Nga veriu në jug, në 12 muaj u regjistruan 41 ngjarje të rënda me të vrarë, pa përfshirë në to tentativa të dështuara që u mbyllën vetëm me të plagosur. Edhe këtë herë, prishja e pazareve të drogës, lufta brenda llojit dhe hakmarrja mes grupeve kriminale, mbizotëruan kronikën e zezë.

Tetë prej ngjarjeve me natyrë atentati kanë mbetur tërësisht të pazbardhura. Të tjera, për mungesë të provash, nuk janë sqaruar të plota, pavarësisht arrestimeve të kryera për bashkëpunëtorë të dyshuar.

Tirana ka numrin më të lartë të krimeve me të vrarë, 9. I dyti është qarku Shkodër, me 8 të tilla, ndjekur nga Durrësi me 6, Lezha me 4, Vlora dhe Dibra me nga 3, Fieri dhe Korça me nga 1 ngjarje me të vrarë dhe 4 qarqet Berat, Elbasan, Gjirokastër dhe Kukës, e mbyllin vitin 2025 me nga 1 ngjarje me të vrarë.

PLUMBA NË SALLËN E APELIT, VRITET GJYQTARI ASTRIT KALAJA  (6 tetor 2025)

Përtej imagjinatës, për herë të parë në Shqipëri, një gjyqtar u ekzekutua në sallën e gjyqit. Astrit Kalaja sapo kishte dhënë një vendim në Gjykatën e Apelit të Tiranës, kur një prej palëve në proces ngrihet i qetë dhe qëllon me armë drejt tij për një pronë në Shkodër. Kalaja, prej vitesh pjesë e sistemit, nuk u mbijetoi plumbave.

Përpara se të qëllohej për vdekje në sallën e gjyqit, Astrit Kalaja, ka shkëmben fjalë me Gjon Shkambin, palë e pakënaqur me vendimin që sapo shpalli. Shkambi i drejtohet ashpër Kalasë. Kaq mbjafton që Elvis Shkambi, nisi i Gjonit, të nxjerr armën nga brezi dhe të qëllojë magjistratin.

30-vjeçari qëllon me një plumb të vetëm edhe ndaj palës kundërshtare, babë e bir, familjarët që jetojnë në pronën e pretenduar nga xhaxhai i tij, Ragip dhe Ervis Kurtaj, duke i plagosur në tentativën e tyre për të dalë nga salla. Pas krimit, Shkambi ia dorëzon pistoletën, rojës së gjykatës. Të dy, xhaxha e nip qëndrojnë në oborrin e jashtëm derisa vjen policia.

Elvis Shkambi është djali i vëllait të Gjon Shkambit, pjesë e pronës për të cilën ishin dhe në gjyq. Të dy u lanë në burg nga Gjykata, bashkë me punonjësin e gjykatës për sigurinë, i cili lejoi futjen në sallën e gjyqit të një personi të armatosur. Vrasja tronditi sistemin e gjyqësor në vend, duke nxjerrë zbuluar mungesën e sigurisë në gjykata.

ATENTATI I RINASIT, EKZEKUTOHET KRAHU I DJATHTË I SHULLAZIT (11 nëntor 2025)

Ngjarja kriminale më e rëndë e vitit konsiderohet atentati me 2 të vrarë në Rinas, Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe miku i tij, punonjës i AMP-së, Muçi Shaljani Sheqeri. Ajo tronditi opinionin për nga agresiviteti, gjakftohtësia dhe vendi i përzgjedhur për ekzekutimin.

11 nëntor, ora 14:14 minuta. Gjithçka ndodh në 80 sekonda.

Makina “Toyota” e autorëve po priste prej 10 minutash, me bllokazhin e aktivizuar, në rrethrrotullimin e Rinasit. Sapo një informator i lajmëron se “Mercedes Benz”-i, me ngjyrë të bardhë, ku ndodhej shënjestra Gilmando Dani dhe miku i tij, doli nga aeroporti dhe po vinte në drejtim të tyre, fiks në orën 14:14 e 19 sekonda makina lëviz dhe zë pritën në krahun tjetër.

