Konsumi i alkoolit nga të rinjtë është kthyer në një problem, duke bërë që ministria e Shëndetësisë të shtojë kontrollet në subjektet pranë shkollave, të cilat nuk respektojnë ligjin për të mos i tregtuar pije alkoolike të rinjve nën moshën 18 vjeç. Genta Qirjako, specialiste në ISHP, shprehet se të dhënat dëshmojnë se 67% e të rinjve kanë konsumuar alkool, tendencë kjo që ka pësuar rritje.

"Statistikat tregojnë që 1 në 5 të rinj, djem kanë raportuar se janë dehur të paktën një herë në jetën e tyre, ka një tendencë në rritje të konsumimit të alkolit nga vajzat në 18-vjeç. Kjo është një situatë që duhet të merret në konsideratë dhe përderisa ka një ligj që mbron të miturit nga përdorimi i alkolit ka ardhur koha që ky ligj të zbatohet sa më efikase", thotë Qirjako.

Subjektet që nuk respektojnë ligjin do të ndëshkohen me gjobë nga 30 mijë deri në 200 mijë leke e deri në ndjekje penale.

"Inspektorët kanë për detyrë të gjobisinin çdo subjekt tregtar që tregton pije alkolike për të rinjtë nën moshën 18 vjeç me një vlerë që shkon nga 30 mijë leke tw reja deri në 200 mijë lekë të reja", thekson Qirjako.

Vetë të rinjtë e pranojnë që alkooli konsumohet masivisht mes tyre. Po cfarë i shtyn të ata drejt konsumit të pijeve alkoolike?

"Nga dëshira për të qenë njësoj si të tjerët dhe për të bërë gjëra që nuk mund ti bësh kur  ti je i veçuar me të tjerët. Kur ata shkojnë në gradën e fundit dhe janë të dehur veprimet e tyre janë të pakontrollueshme dhe nuk dinë çfarë flasin. Të gjithë ata që janë përdorues të rregullt të alkoolit ose jo të rregullt bëjnë shumë mungesa në mësime dhe kjo ndikon në rezultatet e tyre", shprehet maturanti.

Specialistët e Shëndetit Publik, vecc pasojave shëndetësore, e vënë theksin tek problemet sociale që sjell konsumi i alkoolit tek të rinjtë si: shtimi i dhunës, aksidenteve etj.

Er.K/Shqiptarja.com