SPECIALE/ Sfidat e një të mbijetuare nga dhuna në familje: Më shkonte gjaku nga hundët dhe nga goja, u rilinda pasi u ndava

12 gra janë vrarë nga muaji janar deri në tetor të këtij viti në Shqipëri. Rreth 4 mijë denoncime janë referuar në policinë e shtetit gjatë kësaj periudhe. Pavarësisht ashpërsimit të ligjit, dhuna në familje vazhdon të mbetet plagë e hapur. Report Tv sjell dëshminë e një të mbijetuare që rrëfen se traumat e së shkuarës lënë pasoja në të tashmen e këtyre grave.

Fatmirësisht emri i Arjanës nuk renditet ndër 12 gratë e vrara në 10 muajt e parë të vitit 2021. Por të jetuarit me frikë ishte e njëjtë me to.

“Dhuna në shtëpi është gjëja më e rëndë që përjeton dikush. Vetëm ai që e ka provuar e kupton shumë mirë çfarë do të thotë dhunë në familje. Është një dramë shumë e madhe”, tha e dhunuara. 

Përpara se të zbriste në stacionin e fundit për të mos e kthyer më kokën pas, gruaja nga një fshat i veriut të Shqipërisë tregon se si përjetoi dhunë fizike nga babai i vajzës së saj dhe dhunë psikologjike nga familja e tij. Atëherë ishte vetëm një fëmijë, që vinte nga një familje e varfër.

“Me shumë sakrifica na kanë rritur prindërit. Nuk ka ndonjë moment të veçantë. Jemi shumë fëmijë. Kam mbaruar 9-vjeçaren. Në fshat ishte mendimi se vajzat duhet të rrinë në shtëpi. Kështu që nuk e kuptonim shumë vlerën e shkollës. Prindërit thoshin mbaro 9-vjeçaren dhe nuk kemi më mundësi”, tregoi e dhunuara.

Jo vetëm Arjana, por edhe të dhunuarat e tjera e dhunuesit janë kryesisht me arsim 9 vjeçar, rreth 47,9% sipas INSTAT. Megjithatë ata që ndjekin nga afër të tilla procese thonë se sot dhuna po ndeshet jo më pak në familjet me arsim të mesëm e të lartë.

“Në familjet në shtresa të mira ekonomike ka dhunë, por më e ndjeshmja është tek ato me vështirësi ekonomike dhe sociale. Problemet bëhen sëbashku” tregoi psikologu klinik, Elidon Shehu.

Arjana është shembulli i vajzave që fejohen ashtu siç ndodh rëndom në ambientet ku ajo u lind e u rrit, shpejt e shpejt, e po me atë vrap nisi bashkëjetesën , pa patur kohë as të reflektonte se në derën e kujt kishte hyrë.

“Kur jam fejuar kam qenë 16 vjeç e gjys. Krejt papritur. Njerëzit e ish burrit i kisha komshi tek babi. Erdhën dhe kërkuan tek babi. Isha shumë e re. Nuk e dija çfarë rruge isha duke marrë. Ishte si ëndërr. Kur jam fejuar e kisha për të qëndruar një kohë të gjatë. Pa i bërë 2 muaj më morën për një ditëlindje dhe nuk më kthyen tek babi. E kam përjetuar shumë keq. Ashtu sicc më mori nuk ka qenë dakord të më merrte ashtu”, tregon e dhunuara.

Porta ku hyri u mbyll si një derë hermetike ku askush jashtë të mos dëgjonte zërin e mbytur dhe të mos ia shihte sytë e trembur nga njeriu që premtoi se do të kujdesej për të.

“Debati i parë ka filluar pas disa muajsh kur unë kam fejuar motrën. Nuk donin që unë të shkoja. Ai ishte një tip xheloz. I fiksuar. Merrte më shumë fjalët e njerëzve. Nisa të shkoj tek motra. Ai kishte pirë tek njerëzit e vet. Kam ik prej shtëpisë së babit tek shtëpia e ish-burrit isha një orë larg. Më ka dhunuar gjithë rrugës. Më kërcënonte, gjuante. Deri sa kam shkuar në shtëpi. Sa kishte fuqi. Më dukej shumë e vështirë, por thash është i ri”, shprehet e dhunuara.

Të alkoolizuar dhe xheloz  e përshkruan Arjana bashkëjetuesin që e dhunonte duke i kujtuar gruas së tij pa celebrim se ishte thjesht një pronë e paprekshme nga të tjerë. E ai nuk u ndryshoi as kur mësoi se do të bëhej baba, lajm që edhe Arjanës nuk ia ngrohu zemrën.