26 sekonda më pas, njëherazi hapen 3 dyer të makinës, dalin 3 persona të maskuar dhe me kallashnikovë nisiën breshërinë e plumbave. Në këtë moment makina të tjera dhe qytetarë të tjerë ishin duke kaluar në rrethrrotullim dhe vetëm fati e deshi të mos lëndohej askush.

Plumbat e nisura për Danin, nuk kursejnë as një hotel në anën tjetër të rrethrrotullimit. Pranë tij 3 burra në trotuar, të tmerruar prej të shtënave. Në video duken ciflat e betonit dhe xhamit të hotelit që u bien afër. Vetëm një mrekulli i shpëton prej plumbave.

Të shtënat vijojnë pa ndërprerje drejt makinës, e cila për inerci lëviz edhe për disa metra të tjera në krahun e kundërt të rrethrrotullimit, për të ndaluar thuajse në korsinë tjetër.

Në këtë moment, 3 atentatorët kthehen në makinë, ndoshta me synimin për t’u larguar, por njëri prej tyre, i pabindur se puna ishte kryer siç duhet, niset sërish drejt makinës. Në gjysmë të rrugës tenton disa herë të qëllojë, por pa sukses, pasi dyshohet se i bllokohet arma. Makina e autorëve niset dhe bënë disa metra, duke iu afruar më shumë rrethrrotullimit. Njëri prej autorëve i dërgon një tjetër armë kolegut të tij, i cili me pistoletë në dorë, afrohet te xhami i pasagjerit, qëllon disa herë për t’u siguruar se Gilmando Dani është ekzekutuar dhe kthehet. Për të shmangur ndonjë lëvizje të mundshme të të plagosurit Muçi Shaljani, atentatori i dytë kthehet sërish dhe nga distanca qëllon gomat e makinës. Të dy, qetësisht mbledhin disa sende që u kanë rënë mbi rrethrrotullim dhe nisen me vrap drejt makinës, e cila niset për arratisje drejt rrugës te Ura e Tubit, ngjitur me aeroportin e Rinasit.

Gilmando Dani e miku i tj Sheqeri sapo ishin kthyer nga Barcelona, ku kishin qëndruar për 4 ditë. Sheqerit, prej shtatorit, ishte bërë pjesë e AMP-së pas një procedure të dyshimtë punësimi.

Policia ngriti shumë pista dhe të dyshuar, krehu zonën me Operacionalen dhe Renean, por asgjë me vlerë nuk u gjet. Makina e autorëve u pa pranë një shtëpie në fshatin Zallë, ku u zbulua një arsenal armësh. Ekspertiza përjashtoi lidhjen me atentatin.

Pista kryesore e hetimit vijon të jetë përplasja mes grupeve kriminale. Por, kur kanë kaluar gati 2 muaj, eliminimi i Danit dhe Shaljanit ka mbetur pa autorë.

MASAKËR NË SHKODËR, DY TË VRARË NE QENDËR TË QYTETIT  (8 shtator 2025)

Mëngjesi i 8 shtatorit, do të duhej të ishte festa e fillimit të shkollës në vend, por në Shkodër mbizotëruan plumbat. Në një lokal pranë bashkisë së qytetit, u qëllua drejt Erogen Brajoviç, i cili mbeti i plagosur. Pranë tij, të pafat ishin miku Armando Pali dhe shoferi Liridon Lushi, të cilët mbetën të vrarë. Plumbat lanë të plagosur edhe kamerieren e lokalit, Meri Kacerri.

Erogen Brajoviç, i cili njihet për miqësinë me fisin famëkeq të Shkodrës, Bajri, dhe vëlla i Denis Brajoviçit, ishte ulur të pinte kafen e mëngjesit poshtë shtëpisë. Pak momente më vonë, dikush i maskuar me skafandër, hyn në lokal dhe nis të qëllojë çfarë t’i dalë përpara. Brajoviçi, i njohur edhe me mbiemrin Vaso, nga instikti i mbijetesës u ngrit nga tavolina, dhe nisi të vraponte. Por agresori e ndoqi dhe nuk ndaloi derisa u bind që plumbat e armës së tij e kapën. Doli përjashta i hutuar dhe me vrap hyri në disa rrugica pranë bashkisë. 

