Goli i vonshëm i Vedat Muriqit i ka dhënë fitoren Kosovës në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Ligën e Kombeve. Edhe pse dominuan nga fillimi në fund, ‘dardanët’ ia dolën vetëm në minutën e 83 kundër Irlandës. Vedat Muriqi dërgoi në portë topin pas një këmbëngulje të gjatë në zonë, duke vulosur rezulatin 1-0.

Pas golit Muriqi festoi me një fanellë të dedikuar ku shkruhej ‘jo në emrin tim’, referuar gjykatës në Hagë që vendosi të dënojë ish-krerët e UÇK-së.

Në fund ato që vlejnë janë 3 pikët që e rendisin në vendin e parë në grupin 3 të Ligës B Kosovën, bashkë me Austrinë që fitoi 3-1 kundër Izraelit. Pikërisht ndeshja e ardshme e Kosovës do të jetë në transfertë kundër Austrisë me 27 shtator.

Për t’u theksuar që në mbrëmjen e sotme Irlanda pati në dispozicion futbollistin Rocco Vata, djalin e ish-kapitenit të Shqipërisë Rudi Vata, i cili nuk mori asnjë minutë në Prishtinë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:00
'Fitorja për ish-krerët e UÇK-së', Muriqi dedikim pas triumit me Irlandën! 17-vjeçari i Bayern: Debutimi me Kosovën ëndërr e bërë realitet

Kapiteni Vedat Muriqi shënoi golin e fitores 1-0 që Kosova mori në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Ligën e Kombeve kundër Irlandës. Sulmuesi ia dedikoi 3 pikët ish-krerëve të UÇK-së që u dënuan në Hagë, ndërsa tha se ‘vetëm të bashkuar mund t’ia dalin’.

“Para ndeshjes i kam thënë ekipit, lojtarëve që ‘ne gjithmonë kemi patur sukses kur kemi luftuar për njëri-tjetrin’. Kjo vlen edhe për ata, çlirimtarë, krerët e UÇK-së. Këtë fitore specialisht ia dedikojmë çlirimtarëve tanë,”-u shpreh Vedat Muriqi, kapiten i Kosovës.

“Kemi luajtur shumë mirë. Plani ka qenë të zhvillonim në fushë mënyrën e lojës tonë dhe të krijojmë shumë raste. Në fund ia dolëm 1-0, por edhe kjo është shumë mirë,”-tha Mërgim Vojvoda, futbollist i Kosovës.

Me Kosovën kundër Irlandës debutoi mesfushori 17-vjeçar Erblin Osmani, i cili është pjesë e Bayern Munich dhe që më herët ka qenë pjesë e moshave të Gjermanisë.

“Jam shumë i lumtur që debutova sonte me Kosovën. Një ëndërr e bërë realitet sepse kam dashur gjithmonë të luajë për Kosovën. Lojën e parë e fituam dhe shpresoj të vazhdojmë kështu,”-deklaroi Erblin Osmani, futbollist i Kosovës.