“Nuk e kisha menduar se isha e re. Momentet që e shikoja si ishte, thoja nuk kam jetë. Ndoshta do ndryshonte me vitet. Jo të kisha një fëmijë. Nuk e kisha menduar. Kisha 2 muaj që kisha bërë 17 vjeç. Nuk e kisha idenë fare. E kam marrë vesh kur isha 3 muaj. Atë kohë nuk kisha telefon. Lajmin ja ka dhënë vjehrra dhe ish-kunata. Kur është kthyer kam qenë 6 muajsh. Ishte bërë njeri ndryshe. Edhe më keq”, shprehet ajo.

Pritja e ëmbël u shndërrua në frikë, ankth dhe lot. E dhunoi deri në muajin e tetë të shtatzënisë, për tu kthyer andej nga kishte ardhur.

“Dhuna ka qenë më e keqe kur jam takuar një kushëri me të cilin jam rrit. Unë një vëlla kam, por edhe atë e quaj vëlla. Kur e kam takuar atë në faqe ai ka duruar pak para se me mbaru dasma. Më ka marrë zvarrë Më ka tërhequr prej flokësh. Më ka torturuar deri në shtëpi. Më shkonte gjaku prej hundësh dhe prej goje. E pyesja por nuk kishte arsye. Nuk i kisha bërë asgjë të pa drejtë. Nuk kisha lënë shkak që ai të më dhunonte. Nuk isha fajtore për asgjë”, tregon ajo.

Është përpjekur ta harrojë, por e shkuara i shfaqet herë pas here, ditën dhe natën.

“Veç shpirti im e din se sa kam hequr unë aty. Edhe kur e kujtoj pas 11 vitesh është shumë e rëndë. Kam vuajtur shumë”, thotë ajo.

“Shpresoja se do të ndryshonte” është shprehja që dëgjon rëndom nga gratë e dhunuara. Jo të gjitha e kuptojnë se pritja nuk mund të zgjasë përgjithmonë.  Arjana nuk ishte një prej tyre.

“Pak para se të lindë goca iku gjasme se do të punonte në Greqi. Ai njeri që ishte këtu, ishte dhe atje. Isha larg dhunës, por në telefon më shante, kërcënonte. E njëjta gjë ishte dhe pasi linda gocën. Kam kaluar plot një vit vetëm me ish-vjehrrën. Ka ikur pa bërë 9 muaj dhe u kthye kur vajza ishte 1 vjeç. Mua nuk më kishte treguar, por ish-vjehrra e dinte. Unë e pata vendos që kur të vije ai unë nuk do të jem. Kur ka ardhur në fshat e ka marrë vesh që unë jam tek të prindërit. Jam lodhur për 3 vite. Ishte sos durimi. Ai çdo ditë e më keq. Merrte në telefon, kërcënonte. Thonte ke marrë një fëmijë tim me vete, por jo se donte ta dinte. Mami pak a shumë e kishte kuptuar, por babi nuk ishte i këtij mendimi. Aty në fshat nuk kishte divorce. Thoshte hajde se ndoshta ndryshon. Unë isha e bindur se nuk ndryshonte. Edhe kur e mendoj sot më drridhin ato fakte. Ka momente se edhe në ëndërr ulëras me të madhe. Kur hap sytë them shyqyr që jam në ëndërr dhe falënderoj Zotin që jam këtu. Kma lindur dhe njëherë që jam ndarë prej tij”, tregon Arjana.

Kur shohin se nuk munden më, vendosin t’i denoncojnë dhunuesit. Nga janari deri në tetor të vitit 2021, rreth 4 mijë denoncime janë referuar në policinë e shtetit për raportimin e dhunës në familje. 2965 gra dhe vajza janë dëmtuar nga dhuna në familje në këto 10 muaj, ndër to, 1432 janë bashkëshorte. Për Arjanën ishte babai i saj që mori guximin të mos heshtë më.

“Babai e denoncon në polici dhe i thotë që të rrije larg vajzës. Në polici i kam thënë nuk kthehem më. Jam lodhur. E ka pranuar faktin. Më ka thënë mbaje fëmijën dhe bëj ç'të duash.