Jo shumë larg vendit të ngjarjes policia u njoftua se një makinë ishte grabitur nën kërcënimin e armës. Autori Ragip Gila, në mënyrë të habitshme, kishte lënë motoçikletën e tij pranë lokalit, dhe merr me forcë një makinë në rrugë, me të cilën niset drejt daljes së qytetit në lumin Kir. Policia arrin ta arrestojë në tentativë për të kaluar lumin në anën tjetër, pasi me herët kishte përplasur makinën në përpjekje për t’u arratisur.

Gjithçka i tha policisë, ishte vetëm shënjestra Brajoviç, i cili sipas tij e kishte ndjekur dhe kërcënuar me makinë. Por dëshmia e tij nuk i bind hetuesit. Pista kryesore e hetimit vijon të jetë përplasja mes fiseve Bajri dhe Lici në Shkodër. Pak ditë më vonë, në lagjen “Kiras”, shumë pranë shtëpisë së Licëve gjendet arsenal armësh, ndërsa në kërkim shpallet Barsh Bregu, njeri besnik i Ibrahim Licit, dhe një i mitur 17 vjeç. Hetuesit dyshojnë se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, pas vitesh të vrarë mes 2 fiseve. E fundit ishte masakra e Dobraçit me 4 të vrarë në 4 tetor 2024.

SHKODRA E PËRGJAKUR, BRESHËRI NË LOKAL, VRITET KRISTJAN KOLA  (4 shtator 2025)

Pak ditë më parë Shkodra ishte tronditur nga një tjetër atentat. 34 vjeçari Kristjan Kola vritet nga një breshëri plumbash teksa pinte kafe në një prej hoteleve me luksoze të qytetit.

Ngjarja ndodhi përballë “Kinema Republika”. Dy persona të maskuar që lëviznin me motor hapën zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa një person tjetër që ishte ne tavolinë me Kolën, mrekulisht nuk preket.

Motivi i vrasjes mbetet i panjohur. Viktima nuk kishte konflikte apo precedentë penalë të rëndë. 34-vjecari punonte në ndërtim, në një brigadë që e drejtonte i ati. Hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë qenë i përfshirë më parë në konflikt, pistë që nuk mbeti pa u verifikuar kurrë.

Dëshmitarët afër hotelit treguan se kishin dëgjuar krisma, por zhurma kishte  qenë e lehtë, çka bën hetuesit të dyshojnë se u përdor armë gjysmë silenciator. Ndaj Kolës u qëllua 7-8 herë, duke treguar qartësisht se ai kishte qenë objektivi i vetëm i atentatit. Dëshmitë e familjarëve në atë kohë, nuk ofruan asnjë element të vlefshëm. Ende ngjarja mbetet e mbuluar nga misteri. 

TRONDITET ELBASANI, QËLLOHET NË MAKINË BIZNESMENI MËHALLA (30 nëntor 2025)

Atë ditë të diele, biznesmeni Mondi Mëhalla, i cili kishte investuar në makina dhe taksi me qira dhe karburante, e kaloi ditën me familjen. Pasi u kthye në mbrëmje në banesën e nënës së tij pranë karburantit “Xhaxhi Oil”, pronë e tij, doli të kthehej në banesë. Sapo hyri në makinë, dikush u afrua dhe qëlloi drejt tij me 6 plumba, 2 prej të cilëve rezultuan falal në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Autori, i maskuar, afrohet me makinë, pak metra larg. Del qetësisht dhe i afrohet makinës së Mëhallës, që sa ishte ndezur. Qëllon nga vetëm pak metra distancë, duke e lënë të vrarë në vend. Nxiton drejt mjetit të tij dhe largohet me shpejtësi drejt Librazhdit. 15 km më tutje, pranë fshatit Mirakë gjendet makina e shkrumbuar, Brenda saj dhe pistoleta e krimit.

