Specializimet te mjekësia
konkursi si provimet e shtetit

Specializimet te mjekësia<br />konkursi si provimet e shtetit
TIRANE- Konkursi për pranimin e mjekëve të rinj, të cilët do të specializohen në degë të ndryshme, do të zhvillohet online ashtu sikurse sot zhvillohen provimet e shtetit. Ky është një nga kriteret e vendosura nga Universiteti i Mjekësisë sa i përket specializimeve të cilat do të rifillojnë këtë tetor, pas 3 vitesh mungesë.
 
Provimi
Në muajin tetor Universiteti i Mjekësisë do të hapë dyert për specializantët e rinj të mjekësisë, të cilët këtë vit do t’i nënshtrohen një tjetër procedure pranimi nga ato të aplikuara vite më parë. Ky fakt është bërë i ditur nga vetë Rektori i Universitetit, Ali Refatllari i cili ka pohuar se këto provime do të kryhen në rregulla dhe kushte shumë të forta në mënyrë që të shmanget korrupsioni. Sipas tij, provimet do të jenë online dhe transparenca e tyre do të jetë maksimale. “Me fillimin e sezonit të ri akademik 2014-2015 do të fillojnë specializimet te mjekësia.

Këtë vit kemi një rregullore të re, në të cilën ajo që është pikate dhe sa më transparentë me publikun, bërjen e konkursit në qendrën Kombëtare të Provimeve, siç edhe zhvillohen Provimet e Shtetit. Kjo do të rrisë shumë transparencën e studentëve, do të bëjë të pamundur ndërhyrjet që prezupozohen nga shumë studentë apo nga familjarët e tyre”, ka deklaruar Refatllari. Sipas tij, aktualisht universiteti është në fazën përgatitore, kur i është kërkuar departamenteve dhe shërbimeve përkatëse të bëjnë të ditur mundësitë pritëse për specializantë. Nga ana tjetër në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të vendoset numri i specializantëve, sipas shërbimeve.
 
Procedurat
Për kryerjen e këtyre provimeve do të zhvillohen një sërë procedurash të cilat do të jenë tejet të rregullta. Kjo parashikon që profesorët të cilët do të jenë hartues të tezave do të futen në ngujim, deri në momentin e daljes së rezultateve në mënyrë që të evitohet korrupsioni dhe abuzimi. “Shmangia e korrupsionit do të jetë edhe qëllimi i kryerjes së konkursit pranë kësaj qendre. Mendojmë që të krijojmë një komision me profesorë të nderuar, të cilët do të jenë të ngujuar deri sa të dalin rezultatet online”, ka theksuar Rektori i Universitetit të Mjekësisë.

Sipas tij, përveç provimit me shkrim, studentët do i nënshtrohen një tjetër interviste e cila do të mbajë vetëm 10 për qind të peshës së vlerësimit. “Pra, do të shpallen fituesit dhe ndoshta me një procedurë tjetër, ku mund të fusim me një 10 % intervistën, studentët do të zgjedhin shërbimet dhe specialitetet që kanë”, ka nënvizuar Refatllari. Sipas tij, sa i përket kritereve të tjera për studentët e rretheve dhe kontratave të tyre do të jetë Ministria e Shëndetësisë ajo që do t’i përcaktojë.  

Shkrimi u publikua sot 25 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024