Bashkëjetuesi i Arjanës nuk bëri rezistencë siç ka ndodhur me shumë raste të tjera në Shqipëri. Pavarësisht se ky konsiderohet hap i madh për gratë e dhunuara, historia ka treguar se dhunuesit nuk i pengon as një letra e urdhrit të mbrojtjes për të mos arritur deri në marrjen e jetës.

Nga Janari deri në Tetor të vitit 2021 në Drejtorinë e Policisë së Tiranës  janë depozituar 858 kërkesa për urdhër mbrojtje, nga të cilat 477 janë miratuar nga gjykata. Të tjerat janë pushuar  pasi viktima nuk paraqitet në vendimin e konfirmimit ose tërhiqet nga frika apo dyshimi se zgjidhja mund të vijë.

“Efekte mund të japë për momentin, por shumicën e rasteve urdhër e mbrojtjes kanë sjellë zgjidhje të martesës. Nuk është qëllimi ta nxjerrësh nga shtëpia, por ta trajtojmë. Bashkëshortët kur dalin nga dënimi kanë probleme të meha psikologjike, e kanë të pa mundur të integrohen në tregun e punës. Kështu do të kemi përsëritës”, tha avokati, Alban Duraj.

“Në tiranë ka një qendër e këshillimi të burrave dhunues. Numri shumë i pakët. Nëse  institucionet vendosin një masë më të lehtë, duhet të ketë trajtim të tyre, pasi kemi rrezikun për ripërsëritje të dhunës”, tregon psikologu Klinik, Elidon Shehu.

Sipas Institutit të Statistikave në tërësi, 1 në 2 gra, ose 52,9 % e grave pohojnë se kanë përjetuar të paktën një herë dhunë gjatë jetës së tyre, dhe 36,6 % prej tyre pohojnë se aktualisht janë duke përjetuar dhunë.

Rastet më të shpeshta të gjithë formave të dhunës në familje hasen gjatë vitit të parë deri në vitin e tretë të martesës. Kaq zgjati dhe durimi i Arjanës. Kanë kaluar 11 vjet nga dita vendosi të hedhë pas krahëve të shkuarën që nuk i dhuroi as një çast lumturie.

“Asnëherë”, tregon ajo.

Pasi u çlirua nga zinxhirët e dhunës ishte koha që të mendonte për mbijetesën.

Vendos të lërë fshatin e të provojë kryeqytetin. Ndoshta kjo sakrificë mund t’u rregullonte disi jetën vajzës dhe prindërve të saj.

“Kur kam ikur ka qenë shumë e vështirë. Vajza shumë e vogël. Me kokë mbrapa. Kam ardhur. Kam gjetur shtëpi me qira. Kam bërë shumë punë”, tregon ajo.

Ishte koha e sfidave të reja për Arjanën. Refuzoi të stepej nga e panjohura.

“Vitin e parë kam marrë 220 mijë lekë. Tani marr 300 mijë. Shumë vështirë. Shtëpia me qira, shpenzimet e tjera”, tregon Arjana.

E ndërkohë që përpiqej për ca para më shumë në kryeqytet,  në fshat vajza do të zbulonte të vërtetën e shmangur për babin e saj.

“Si mbaroi klasën e pestë e kishin cytur pse të vjen vetëm gjyshi dhe mami kur babin e ke gjallë. Ajo u ka thënë se babin e kam të vdekur. Erdhi në shtëpi dhe më pyeti pse më thonë kështu. Më tha që unë i kam marrë vesh të gjitha, por nuk dua të të mërzis ty, gjyshin e nënën. Kur mërzitet më thotë fjalë të rënda. Më thotë mos hajde. Unë kam nënë e babë gjallë dhe rritem jetim. Nuk ja fal vetes që nuk e kam afër. Si çdo nënë për fëmijën dëshirat janë të mëdha. Të mbaronte një shkollë, të bëhet dikush për vete. Kjo është ëndrra më e madhe për veten”, tregon ajo.

Të tilla histori duken të vështira që të kenë një fund të lumtur. Sapo kthen një prej faqeve të librit të jetës, e zeza mbi të bardhë rrëfen sfidën e radhës.

“Krejt papritur, para 7 muajsh e kam kuptuar që kam një tumor në pjesën e krahut. 4 cm në muskuj. Një tumor malinj. Kur e kam kuptuar e kam vuajtur shumë. Thash boll kam vuajtur, këtë nuk e duroj dot. Edhe sot e kësaj dite boll e vuaj. Kam momente që edhe dorëzohem. E kam pranuar pasi ka ardhur prej të madhit zot. Kaloi 3-4 muaj, por filloi të më bllokohej. Më thanë ke ardhur vonë. Bëra një biopsi. Jetoja kush të më fale. Kam jetuar me vite me 2 palë rroba e një palë atlete dhe nuk ishte mundësia të ndiqja tumorin. Më ka ardhur si bombë” tregon ajo. 

Tumori në krah është goditja e rrudhës për Arjanën. Ndonëse nuk i ka mbushur ende 30 vjeç, i duket se ka jetuar dyfishin e moshës së saj.

“Kur kam hapur sytë thash pse dola gjallë. Nuk e doja jetën. Isha shumë e lodhur, stresuar. Më mirë të kisha mbyllur sytë. Çdo muaj bëj kontrolle. Ato 6 muaj kanë qenë shumë të vështira. Kush mund të më heqë një shpenzim, kurimin. Borxh derisa nisa të punoj sërish. Edhe tani 2 herë bëj kontrolle. Jam e detyruar. Është tumor malinj”, tha ajo.

Ëndrrat fëminore ia ndërprenë kur i thanë se do të mësosh të jetosh si gruaja e një burri. Ajo nuk festoi kurrë ditëlindje, nuk planifikoi asnjëherë pushime. U dhunua kur kërkoi t’i gëzohej ceremonive familjare. Megjithatë vazhdon të ëndërrojë, jo më si fëmijë, as si grua, por si një nënë.

“Asnjëherë. Dëshira më e madhe të shkoj diku me gocën. Sikur një javë të jem larg zhurmave. Kërkon të vije këtu, por nuk e marr dot. Një herë ha bukë njëherë jo. Asaj si them dot mos ha. Nuk shikoj të ardhme se është e vështirë e vetme me rrogë, me qira. Vetëm një jetë kalimtare mendoj. Mendoj vetëm për gocën. I thëm ëtë mësoje që të bëhet me vete. Dorzohem dhe tek puna, dora më mundon. Them nuk mundem. Jam e lodhur. Dal jashtë dhe kthehem sërish, pasi pa punë nuk jetpuj. Do bëja shumë gjëra ndryshe, por nuk kthehet koha pas”, tregon Arjana.

Tumori nuk dihet cilën rrugë do të ndjekë brenda trupit të Arjanës. Por Avokati Alban Duraj dhe Psikologu Elidon Shehu, marrin përsipër t’i sigurojnë atë çka ligji përcakton.

“Është një rast shumë i dhimbshëm. Ne si klinikë ligjore marrim përsipër një ndihmë për zonjën. Do ndjekim procedurat për kempin. Unë sëbashku me studentë e kolegë i ofrojmë ndihmë falas që kjo zonjë të ketë mundësinë që të trajtohet financiarisht nga shteti. Zotohemi që do ta ndjekim”, shprehet avokati, Alban Duraj.

“Ajo duhet të nisë një trajtim psikologjik. Nëse ma referoni do ta trajtoj si rast. Gjendja psikologjike është shumë e rëndësishme”, thotë psikologu.

Avokati merr përsipër rastin e Arjanës pasi sipas tij ajo duhet të përfitojë Kemp dhe pension ushqimor për vajzën e saj.

Vendi ynë ka ashpërsuar dënimet për dhunuesit. Më 18 nëntor të vitit 2020  kanë hyrë në fuqi masat e reja, ku parashikohet që autori dëbohet menjëherë nga shtëpia pa pritur një vendim Gjykate, por vetëm me urdhër të Policisë së Shtetit.Kodi Penal e sanksionon me burg ushtrimin e dhunës në familje, i cili varion nga 1-5 vite burg, por pavarësisht kësaj, rastet e dhunës mbeten në shifra të larta. Ndër shprehjet figurative më të përdorura në Shqipëri ka qenë dhe është  “Kush të rreh të do”. Simbolika e saj u zëvendësua me veprim konkret deri në cenimin e të drejtës për të jetuar. Një ish e dhunuar që ne zgjodhëm ta quajmë Arjana, edhe pas 11 vitesh ka frikë ta tregojë identitetin e saj sepse e di mirë se dikush që të rreh, të vret trupin ose ëndrrat.

“Nuk është shumë e lehtë. Një që e ka përjetuar e kupton shumë mirë. Më mirë është të jetosh e vetme dhe mos të ngopesh me bukë, vetëm në dhunë mos të jetosh sepse dhuna në familje është shumë e rëndë.

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja