Për herë të parë një monedhë kombëtare në Shqipëri ka qarkulluar në vitin 1925, kohë kur u krijua për herë të parë Banka Kombëtare e Shqipërisë.
Në këtë periudhë në vend qarkullonin një mori monedhash dhe kartëmonedhash të vendeve të huaja, si edhe ato të mbetura nga koha e Perandorisë Osmane. Përveç tyre nga Pavarësia deri në 25 disa bashki kishin emetuar kartëmonedhat e tyre. Pas vitit 1925 janë hedhur në qarkullim edhe shumë seri të tjera kartëmonedhash, deri në vitin 1947 ku përcaktohet kartëmonedhë kombëtare Leku, i cili zëvendësoi përfundimisht frangun, dy vite pas krijimit të Bankës së Shtetit Shqiptar në vitin 1945. Për gjithë historikun e kartëmonedhave që kanë qarkulluar në Shqipëri, ka folur për Report TV Shpresa Lubonja, Përgjegjëse e Zyrës së Muzeut në Bankën e Shqipërisë.
Intervistë/ Shpresa Lubonja, Përgjegjëse e Zyrës së Muzeut në Bankën e Shqipërisë.
Zonja Lubonja, si është emetuar dhe kur është emetuar kartëmonedha e parë dhe si ka evoluar i gjithë procesi?
Kartëmonedhat emetohet nga Bankat Qendrore, fillimisht nga Banka Kombëtare e Shqipërisë më pas Banka e Shtetit Shqiptar dhe sot Banka e Shqipërisë. Në vendin tonë nuk është se nuk kanë qarkulluar kartëmonedha. Për herë të parë në Korçë janë shtypur kartëmonedhat lokale, bëhet fjalë për kartëmonedhat franga të printuara në qytetin e Korçës në vitin 1917, në këtë periudhë Korça ishte krahinë autonome, për rrjedhojë edhe kartëmonedha reflekton statusin e një krahinës, “Shqipëri vetëqeveritare”. Më pas në fund të vitit 1917 është përsëri Korça që shtyp kartëmonedhën e saj, që ndryshon statusin në këtë periudhë, ajo nuk është më republikë vetëqeveriatare por në kartëmonedhë shkruhet vetëm republikë shqiptare dhe më pas kartëmonedhën e gjejmë vetëm me fjalën Korça, pasi në këtë periudhë nga armata e ushtrisë franceze abrogohet marrëveshja që kishim të dhjetorit të 1916 dhe në këtë periudhë Korça ishte vetëm një Bashki. Në emetimin e këtyre kartëmonedhave nuk kishim rolin e një banke qendrore, që të sigurojë mbulimin e tyre me zerva, por ishin të ardhurat e bashkive që mbulonin me rezerva paranë në qarkullim. Në vitin 1920 kemi një ligj që del nga Kongresi i Lushnjës, i cili i jep të drejtë bashkive të disa qyteteve që të shtypin kartëmonedhë.
“Korça, Vlora, Berati, Fieri, Shkodra, Gjirokastra, Elbasani, janë qytetet që kanë prodhuar kartëmonedhat që i gjejmë në artefaktet tona që të jenë shtypur dhe qarkulluar në krahinat tona”.
Në vitin 1925 për herë të parë në vendin tonë krijohet një bankë qendrore, ajo konstituohet në Romë me kapitale të përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe të grupit financiar italian. Në statutin e bankës qendrore përcaktohet që njësi monetare në vendin tonë do të ishte frangu-ar dhe nënfishat e tij do të ishin lekë. Monedha e parë kombëtare është 5 lekë-1 franga-ar. Pra 1 fraga-ar është kartëmonedha që është përdorur në fillim nga banka Kombëtare e Shqipnisë. Kjo kartëmonedhë ka qarkulluar shumë pak është refuzuar qoftë nga publiku qoftë nga qeveria sepse nuk na përfaqësonte, pasi prezanton një shqiponjë jo të stilit që ne kemi në simbolet tona, por është simbolet e stilit romak.
Një moment tjetër është seria e kartëmonedhave në periudhën e pushtimit, tashmë nuk ishte më ari por lireta italiane. Në kartëmonedhë emërtimi ndryshon, pra nuk kemi më franga ar por vetëm fjalën franga. Sa i takon dizajnit të këtyre kartëmonedhave është shumë i ngjashëm me atë të monedhave italiane të të njëjtës periudhë. Sa i takon elementeve të sigurisë, ka pjesë boshe në të cilën janë vendosur elementet e sigurisë.
Në vitin 1940 përsëri emetohet një seri e re kartëmonedhash, ku gjejmë të përdoret edhe kartëmonedha e vitit 1926 por ka një ndryshim, pasi simboli i shqiponjës dykrenore është vendosur mbi portretin e mbretit Zog. Kjo konsiderohet një emision i ri.
Më pas kemi kartëmonedhat e vitit 1944, që ka çekmonedhat 43,44 dhe 45 të cilat në qarkullim kanë luajtur të njëjtin funksion sikurse edhe kartëmonedhat e tjera.