Dy ditë pas ngjarjes, arrestohet Xhino Ago, 32 vjeç, ish-ortak në biznes me viktimën, dhe punonjësi i karburantit, Kujtim Pisha. Hetimet kanë zbuluar se makina “Audi” e autorëve ishte në pronësi të Agos. Fakt që shtyn policinë të dyshojë se mund të jetë porositës i mundshëm i atentatit. Roja i karburantit, Pisha, dyshohet për moskallëzim krimi.

Dy persona të tjerë shpallen në kërkim. Marselo Arani dhe Armando Kola, kishin marrë makinën me qira.

Në gjykatë Ago pretendoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen, por kjo nuk bindi trupin gjykues që e la në burg. Një ditë më vonë u arrestohet Nevzat Spaho, nga Prrenjasi. 29-vjeçari dyshohet ose bashkëpunëtor në krim, ose qitës. Makina e tij personale rezulton të ketë lëvizuar në Mirakë në momentin që është djegur mjeti i krimit. Spaho, ose është vetë autori, i është larguar me makinën e tij, ose ka ndihmuar qitësin.

Në kërkim shpallet edhe biznesmeni Oklid Dalipi, i cili ka mbiemër të ndryshuar, po ashtu person me biznese të ngjashme me ato të viktimës. Emri i tij del në skenë nga dëshmia e një të riu nga Lezha, ndër të parët persona të shoqëruar, duke rezultuar, ndihma kryesore për hetuesit. Dyshimet janë për konflikt mes Dalipit dhe Mëhallës, që po verifikohen akoma. Pavarësisht se për ngjarjen janë 3 të arrestuar e 3 të tjerë në kërkim, misteri i shkakut dhe qitësit akoma nuk është zgjidhur.

KAMËZ, EKZEKUTIMI ME SILENCIATOR I 48 VJEÇARIT LULZIM VISHA (24 janar 2025)

Mëngjesin e 21 janarit, 48-vjeçari Lulzim Visha sapo kishte dalë nga banesa e tij në Kamëz, dhe si çdo ditë do të nisej për në punë, në një kompani private poste. Por, persona të paidentifikuar, kishin pritur për të realizuar në heshtje planin për ta vrarë.

Makina bëhet shosh nga plumbat e një arme me silenciator. Trupi i tij pa jetë gjendet nga qytetarë të rastësishëm që po lëviznin në rrugë atë mëngjes. Që në fillim hetuesit përjashtojnë pistën e një konflikt për hasmësi për një vrasje të ndodhur në 1997-ën nga vëllai i tij, Besnik Visha.

Lulzim Visha dyshohet të ishte përfshirë në konflikte me Ervis Lamin, një personazh me të shkuar kriminale në Kamëz. Konflikti i nisur pak muaj para ngjarjes mes Lames dhe Vishës lidhej me një pronë. Sherri bind blutë që të ushtrojnë një kontroll të detajuar në shtëpinë e Ervis Lamit. Ai nuk është aty, por në një ambient pranë banesës, gjenden një armë zjarri automatike me silenciator me 15 fishekë, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete “Glok”, ndërsa në oborrin e banesës 4 gëzhoja arme. Polici e shpalli në kërkim 31-vjeçarin dhe arreston kushëririn e tij, Eduart Lami, pasi dyshohet se armët përdoreshin nga të dy.

Muajt që pasuan nuk sjellin asgjë të re. Lidhja e Lamit me vrasjen nuk u provua asnjëherë me prova, dhe hetimi për të vijoi vetëm për armët pa leje.

PRITA E HAKMARRJES NË AUTOSTRADË, VRITET KRISTIAN MARKU (13 janar 2025)

Mbrëmja vonë e 13 janarit do të regjistronte ngjarjen e parë me natyrë kriminale të vitit. Sërish në vëmendje doli një hakmarrje e rëndë, e cila ka marrë jetën e disa personave në konfliktet e Mirditës. Kristian Marku, nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në 2023-shin, qëllohet në autostradën Vlorë-Fier.

Autorët e ndjekin me makinë dhe më pas qëllojnë më shumë se 13 herë drejt tij. Makina me të cilën udhëtonte, përplaset disa herë me trafik-ndarësin, deri sa ndalon. Marku kishte marrë 3 plumba në trup.

Rreth 1 km  larg vendit të ngjarjes, autorët djegin mjetin tip “Golf”  me targa të vjedhura. Kamerat e sigurisë të një karburanti aty pranë, si dhe përgjatë autostradës Fier-Vlorë, të marra nga policia nuk ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

I vetmi i arrestuar është Erald Cenaj, nga Kukësi. Dyshohet se 36-vjeçari e kishte sjellë makinën e krimit nga jashtë, pasi nuk rezulton e regjistruar në Shqipëri, por asnjë dëshmi e tij nuk ndihmoi për avancimin e hetimeve.

Saga e hakmarrjes mes dy fiseve Bardhi e Reçi në Rrëshen të Mirditës, e cila përgjatë 29 vitesh ka marrë disa jetë, nga të dyja familjet, mbeti si pista kryesore. Policia bastisi banesën e familjarëve të Kastriot Reçit në Rrëshen. 4 anëtarë të fisit Reçi, mes tyre Saimir e Martin Reçi, u shoqëruan dhe u morën në pyetje në polici në atë kohë, por mohuan të kenë lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit.

LUNDËR, PLUMBA MAKINËS SË FËMIJËVE TË BIZNEMENIT, TJETËR ATENTAT NË LEZHË (17 prill 2025)

Djali i Vesel Demirajt, pronar i kompanisë së sigurisë fizike “Pelikani”, po kthehej në shtëpi me vëllain dhe një mikun e tyre. Ora akoma nuk kishte shkuar 22:00 e mbrëmjes, kur sapo afrohen pranë mbikalimit të Farkës hyjnë në rrugën dytësore, nga një motoçikletë, në të cilën ishin 2 persona, drejt tyre derdhen plumbat. Në të njëjtën ditë një tjetër ngjarje ishte regjistruar në Lezhë. Mes dy episodeve fillimisht dyshohet për një lidhje.

Arenc Stafa, shoferi i familjes Demiraj, ndonëse i plagosur, arrin të lëvizë me shpejtësi me makinën “G Class”, duke kaluar një rrethrrotullim pak metra më tutje. Më pas mbikalimin, dhe pas pak më shumë se 1 kilometër distancë përplaset pranë një lokali të njohur në zonën e Lundrës. Bilanci, 4 të plagosur, 2 djemtë e mitur të Vesel Demiraj, shoku i tyre dhe shoferi i familjes. Motoçikleta e autorëve dyshohet se t’i ketë ndjekur për disa qindra metra, për t’u larguar më pas në drejtim të paditur.

Fillimisht, dyshimet, të cilët nuk u konfirmuan kurrë, ishin për ngatërrim të shënjestrës. Pak orë para kësaj ngjarjeje të rëndë, në Lezhë u ekzekutuar Gjovalin Prendi, babai i rivalit të Ervis Martinajt, Roan Brahimi, edhe ky i ekzekutuar në 2024-ën në Greqi. E veja e Brahimit ka shtëpinë pranë zonës ku u bë atentati me 4 të plagosur, e cila lëvizte me një makinë “G Class” si të tyre. Dyshimet e hetuesve ishin nëse atentatorët kanë pasur qëllim vrasjen e saj dhe të ish-vjehrrit në të njëjtën ditë, por në mungesë të provave asgjë nuk u vërtetua kurrë.

Gjovalin Prendi qëndronte në tavolinë me një mik, në lokalin e tij në Pllanë të Lezhës kur dy persona të maskuar e qëlluan me breshëri automatiku. 64-vjecari humbi jetën në vend. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se në atentat motën pjesë 4 persona të maskuar që lëviznin me fuoristradë "Porsche". Pas vrasjes u larguan përgjatë Urës së Matit nga ku humbën gjurmët. Pista kryesore ishte hakmarrja për të birin, por si shumë të tjera, dosja u mbulua nga pluhuri i kohës.

ENDE PAS TRE VITESH, FATI I ERVIS MARTINAJT MBETET MISTER

Në gusht 2025 u bënë 3 vjet që fati i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, bosi i lojërave të fatit, nuk dihet. Askush nuk e thotë dotë akoma nëse është gjallë apo i vdekur, përveç teorive të konspiracionit që qarkullojnë në biseda tavolinash. Kur policia dhe prokuroria akoma nuk janë të afta për të thënë çfarë u me rivalin e shumë njerëzve të tjerë të botës së krimit, familja kërkoi zyrtarisht shpelljen e tij të zhdukur.

Babai i tij, Mustafa Martinaj i kërkoi zyrtarisht Gjykatës së Lezhës shpalljen e zhdukur të të birit. Sipas ligjit, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon nga vendbanimi i tij dhe nuk ka pasur asnjë lajm për të për më shumë se dy vite. Nëse për Ervis Martinajn nuk do të ketë asnjë informacion në harkun e 4 viteve të tjera, plotësohet kufiri ligjor kur familjarët mund t’i drejtohen gjykatës për një tjetër hap, shpalljen e tij të vdekur. Por edhe pse mister për fatin e tij, autoritetet sërish vijuan në 2025-ën të zbardhin ngjarje të tjera kriminale të së shkuarës ku ai ka qenë pjesëmarrës.

Më 28 janar SPAK kërkoi konfiskimin e 35 pasurive të, disa prej të cilave edhe në emër të familjarëve, prindërve, motrave dhe bashkëshortes. Pasuritë, për momentin të sekuestruara kapin vlerën miliona euro.

Ngjarjet banale 2025

 Viti 2025 solli në vëmendje disa ngjarje krimi në familje, për arsye nga më të çuditshmet, siç edhe ato gërvishtje makinash, drita të gjata apo histori që e patën zanafillën në rrjetet sociale e që përfunduan me dhunë të tmerrshme e vrasje të miturish

Një sherr i nisur për një koment në rrjetet sociale, bëhet shkak për një konflikt të e rëndë në ish-kënetë të Durrësit. Mesditën e 25 nëntorit, Erion Boba, 15 vjeç, së bashku me një tjetër, shoqërojnë një shokun e tyre, për t’u ballafaquar me një bashkëmoshatar. Edhe pala tjetër shfaqet në takim po me tre vetë.

Nga sherri me sende të forta, kalohet shpejt në përdorimin e thikës. Boba qëllohet 2 herë në zemër. Për shumë ditë do të luftojë mes jetës dhe vdekjes në spital, por pa ia dalë. As viktima dhe as autori nuk kishin konflikt bashkë. Dy të miturit, të cilët mësonin në shkolla të ndryshme, u bashkuan në pikën e takimit për të ndihmuar në përballjen e dhunshme që përfundoi në krim, njëri shokun, e tjetri vëllain.

Dy ngjarje të tjera me të mitur tronditën edhe Shkodrën gjatë muajit dhjetor, në një hark të shkurtër kohor. Një sherr masiv ndodh mes disa adoleshentëve para derës së shkollës së Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka”. Shtatë të mitur përfundojnë nën hetim. Mes tyre dhe një 17-vjeçar që gjatë konfliktit nxori thikën dhe qëlloi kundërshtarët, të cilët fatmirësisht lëndohen lehtë.

Disa ditë më vonë, 2 grupe të tjera konfliktohen. Ngjarja ndodh pas mësimit. Dy grupet kishin rënë dakord për t’u takuar dhe sqaruar, por në fakt përfundojnë me sherr. Për fat të mirë nuk ka të lënduar, ndonëse dhe këtu u shfaq sërish një thikë.