SPECIALE/ Në luftë me COVID-19, beteja ende vazhdon! Mjeku: Kemi qarë kur kemi parë pacientë që kemi arritur t'i shkëpusim nga aparaturat

TIRANË-  Edhe pse kanë kaluar 10 muaj dhe shumë përgjigje janë marrë, vendi ynë po lufton me virusin e rrezikshëm, COVID-19 që ka marrë jetë e ka hapur plagë në shumë familje shqiptare. Ata, heronjtë e kësaj kohe të zymtë, mjekët, çdo orë të ditës ja përkushtojnë pacientëve. Nën betimin e Hipokratit, duan t'i shpëtojnë.

"Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet", thuhet në betimin e Hipokratit.

Ishte ora 00:23 minuta e  9 marsit që shënoi nisjen e kësaj lufte në Shqipëri, me zbulimin e 2 rasteve të para me koronavirus. Vëmendja e të gjithëve u kthye drejt spitalit Infektiv aty ku pacientët e parë  kishin nevojë për hospitalizim.

Të gjithë në shtëpi për më tepër siguri, vendi hyri në karantinë. Spitali Infektiv u kthye në të njejtën kohë zonë mes jetës dhe vdekjes. Mjekët, infermierët, reanimatorët, sanitaret, shoferët e ambulancave lanë pas familjet për të qenë aty ku cdokush frikësohej, pranë njërëzve të infektuar.

"Rastet filluan duke u shtuar ditë pas dite, kemi pasur goxha vështirësi, ishte një situatë ku përveç pacientit, ishte mënyra e veshjes, kishte një komunikim që ishte pak e vështirë për të folur me pacientin. Ata kishin një problematik disi më ndryshe se sa sëmundshmëria që ne jemi mësuar. Kemi pasur vështirësi që të jem i sinqertë, por pastaj me kalimin e ditëve, me trajnimet, me mënyrën e azhornimit, me kolegët tanë, këtu, brenda apo dhe jashtë, filluam dalëngadalë duke ia marrë dorën por pavarësisht kësaj, çdo pacientë, çdo ditë këtu, çdo moment mbahet mend dhe është e vështirë për ta harruar, sidomos rastet që kanë qenë problematike dhe fatkeqësisht ndoshta kanë përfunduar dhe në situata jo të mira.

Tashmë janë bërë disa pacientë të cilët fatmirësisht dhe fatkeqësisht i mbaj mend. Kemi pasur raste kur kemi arritur ti shpëtojmë një pjesë të mirë të pacientëve, sidomos mosha të reja apo dhe mosha të avancuara. Për mua çdo pacientë dhe çdo jetë është jashtëzakonisht e rëndësishme ashtu si dhe për kolegët e tjerë. Ka pasur situata me të cilat edhe jemi mërzitur dhe jemi gëzuar e hedhur si budallenj ngandonjëherë ndoshta dhe nga gëzimi por edhe kemi qarë kur kemi parë pacientë që kemi arritur ti shkëpusim nga aparaturat. Ka pasur momente dhe akoma, fatkeqësisht apo fatmirësisht ka momente kur ne ndjejmë gëzim, dashuri dhe ndonjëherë hidhërim apo vuajtje ndaj jetës së pacientëve.

Kjo situatë në eksperiencën time 20 vjeçare në fushën e mjekësisë them që sinqerisht ka qenë më e vështira. Jo vetëm në përballimin e kushteve apo situatave të orëve të zgjatura brenda spitalit por edhe pasi shkojmë në shtëpi dhe jemi jashtë mureve të spitalit, ne akoma flemë dhe jemi me ëndrrat e këtyre personave të cilët fatkeqësisht gjenden në spital apo janë në kushte shtëpie dhe ne jemi pothuajse gjatë gjithë ditës për të mos thënë 24 orë në kontakt në mënyrë telefonike.

