Në epokën e industrializimit të egër dhe prodhimit masiv, ku makineritë kanë zëvendësuar ndjeshmërinë e njeriut, në zemër të Roskovecit koha duket se ka ndaluar. Këtu, përkushtimi ndaj një zanati shekullor e ka ruajtur të paprekur traditën artistike. Kur gjithçka sot quhet "e vjetruar", për gratë e kësaj zone, puna me dorë është oksigjeni i përditshmërisë. Ato nuk po thurin thjesht fije, po thurin historinë e tyre.
Për Adelina Hoxhën, jeta nuk matet me vite, por me sythe. Gjithçka nisi në një kohë tjetër, në vitet e para të shkollës, ku puna me dorë nuk ishte thjesht një hobi, por një disiplinë formuese.
"Merrem që e vogël. E kam trashëguar nga familja, por shkolla bëri punën e vet. Kishim mësuese Shqipen, ajo na e ka mësuar me aq durim. Nuk është se e mësonin të gjithë, duhej ta kishe pak brenda vetes. Unë i dashuroja format gjeometrike, ngjyrat... isha gjithmonë e para që e mbaroja modelin",- tregon Adelina.
Adelina e sheh artin e saj si një ekuacion matematikor. Për të, shtëpia dhe puna me dorë kanë të njëjtën rregullsi: nëse gabon një numër, e gjithë struktura prishet. Por përtej matematikës, aty derdhet shpirti. Ajo na tregon se si grepi është bërë mjeti i saj për të komunikuar me fëmijët që i ka larg, dhe me botën e padukshme.
"Këtë që shihni këtu, e quajmë 'kapëse ëndrrash'. Unë i kam dhënë një kuptim tjetër, pak mistik, okult. E kam thurur me gërmat e fëmijëve të mi. Është një yll me pesë cepa, ku unë thërras pesë fëmijët e mi. Ka edhe një figurë kukumjaçke aty... që thotë 'Jam këtu!'. Është zëri im që i kërkon të mos harrojnë rrënjët",- tregon ajo.
Edhe pse koha ka kaluar dhe teknikat kanë ndryshuar, Adelina mbetet besnike e "Tornados" – një punim i vështirë që kërkon përqendrim maksimal. Ngjyrat kuq e zi dominojnë, si një lidhje e pashkëputshme me identitetin. Kur e pyet për lodhjen, ajo qesh. Për të, ky nuk është punë, është ilaç.
"Kur jemi të lodhur nga punët e rënda, sapo ulemi e kapim punëdoren, ne çlodhemi. Është terapi. Edhe nëse rri një kohë pa e praktikuar, nuk harrohet. Si mund të harrohet dashuria? Grepi është dashuri, dhe dashuria mbetet aty, në majë të gishtave",- shprehet Adelina.
Për Ajdine Hykën, me origjinë nga Luari i Roskovecit, qëndisja nuk është thjesht një zanat, por një ditar i jetës. Në fijet e punimeve të saj është fshehur koha e vajzërisë, emocionet e përgatitjes së pajës dhe kujtimet e nënave që nuk ua ndanë kurrë gjilpërën nga dora.
"Kemi mësuar të qëndisim që të vogla. Na kanë mësuar nënat tona, kemi mësuar në shkollë, kemi punuar me shoqet gjithë kohën që bënim pajën. Edhe sot e ruajmë pajën që kemi çuar... I kemi akoma ato që kemi qëndisur. I mbajmë si kujtimin më të shtrenjtë",- thotë Ajdineja.
Ajdineja ka arritur të kthejë në art arkitekturën dhe simbolet e zonës. Kisha e famshme e Kurjanit apo flamuri kuq e zi janë motivet që ajo qëndis me më shumë krenari. Por, përtej pasionit, ajo tregon se ky proces është edhe një terapi për shpirtin, një mënyrë për të larguar "mendimet e këqija".
"Edhe pas martese unë kam vazhduar, sepse heq mendimet e këqija. Kjo që shihni është Kisha e Kurjanit, por kemi bërë edhe flamur për turistët... ata i pëlqejnë shumë si dhurata. Kemi hapur edhe një dyqan me ndihmën e bashkisë. Dëshira e grave është shumë e madhe, mblidhemi bashkë, por vështirësia mbetet tek shitja. Në Roskovec ka shumë artizane, konkurrenca është e fortë",- tregon ajo.
Ndryshe nga frika se tradita po vdes, Ajdineja sheh shpresë tek brezi i ri. Ajo është shndërruar në një mësuese për vajzat e fshatit, përfshirë vajzën dhe nusen e saj, të cilat mësojnë sekretet e rruazave dhe grepit.
"Unë kam shumë qejf kur i shikoj vajzat e reja. Kam mësuar vajzën dhe nusen. Disa punime me rruaza që kanë bërë ato, unë ia kam ruajtur me shumë dashuri. Puna e dorës është e bukur mbi çdo gjë. Ky punim këtu, për shembull, tregon natën, hënën dhe yjet... i bëj të gjitha me dëshirë, me shtiza e me grep",- thotë Ajdineja.
Për Liljana Satërin, arti nuk ka nevojë për skema të komplikuara. Ajo përfaqëson atë lloj artizaneje që krijon përmes instinktit. Pasioni i saj është aq i fortë, saqë sytë e saj "e vjedhin" modelin sapo e shohin, për t’ia kaluar më pas duarve që nuk njohin lodhje. Nga makina qepëse te biza e shtiza, Liljana është mjeshtre e të gjitha teknikave.
"E kam nisur që në moshë të vogël, në shtëpi e në shkollë. Edhe tani nuk rri dot pa punëdore... i kam shumë pasion të gjitha. Ja, kjo është një panoramë, natyrë nga fshati. Unë ngaqë i kam qejf, i mësoj modelet vetëm duke i parë. Çfarë më shikon syri, ma bën dora",- thotë Liljana.
Në shtëpinë e Liljanës, tradita nuk është thjesht një kujtim, por një stafetë që po kalon me sukses te brezi tjetër. Vajza e saj po ndjek të njëjtat hapa, duke vërtetuar se kur një punë bëhet me vullnet, ajo kthehet në një gjuhë dashurie që flitet mes nënës dhe bijës.
"Kjo është një punë që po nuk e pate qejf, nuk e bën dot. Vajzës ia kam trashëguar. Edhe ajo është si puna ime... nuk duhet të humbasë. Duhet të kalojë brez pas brezi. Unë vajzës time, ajo të sajës e me radhë. Puna e dorës është art, dashuri, pasion e vullnet. Janë të gjitha bashkë",- tregon ajo.
Ashtu si artizanet e tjera të Roskovecit, edhe Liljana e sheh punën e saj si një urë lidhëse me botën. Një dhuratë e punuar me dorë për një turist është një copëz e shpirtit të zonës që udhëton përtej kufijve.
Në Roskovec, tradita e punës me dorë nuk po lihet më në rrjedhën e rastësisë. Përpjekjet për ta kthyer këtë trashëgimi në një motor zhvillimi kanë marrë një formë konkrete. Nertila Pelivani, përgjegjëse për Integrimin Europian, shpjegon se si Bashkia po punon për t’u dhënë këtyre grave mjetet e nevojshme për të kaluar nga paja familjare te tregu i mirëfilltë.
"Puna me grep është pjesë e traditës së hershme të zonës sonë, që nga paja e nuses që ka qenë element identifikues. Tashmë Bashkia Roskovec ka nisur iniciativa për t’i formalizuar këto përpjekje, duke i mbështetur me ambiente dhe grante. Jemi një grup prej gati 18 grash që nuk bëjnë vetëm punë dore, por edhe produkte organike si sapunë e kreme me mbetje të vajit të ullirit",- tregon Nertila.
Ky grup artizanesh po e personalizon artin e tij, duke e kthyer në një mjet promovimi për turizmin natyror dhe kulturor. Nuk janë thjesht punime dekorative; janë simbole të historisë së Roskovecit që flasin përmes fijeve.
"Ne po e çojmë këtë drejt promovimit të turizmit. Punimet e grave tani kanë marrë motivet nga kultura jonë: kisha e Kurjanit, kisha e Shën Gjergjit, elemente të natyrës. Pra, puna e dorës është integruar plotësisht në atë që ne tentojmë ta zhvillojmë turizmin dhe ta promovojmë Roskovecin edhe më gjerë."
Në fund të këtij rrugëtimi nëpër fijet e traditës, kuptojmë se Roskoveci nuk po ruan thjesht një teknikë të vjetër, por një pasuri shpirtërore që refuzon të dorëzohet para harresës. Përmes pasionit të Adelinës, Ajdines dhe Liljanës, e me mbështetjen e vizionit të ri, këto "duararta" po shkruajnë një kapitull të ri: atë ku arti i vjetër i jep jetë zhvillimit të së nesërmes. Trashëgimia këtu nuk është thjesht një kujtim në arkë, është një e ardhme që po thuret çdo ditë me dashuri dhe krenari.
Komente










