes dhe blerjes. Ne mundohemi t’ju paraprijnë transaksioneve, nëse shohim rrezik ne ndërhyjmë me një plan në treg, për të mbajtur stabilitet në kurs.

Një nga zhvillimet kryesore të vendit ishte bërja pjesë e SEPA. Në terma më të thjeshtë për qytetarët e bizneset, çfarë do të sjellë ky integrim, disa nga benefitet?

Brenda kësaj zone kryhen transaksione financiare me kosto shumë të ulët, në kohë shumë të shpejtë dhe me siguri shumë të madhe. SEPA është institucion që duket të pranuar brenda të ka pranuar si të barabartë me vendet e tjera. Hapi i duytë është ta bëjmë operacionale këtë të drejtë. Për këtë na duhet të ndërtojmë një infrastrukturë teknologjike që sistemet tona të pagesave të lidhen me sistemet e BE, infrastruktura quhet TIPS, dhe në atë moment që do të lidhemi do të kemi të gjithë të drejtën e përfitimit. Kemi llogaritur që deri në tetor të vitit 2025, që institucionet tona do të jenë të gatshëm të jenë pjesë e sistemit të pagesave.

Përtej SEPA, po në 2024-ën shqipëria hodhi një hap më tej BE-së, cilat janë detyra e Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit?

Banka e Shqipërisë ka rol të shumëfishtë në këtë proces. Nis që nga integrimi i rregulloreve tona të mbikëqyrjes, të licencimit dhe kontrollin e sektorit bankar. Por ka pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në grupin e transaksioneve të pagesave. Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për dy kapituj dhe për këtë po punojmë.

Si e parashikoni vitin 2025 për sektorin bankar, për ekonominë, për gjendjen ekonomike të familjeve apo bizneseve?

Sistemi bankar po performon shumë mirë, treguesit janë në nivel të mirë. Shpresojmë që viti i ardhshëm të jetë edhe më i mirë dhe të gjithë klientët e bankave të kenë përfitueshmëri me sigurinë më të madhe

Pritshmëritë për vitin 2025

Viti 2025, rezervon të tjera sfida për ekonominë dhe sektorin bankar. Pritet kthim i inflacionit në objektiv prej 3%, rritje ekonomike mes vlerave 3.5%-4%, shoqëruar me rritje të kreditimit të ekonomisë, shtim të depozitave.

Kreditë pritet të jenë më të lira, pasi është paralajmëruar ulje të normave të interesit për kreditë, por huatë konsumatore do të jetë me rregulla më strikte. Nga ana tjetër tregu valutor do të vijojë të shfaqë pasiguri, ndërsa në vjeshtën e 2025-ës pritet të nisin transaksionet e para përmes sistemit SEPA. Në 2025-ën shënohet 100 vjetori i krijimit të Bankës së Shqipërisë, që do të sjellë dhjetëra aktivitete për këtë përvjetor.

PRITSHMËRITË
Inflacion mesatar 3%
Rritje ekonomike 3.5%-4%
Rritje e kreditimit/depozitave
Ulje të normave të interesit për kreditë
Kushte të reja për kreditë konsumatore
Pasiguri në kursin e këmbimit
Fillimi i pagesave/transfertave përmes SEPA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:15
A ka rrezik për një tjetër valë inflacioni në 2025-ën? Përgjigjet zëvendësguvernatorja

Ekonomia ka vijuar trendin rritës edhe përgjatë vitit të shkuar e ndikuar kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi. Banka e Shqipërisë thotë se kjo rritje do të vijojë edhe përgjatë vitit 2025, ku rritja parashikohet në 3.7%.

“Ka qenë një vit i mirë, rritja ekonomike ka qenë 4%, dhe planifikohet rritje 3.6-3.7% edhe për vitin 2025, pra ekonomia po performon mirë, dhe po ruan balancat pozitive”, thotë Minxhozi.

Sa i takon inflacionit, zëvendësguvernatorja pohon se do të kthehet në objektiv këtë vit, dhe se nuk ka rrezik për një goditje tjetër për shtrenjtim çmimesh.

“Sa i takon inflacionit edhe ai është në parametra të pranueshëm, për vitin 2025 do të qëndrojë në kufijtë e 3% që tregon qëndrueshmëri të prodhimit por edhe të transaksioneve që ka ekonomia. Nga të gjitha analizat edhe në afat gjashtëmujor nuk duket se do të ketë goditje inflacioniste”, pohon zëvendësguvernatorja.

Ora 10:14
Pagesa të shpejta dhe me kosto të ulët përmes SEPA, Minxhozi: Sistemi funksional në tetor 2025

Në nëntor të vitit 2024, Shqipëria u bë pjesë e Sistemit Evropian të Pagesave në Euro, anëtarësim që u miratua pas aplikimit që u bë në qershor nga Banka e Shqipërisë.

Në vitin e parë të bërjes së pagesave apo transfertave përmes SEPA ekonomia pritet të fitojë 20 milionë euro.

Për Report TV, zëvendësguvernatorja Minxhozi thotë se përveç se pagesat me SEPA do të jenë më të shpejta, me më pak kosto por edhe me të sigurta. Por infrastruktura për të nisur përdorimin e këtij sistemi është ende në proces ndërtimi.

"Hapi i dytë është ta bëjmë operacionale këtë të drejtë. Për këtë na duhet të ndërtojmë një infrastrukturë teknologjike që sistemet tona të pagesave të lidhen me sistemet e BE, infrastruktura quhet TIPS, dhe në atë moment që do të lidhemi do të kemi të gjithë të drejtën e përfitimit", tha Minxhozi.

Aktualisht i gjithë sektori financiar po punon për t'u bërë pjesë e SEPA, dhe pagesat e para të shpejta, ndërsa pagesat e para planifikohet të nisin në tetor 2025.

"Kemi llogaritur që deri në tetor të vitit 2025, që institucionet tona do të jenë të gatshëm të jenë pjesë e sistemit të pagesave", thotë Minxhozi.

Përgatitja për të nisur aplikimet e sektorit bankar që të bëhen pjesë e Sistemit do të nisin në muajin prill, dhe fazës së përshtatjes ato pritet të jenë gati në tetor për transferta e pagesa jashtë vendit me kosto më të ulët dhe me kohe të shpejtë.

Ora 10:10
Zhvlerësimi i euros, Banka e Shqipërisë: Respektoni lekun, Ministria e Financave të ndalojë pagesat në valutë

Brenda vendit çdo pagesë të bëhet me monedhën kombëtare. Kjo është thirrja që banka e Shqipërisë u drejton qytetarëve, bizneseve por edhe institucioneve. Kjo është e vetmja zgjidhje për stabilitet në tregun valutor.

Për Report TV zëvendësguvernatorja e parë Luljeta Minxhozi shprehet se luhatjet në kursin e këmbimit vijnë si rezultat i të hyrave valutore por ndikim po jep përdorimi masiv i euros për pagesa në vend. Ky përdorim i pakufizuar i euros për pagesa nga dyqanet e vogla deri për transaksione për blerje pasurish e nxjerrë jashtë kontrollit tregun valutor.

"Problemi është që ekonomia shqiptare në tregjet e brendshme duhet të përdori monedhën kombëtare. Përdorimi i pakufizuar i euros shkakton faktor ekonomik që nuk janë në kontroll as të bankave, as të bizneseve dhe as të bankave qendrore. Brenda vendit është mirë që marrëdhëniet ekonomike të bazohen në monedhën kombëtare", pohon Minxhozi.

Zëvendësguvernatorja pohon se edhe operatorët turistik duhet të heqin dorë nga reklamimi i ofertave në euro, por të promovojnë dhe përdorin monedhën Lekë.

"Nëse reklamat bëhen në lekë shqiptar, nëse ofertat e turizmit bëhen në lekë shqiptar, nëse çmimet nëpër resorte vendosen në lekë, natyrisht turistët do respektojnë monedhën tonë siç bëjmë ne. Është e gjitha në dorën e institucioneve shqiptare ta forcojnë përdorimin e Lekut", shprehet Zëvendësguvernatorja.

Por a do propozojë Banka e Shqipërisë kufizimin e përdorimit të Euros për pagesa në vend? Minxhozi thotë se një vendimmarrje e tillë i takon Ministrisë se Ekonomisë.

"Është në dorë të Ministrisë së Financave që është zotëruesja e Monedhës kombëtare dhe e të gjitha aktiviteteve ekonomike, që të mund të nxjerrë disa rregullore për të forcuar përdorimin më shumë të monedhën kombëtare", thotë Minxhozi. 

Luhatjet në tregun valutore do të jenë të pranishme edhe përgjatë 2025-ës, dhe e vetmja mënyrë për stabilitet të përkohshëm janë blerjet e euros nga Banka e Shqipërisë.

Euro e mbylli 2024-ën duke u këmbyer me 98 lekë, vlera më e ulët historike nga 104 lekë që ishte në fund të 2023-shit. Ky zhvlerësim i euros ka dëmtuar ndjeshëm eksportuesit sidomos ata të industrisë fasonë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet që priten në politikat arsimore në Shtetet e Bashkuara

Ndryshimet që priten në politikat arsimore në Shtetet e Bashkuara