Më kujtohet në fillim në familje unë qëndroja disa metra larg bashkëshortes edhe vajzave. Në një moment të caktuar duke diskutuar me bashkëshorten të marrim një shtëpi tjetër me qira që unë të largohem të mos kem kontakte me familjen, vajza e vogël që është gati 11 vjec, na kishte dëgjuar bisedat dhe thotë: O ma, pse do mari babi shtëpi tjetër, ju do ndaheni me babin? Jo i përgjigjet bashkëshortja dhe ja shpjegojmë që është një sëmundje, për tu mbrojtur nga infeksioni e të tilla gjëra. Mbasi goca mendohet disa sekonda thotë: Ma kur ju keni bërë premtimin, a i ke thënë babit që deri në vdekje do jem me ty? Po i përgjigjet bashkëshortja. Në atë moment situata bëhet pak më melankolike me thënë të drejtën dhe pastaj morëm një vendim që kjo është një sëmundje që nuk mbyllet me një javë, nuk mbyllet me dy javë por do të jetë disa muaj, ndoshta fatmirësisht do të mbyllet vitin e ardhshëm. Morëm një vendim që më mirë të bëjmë disa kushte dhe rregulla strikte brenda familjes, se sa të largohesha nga familja.

Ky vit i ri është viti më i zymtë që ne festojmë. Këtë vit të ri do të rrimë në guaskën tonë familjare, gjë të cilën fatkeqësisht duhet ta bëjnë dhe persona të tjerë sepse kjo është një sëmundje që përhapet nëpërmjet kontakteve tona të ngushta. Është një vit që nuk do uroja të vinte më. Dua ti uroj të gjithë me shpirt, gëzuar si për festat e Krishtlindjeve apo dhe të Viti të Ri, të jemi më të kujdesshëm, mos të kemi frikë, të mos e kthejmë këtë sëmundje në një stres personal, në një stres ndaj sistemit shëndetësor, në një stres ndaj punës, por thjeshtë të kujdesemi. Të ndjekim ato rregulla të cilat janë apo nuk janë të drejta në aspektin njerëzor, duhet ti shikojmë gjithmonë në aspektin shëndetësor. Mbajta e maskës, ruajtja e distancës, të kursejmë sa më shumë të jetë e mundur të shkojmë nëpër qendra tregtare apo në ato vende që nuk e kemi të nevojshme. Ndoshta jeta na ka mësuar që të shohim shumë viruse, shumë mikrobe, shumë sëmundje, por kjo më shumë se sa një sëmundje, është një shkatërrim total i një sistemi si shëndetësor, si arsimor, si ekonomik. Kështu që njerëzit duhet të gjejnë forca në mënyrë të padiskutueshme, të mos pretendojmë që vetëm vaksina do bëjë mrekullinë, ose të pretendojmë që vetëm sistemi shëndetësor apo qeveria do të bëjë mrekullinë, duhet të jemi dhe ne të parët që të bëjmë pjesën tonë. Mos të rrimë me shpresën që InshAllah o zot nuk do na zërë sëmundja. Zoti bën pjesën e vet ne bëjmë pjesën tonë. Dua t’ju urojë që ishalla InshAllah tjetër të na sjellë shëndet, lumturi e gëzim. InshAllah kjo sëmundje zhduket, InshAllah nuk shohim më situata të tilla në të gjithë sistemi shëndetësor dhe zoti ju dhëntë jetë gjithë njerëzve mbi dhe-tha në një intervistë për Report Tv mjeku infeksionist Edmond Puca.

Rrugët ishin të zbrasta, në to qarkullonin vetëm makinat e policisë dhe automjetet e ushtrisë, pamje që të jepnin ndjesinë e një luftë të vërtetë me një armik që nuk trembej as nga përdorimi i armatimeve që u demostruan.

Në këto rrugë dëgjoheshin sirenat e ambulancave qe me shpejtësi drejtoheshin për tek Infektivi. 127 ishte numri që priste me mijra thirrje nga qytetarë të frikësuar, të pasigurtë dhe në dyshime për cdo sinjal që u jepte organzimi. Më 29 mars u hap spitali i dytë COVID, “Shefqet Ndroqi” ku u krye dhe ndërhyrja e parë kirurgjikale tek një e re me koronavirus. Atë kohë  të gjithë pacientët që trajtoheshin në Sanatorium, u transferuan në Elbasan, kurse bluzat e bardha të këtij spitali iu bashkuan luftës me armikun e padukshëm.

