Pavarësisht presionit dhe serisë së përgjimeve të publikuara deri më tani që tregojnë qartë përfshirjen e qeverisë në çështje korrupsioni e madje edhe në krime të ndryshme, politikanë dhe analistë agrumentojnë se kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka ndërmend të tërhiqet. Madje kreu i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Mehmedi paralajmëron se ky është vetëm fillimi i një cunami të vërtet politik që rrezikon të shndërrohet në një konflikt të ri, jo etnik, që pritet të jetë edhe më i madh se ai që ndodhi në 2001-shin.
Pjesa më e madhe e qytetarëve shprehen se u besojnë përgjimeve të publikuara nga Zaev dhe thonë se janë të gatshëm të dalin në protesta për ti dhënë fund qeverisjes së Nikolla Gruevskit.
Një qytetare shprehet: “Këto përgjime kanë nxjerrë në pah fare qartë se institucionet janë të korruptuara, veccanërisht udhëheqësit e këtyre institucioneve po del qarte se kanë shpërdoruar pozicionet e tyre duke mos llogaritur fare interesat e qytetareve por duke u fokusuar tek interesat e tyre personale. Ndaj kemi disa njerëz tepër të pasur ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë jeton në varfëri të tejskajshme. Po do të dal në protestë sepse protestat janë forma e vetme që ta ndalë hovin e këtij pushteti që është kundër të gjitha vlerave demokratike, dhe vecc kësaj protestat janë një e drejtë e garantuar me kushtetutë".
E ndersa Zoran Zaev ia doli të bashkojë shqiptarët e maqedonasit në një kauzë të vetme, kundër qeverisë së Gruevskit kauza e tij rrezikohet tashmë nga përpjekjet për ta arrestuar. Edhe analistët në Maqedoni argumentojnë se padia ndaj liderit të opozitës Zoran Zaev për “përgjime të paligjshme dhe dhunë kundër përfaqësuesve më të lartë shtetërorë”, është një paralajmërim nga ana e pushtetit se nuk e ka ndërmend të dorëzohet para presioneve të opozitës.
Madje, nuk përjashtohet edhe mundësia e arrestimit të tij para mitingut të paralajmëruar ne 17 maj. Por sipas tyre burgosja e Zaev do të përceptohej nga opinion si një presion politik që në fakt do të ndikonte në rritjen e zemërimit të popullit.
Alternativat që ofrohen për zgjidhjen e krizës janë të shumta, por pjesa më e madhe beson se vetëm dorëheqja e Gruevskit dhe krijimi i një qeverie teknike është opsioni më i favorshëm për situatën ku ndodhet vendi.
E ndërsa pjesa më e madhe e liderëve shqiptarë kanë heshtur lidhur me përgjimet e publikuara, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni kërkojnë një hetim të plotë të kësaj çështje. Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, ditë më parë deklaroi se Maqedonia ka gjasa reale që të humbë rekomandimin për nisjen e bisedimeve me BE-në nëse së shpejti nuk zgjidhet kriza politike.
Edhe qytetarët ndjehen të frustruar dhe thonë se nuk i besojnë më mashtrimeve të qeverisë.
“Po i besoj qe jane te verteta ato pergjime dhe tregojne per afera korrupsioni ndaj kjo qeveri duhet te largohet perfundimisht. Unë nuk i besoj aspak reklamave të qeverisë që përpiqet të na bindë se kemi një jetë shumë të bukur dhe të mirë. Realiteti është që populli është gjithnjë e më i varfër e jeton në skamje”
Çështja e përgjimeve në Maqedoni është pjesë e një sërë ndryshimesh të mëdha që po përjeton rajoni, Shqiperia me hapjen e dosjeve.
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)