Më pas është periudha e pasluftës në çlirim në vitin 1945, Banka e Shtetit Shqiptarë nuk njohu konventën e “Bankës Kombëtare të Shqipnisë”, dhe në një vendimmarrje të saj ajo sanksionon se Banka e Shtetit Shqiptar është pronë e shtetit shqiptar dhe nuk njeh asnjë vendim të bankës së mëparshme.
Banka e Shtetit Shqiptar fillimisht duke parë pamundësinë për të plotësuar nevojat për cash u detyrua që të pranojë disa nga kartëmonedhat e emetuara nga “Banka Kombëtare të Shqipnisë”, dhe ti vendosi atyre një vulë sipër ku shkruhej “ Banka e Shtetit Shqiptar”.
Të gjitha kartëmonedhat e emetuara nga “Banka Kombëtare të Shqipnisë”, në të gjitha periudhat me vendosjen e vulës, u konsideruan emisione të bankës së shtetit Shqiptar.
Kjo situatë ka vijuar deri në fund të vitit 1945 ku banka e Shtetit Shqiptar ka emetuar kartëmonedhën e saj e cila përsëri është franga.
Në vitin 1947 u hoqën nga qarkullimi të gjitha prerjet e mëparshme dhe në qarkullim u vendos që të kemi vetëm njësinë monetare lekë. Seria e parë e kartëmonedhave lekë u zëvendësua në një raport këmbimi me kartëmonedhat e vjetra dhe u vendos që një franga i vitit 1945 tashmë të këmbehej me 9 lekë të vitit 1947.
Seria tjetër është në vitin 1949, hiqet nga qarkullimi seria e vitit 1947, ndryshojnë marrëdhëniet politike, kemi një kalim nga marrëdhëniet me Jogusllavinë në marrëdhënie me Rusinë, me Bashkimin Sovjetik, dhe kartëmonedhat reflektojnë të gjithë periudhën e bashkëpunimit me vendet e lindjes. Në kartëmonedha ka elemente që lidhen me figura përgjithësuese si minatori, punëtori apo nëpunësi, pra të gjitha këta elemente kanë një ngjashmëri me vendet e tjera të lindjes.
Ky emision është rishtypur në vitin 1957 dhe ka qarkulluar deri në vitin 1964. Në vitit ’60 kur kemi prishje të marrëdhënieve me lindjen, atëherë u vendos që edhe këto kartëmonedha që ishin shtypur atje të hiqeshin nga qarkullimi dhe Banka ndërmori një “reformë monetare” dhe konsideroi që emisioni i vjetër tashmë do të zëvendësohej me një emision të ri me një raport këmbimi 10 lekë të vjetra me një lekë të ri.
Seria e kartëmonedhave e vitit 1964 është rishtypur përsëri 1976 dhe përmendet që të ketë qarkulluar edhe 30 vite. Pra kjo është seria me jetëgjatësinë më të madhe në qarkullim.
Kalojmë nga Banka e Shtetit Shqiptar tek Banka e Shqipërisë në vitin 1992 dhe është pikërisht kjo periudha e ndryshimeve të mëdha në vendin tonë. Është njëkohësisht edhe një periudhë tranzicioni dhe kjo gjë reflektohet edhe një historinë e kartëmonedhës tonë.
Në shtypshkronjën e Bankës së Shqipërisë janë shtypur për herë të parë dy prerjet 100 lekë dhe 500 lekë, ndërsa kartëmonedha 100 lekë ka për herë të parë fillin e sigurisë.
Po në vitin 1992 pamundësia e bankës qendrore për t’ju përgjigjur kërkesës së madhe në treg për cash detyroi bankën e Shqipërisë që të emetonte një seri kartëmonedhash, u quajt e emergjencës, kartëmonedhat 10 dhe 50 lekë valuta të cilat në treg kishin 5-fishin e vlerës së tyre. Çka do të thotë se 10 lekë valuta ishte ekuivalente me 500 lekë, dhe 50 lekë valuta 2500 lekë.
Seria e re tjetër e kartëmonedhave është 1992, ku ndryshon komplet filozofia e përgatitjes së një kartëmonedhave, tashmë Banka nuk ka më një vendimmarrje thjeshtë dhe vetëm të saj. Banka ka emetuar një seri të re kartëmonedhash prerja 2000 lekë në vitin 2007 dhe kjo seri kartëmonedhash ka shumë elemente të shtuara sigurie, të përshtatura me të gjitha emisionet dhe standardet e bankave qendrore.
Vijmë në një moment tjetër, nga e kaluara tek e ardhmja, si mund ta përmblidhni ju serinë e re të kartëmonedhave që është prezantuar nga Banka e Shqipërisë?
Vetë evoluimi i kartëmonedhave nga një vit në një vit tjetër, nga një institucion në një tjetër është një gjë shumë dinamike. Pikërisht seria e re e kartëmonedhave është një risi, dhe e ftojmë publikun të vijë të njihet nga afër serinë e re të kartëmonedhave që kamë shumë elemente të shtuara të sigurisë.
Tanimë një seri e re është gati të hidhet në qarkullim, 200 lekë dhe 5000 mijë lekë, nga data 30 shtator i këtij viti do mund të jenë në përdorim nga të gjithë qytetarët me të njëjtën vlerë me kartëmonedhat aktuale.
kartmonedha.jpg" style="height:452px; width:780px" />