Fëmijët  preken më pak nga COVID-19 dhe e kalojnë lehtë shpeshherë pa e kuptuar. Por shtrimet  në pavijonin infektiv në pediatri nuk kanë munguar përgjatë këtyre muajve. Ishte komiteti Teknik i Ekspertëve që përgjatë 10 muajve vlerësoi situatën epidemiologjike. Morën dhe marrin vendime për masat që ndihmojnë në frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Nga karantina totale, në hapjen graduale, përdorimin e maskave me detyrim, kufizimin me orare për lëvizjen e qytetarëve dhe për baret e restorantet, ishin këto vendimet që u morën në Shqipëri.

"Përgjegjësi e jashtëzakonshme, humanizëm dhe emocion që nuk besoj se do të përsëritet ndonjëherë. Në thonjëza do të thoja që kam humbur një vit për të qenë pranë familjes sime por jam e kënaqur për punën që kam bërë me të gjithë kolegët e tjerë, sepse nuk është vetëm një punë e imja por e të gjithë bluzave të bardha që përfaqësojnë institutin ku unë punojë (ISHP). Në momente të caktuara jam prekur jo vetëm emocionalisht por edhe profesionalisht për shkak të disa mendimve ndryshe, do ti cilësoja sulme por mendime ndryshe, për të cilat nga ana profesionale në momente shumë vendimtare apo në momente shumë kritike në situatën shëndetësore duhej që të ishin marrë të atilla. Ne shpresojmë që të minimizojmë transmetimin, të ulim virulencën, të ulim numrin e rasteve të vdekjeve, të përmirësojmë situatën shëndetësore për sa i përket epidemisë së COVID-19. Shpresojmë që ta arrijmë këtë gjë por sigurisht që një plan veprimi është në zbatim i cili ka të përfshirë të gjithë skenarët e mundshëm. Deri në këto momente janë ezauruar vetëm një pjesë e vogël e atyre skenareve për të cilat sistemi shëndetësor është i përgatitur edhe për në vijim. Të shpresojmë që COVID-i të na kthehet në normalitet dhe të jetë si një situatë virale e zakonshme. Të them të vërtetën këtë vit më ka rënë shorti bashkë me dy kolegë të tjerë që të jem roje e javës së fundvitit. Do jemi në gatishmëri, sërish në fundvit, shpresojmë me festa të gëzuara brenda familjes së vogël. Shpresoj të jetë një vit i bardhe, i paqtë edhe me shumë shëndet-u shpreh Eugena Tomini, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Aktualisht  janë 4 spitale COVID në funksion në kryeqytet. Shumë të sëmurë e kanë fituar betejën me koronavirus e shumë të tjerë e kanë humbur. Mes tyre dhe 25 bluza të bardha që ndër vite shpëtuan jetë njerëzish, por virusi i pabesë nuk i kurseu.

"Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit", thuhetr në betimin e Hipokratit.

Në një kohë që COVID-19 ka ndërprerë zinxhirin normal jetësor, sytë e njerëzimit janë kthyer nga vaksina kundër  virusit famëkeq.

Në disa shtete ka filluar aplikimi ndërsa të tjerë shtete janë ende në pritje. Ajo çka mbetet është shpresa. Të mbrohemi dhe të presim shpëtimin. Të lutemi për ata që ndodhen në frontin e parë të rrezikut, për çdo infermierë e mjek shqiptarë.

Rënia e shifrave të COVID nuk mundet dhe nuk duhet që të na uli vigjilencën dhe rrjedhimisht të themi që kaloi cdo gjë, jo. Jemi akoma në mes të rrugës dhe jam i bindur që do kemi rrugë të gjatë për të bërë së bashku me COVID-in-tha mjeku infeksionit Gent Stroni.

"Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal", pëfundon betimi i Hipokratit.

 

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë