'Spicat' e Berishës dhe Kurtit, sfidë ndaj SHBA apo shërbim i paguar?!

'Spicat' e Berishës dhe Kurtit, sfidë ndaj SHBA apo shërbim i paguar?!

Sali Berisha dhe Albin Kurti

Ka një përpjekje të fortë për të krijuar përplasje e konflikte në të gjitha zonat e mundshme ku ka sensibilitet e përplasje etnitetesh, tentativa për krjim etnitetesh e enklavash apo përplasje politike. Dhe si gjithnjë gjenden pikërisht ato zona, treva apo fshatra ku faktori shqiptar ka qënë më qendrestari ndër shekuj, dhe ku patriotizmi i kulluar ka qënë si udhërrëfyes në të gjitha kohërat për të gjithë kombin shqiptar. Që të mos shpërndahemi shumë, janë dy aktorë politikë shqiptarë që kërkojnë të relativizohen politikisht dhe ndërkombëtarisht pikërisht përmes krijimit të vatrave të tensionit dhe të konfliktit në territoret ku jetojnë shqiptarë.

Duke ua prishur ndjeshëm shqiptarëve koordinatat orientuese drejt bashkëjetesës me bashkësitë e tjera etnike, apo me ato bashkësi që mendojnë dhe mundohen ta promovojnë fort se i përkasin një etnie tjetër, pavarësisht se emri, prejardhja dhe gjithçka tjetër që rrjedh nëpër damarët e tyre i tradhëton parreshtur. Sepse janë shqiptarë ‘vendi’ në origjinë.

Dhe këta dy aktorë s’janë figura politike dokudo, por njëri është ish kryeministri, ish presidenti dhe njeriu që ka qënë në kupolën politike në Shqipëri për 33 vite me radhë dhe nuk shkulet as sot që është në pleqërinë e thellë, Sali Berisha, ndërsa tjetri është kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.

Dhe nuk e kanë për herë të parë këtë që po bëjnë sot e gjithë ditën, duke u përpjekur, herë herë jo pa rezultat, që nën ‘petkun’ e nacionalizmit, të tentojnë të nxisin tensione ndëretnike apo deri dhe ndërshtetërore, thjeshtë dhe vetëm për të treguar se janë gjallë dhe kanë në dorë diçka.

Në Shqipëri, ‘gozhda e Nastradinit’ e ngulur në territorin shqiptar të banuar nga shqiptarë por dhe minoritarë grekë, kryesisht në Dropull, është Fredi Bejleri. E cilësova Be(j)leri sepse deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, njerëzit e këtij Fredit e kanë pasur për nder mbiemrin që mbanin, pasi iu kujtonte se dikur kanë qënë bejlerë në Labëri.

Si lebër të kulluar 100 përqind që janë. Nga gjaku themi, pasi truri shkon dhe vjen, gjaku nuk ndërrohet dot. Madje në rastin e Fredit, mund të bjerë dhe “j” e fortë që i kishte dhënë forcë mbiemrit të tij në dekada, për t’u bërë “Beleri”, ndoshta dhe për t’i shtuar ndonjë emërtesë greke në mes apo para tij, për të bindur nacionalistët grekë se është i konvertuar tamam.

Beleri njihej kush ishte, sa e kishte ‘metrin’. Ai akuzohej se kishte marrë pjesë me armë në dorë në masakrën e Peshkëpisë ku u vranë kufitarët shqiptarë, u përgatit dosja e tij për ta gjykuar, por çuditërisht kjo dosje ka humbur tashmë.

Beleri njihet, pasi në të gjitha kandidimet për kryetar i bashkisë së Himarës, s’ka asnjë lidhje me Himarën në fakt, ka shpalosur një sllogan: Helenizimin e Himarës dhe të jugut të vendit. Ky është misioni i tij. Sidomos pasi përfundonte shitjen e peshkut në pazar.

Dhe meqë njihej Bejleri se kush ishte, madje nuk është lënë akuzë pa u deklaruar kundër tij nga ata që e mbështesin fort sot, pse ‘patrioti’ i madh Sali Berisha e kandidoi për kryetar bashkie të Himarës në zgjedhjet e 14 majit. Fitoi si fitoi, tashmë është në burg për një grusht vota të blera. Kjo është akuza e organeve ligjzbatuese, të cilat e kapën në flagrancë disa ditë para zgjedhjeve me ‘lekë në dorë’.

Sali Berisha është person ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe. Trajtohet si i tillë dhe nga vendet anëtare të BE, edhe nga vendet e rajonit. Madje as në Kosovë nuk e ftojnë për vizitë. Nuk i përmend askush emrin, kur duan ta paralajmërojnë, partnerët tanë ndërkombëtarë flasin për të se është e shkuara e këtij vendi, njeriu i korruptuar. Se për hir të së vërtetës për vjedhje të parave të shtetit, minim të demokracisë e shantazhim të drejtësisë është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Britania e tejkaloi këtë ‘format’, duke evidentuar dhe lidhjen me elementët kriminalë etj.

Atëherë çfarë e detyroi Berishën që të kandidonte pikërisht Bejlerin në Himarë, ta mbështeste fort, madje dhe në qelitë e burgut ku gjendet për korrupsion zgjedhor?

Nuk kishte asnjë kandidat tjetër për të hedhur në garën e 14 majit në këtë bashki, ku grupe të caktuara në përpjekje për t’u treguar më grekë se grekët, pavarësisht se janë shqiptarë 100%, kanë krijuar shumë herë konflikte artificiale. Bollano ka qënë i pari, Bejleri i dyti. Të dy labë në prejardhje dhe të pashkollë në formim, që iu është mbushur mendja se luajnë politikë të madhe?!

Sali Berisha e ka kalkuluar deri në detaje ‘kryeveprën’ e tij për të futur shqiptarët në sherr me fqinjët jugorë. E dinte fort mirë se Bejleri nuk fiton, e dinte fort mirë se do blinte vota, sikurse është bërë gjithnjë aty, e dinte fort mirë se Greqia që kishte dhe ajo zgjedhjet e përgjithshme në atë kohë, do të reagonte. Thjeshtë për të marrë dhe ato pak vota nacionaliste, sipas përkatësisë partiake. I duhej një “Agim i Artë” në ‘mërgim’ politikës greke, pasi ajo në Greqi është jashtë ligjit, dhe këtë mundësi ua dha Berisha me Bejlerin që e kandidoi në Himarë.

Gjithë qëllimi i Berishës ka qënë dhe është krijimi i konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke. Athina zyrtare në fakt ka tejkaluar të gjitha ‘pritshmëritë’, duke arritur deri aty sa t’i bëjë presion drejtësisë shqiptare që ta lirojë menjëherë Bejlerin. Pikërisht asaj drejtësie, për të cilën ka votuar dhe Greqia në BE, kërkon llogari dhe Greqia në BE kur të kalojnë kapitujt e drejtësisë, ku pavarësia nga politika është kusht për integrimin e Shqipërisë në Europë.

Parimi ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’ është standardi i dyfishtë që përdor politika greke karshi Shqipërisë. Nëse ‘nuk lirohet nga burgu urgjent Bejleri, do bllokohet integrimi në BE”, kërcënon Greqia në mënyrë anormale dhe të pakonceptueshme, dhe sa të fillojnë diskutimet për kapitujt e drejtësisë në Bruksel, po Greqia është ajo që do kërkojë “pavarësi të drejtësisë nga politike’. Që është normale, pasi të gjitha vendet e BE kanë hedhur para, kush më shumë e kush më pak për këtë drejtësi të re që kemi, për reformën në drejtësi. Që po heton e do gjykojë dhe Bejlerin.

Berisha kërkon të sfidojë SHBA-në, Britaninë dhe BE-në si plan të parë, për t’u treguar se është faktor në Shqipëri që duhet të merret në konsideratë, pasi mund të shkaktojë dhe tensione mes fqinjësh, jo më mes krahinash dhe grupesh të caktuara politike e shoqërore në Shqipëri. Ndoshta dhe është paguar për të krijuar këtë përplasje artificiale mes një vendi anëtar të BE dhe një vendi aspirant për në BE. Ka dhënë prova Berisha se merr para, madje ka marrë gjysmë milioni dollarë nga Rusia, për të destabilizuar vendin dhe rajonin. Moska, e gjendur përballë ofensivës ukrainase ka nevojë më shumë se kurrë për një ‘dorë’ nga të paguarit prej saj. Sa për të marrë frymë sëpaku.

Ndonëse nuk ka konflikt esencial, madje duket sikur qeveria greke, i lëshon deklaratat për Bejlerin në inercinë e zgjedhjeve parlamentare që sapo kaloi, apo thjeshtë sa kanë ‘mbetur brenda’ me të dhe s’kanë si tërhiqen menjëherë. Pasi në fund drejtësia do të vendosë. Për këtë janë të bindur dhe në Athinë. Pasi të ishte se vendoste Rama, pra nëse do komandonte ai drejtësinë, nuk do kishim ministra dhe kryetarë bashkish të PS në burg apo nën akuzë.

Drejtësia e re për hir të së vërtetës sytë i ka nga SHBA, Britania e BE, dhe as e pyet Ramën për rastin “Bejleri”, as për ish zyrtarët socialistë që janë në burg. Dhe me sa duket nuk do pyesë as për Ramën dhe as për fqinjin jugor, pasi deri më tani s’kemi asnjë deklaratë të SHBA, Britanisë apo BE që dënon arrestimin e Belerit. Përkundrazi, kanë thënë se ligji është njëlloj për të gjithë. Dhe drejtësia këtë po bën. “Ngec” vetëm tek Berisha, atë se prek, të kuptohemi. E kanë ‘tabu’.

Faktori i dytë që po u rropanis kokën shqiptarëve në hapësirën mbarë shqiptare është kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Dhe ky një ‘non grata’ i pashpallur nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Takohet në nivele të treta apo katërta, vetëm sepse Kosova është shtet i krijuar nga SHBA, BE dhe Britania, kanë harxhuar miliarda dollarë për ta ngritur dhe mbajtur në këmbë si shtet. Albin Kurti takohet thjeshtë si ‘kryemagazinier’ i shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Asgjë më tepër.

Ky ‘kostum’ duket se po e shtrëngon shumë Albinin, i cili pasi e katandisi Kosovën nën sanksionet e BE, izoloi shtetin e krijuar nga vetë partnerët tanë ndërkombëtarë me të cilët hyri në konflikt të thellë, pasi e humbi veriun që e kaloi nën administrimin total të KFOR, hodhi sytë në drejtim të Maqedonisë së Veriut, shtet në të cilin që nga marrëveshja e vitit 2001, ishte shënuar një paqe të qëndrueshme. Kishte arritur sukses në futjen e shqipes si gjuhë zyrtare, ndarjen e pushtetit, duke arritur deri kryetar parlamenti e ministër mbrojtje me shqiptarë, pa përmendur këtu zv.kryeministrat e ministrat e tjerë. Pra është rritur niveli i bashkëpunimit ndëretnik.

Nuk mund të shpjegohet ndryshe vizita e Kurtit në Shkup dhe Tetovë, i ftuar nga dy kryetarë komunash, njëri i Çairit dhe tjetri i Tetovës, duke ndryshuar emrin e një rruge dhe emërtuar me atë të mikut të tij Adem Demaçi, apo duke u dhënë zë akuzave të serbëve dhe nacionalistëve të rajonit për “Shqipërinë e Madhe”, me ato flamujt që u valëvitën në këto tubime pa leje. Solli dhe reagimin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, opozitës së këtij vendi. Pikërisht Shkupit që ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Nuk po analizojmë reagimin e Vuçiç sepse akuzat e ndërsjella të tij me Kurtin janë me leje të dyanshme.

Çfarë kërkoi në RMV Kurti, një kryeministër i ftuar nga një kryetar komune në Shkup dhe një komune me shqiptarë në Tetovë, përveçse hapjen e një vatre tensioni ndëretnik në këtë shtet, tension i cili ishte fikur me kohë dhe me vakt? E dënuan dhe partitë shqiptare, përpos atyre që financohen nga e njëjta ‘depo thesari’. Por tensionoi dhe marrëdhëniet Prishtinë-Shkup.

Dhe Kurti si miku i tij në Tiranë, Berisha tenton të sfidojë SHBA-në, Britaninë dhe BE-në për t’u treguar se mund të hedhë Ballkanin në flakë. Aq më tepër që po tenton në një vend si Maqedonia e Veriut ku ekuilibrat janë shumë të brishta. E ku interesat ruse, ashtu sikurse në tërë rajonin e Ballkanit, janë të përqëndruara më shumë se kurrë. Çfarë “Shqipërie të Madhe” kërkon Kurti, i cili vetë shtetin amë, pra Shqipërinë, e ka shpallur armike. Si mund ta krijojë nga Kosova, pa Shqipërinë, Shqipërinë e Madhe? Vetëm Albin Kurti mund ta shpjegojë këtë.

Nuk mund të themi se Kurti është paguar për krjimin e tensioneve në Veriun e Kosovës apo Maqedoninë e Veriut, pasi në Shqipëri ka zero mbështetje dhe nuk del njeri në rrugë për të. Themi për faktorin rus, pasi me serbët dhe Vuçiçin janë marrë vesh deri më tani mirë, si për të bërë ekonomi personale, ashtu dhe për të mbajtur tensionin të lartë në Veri për një grusht vota.

Një pasqyrë më të qartë mund të kemi pasi të merret vesh çfarë ka dëshmuar Kurti në gjyqin e ish gardianit serb, i cili e ka kërkuar si dëshmitar. Nëse do të shkojë Kurti. Por deklarata e ish gardianit serb që ka masakruar shqiptarët të mbetet në mendje. Sepse thotë se i kishte bërë shoqëri Kurtit në burgjet serbe, i kishte dërguar libra për të lexuar në burg, kishin shkëmbyer libra, mendime etj. Ndoshta kanë shkëmbyer dhe informacione, pasi serbët e këtij kallëpi nuk kanë pasur dhe as kanë as sot ndonjë dhembshuri për shqiptarët.

Janë shumë shqiptarë të zhdukur në burgjet serbe që nuk u dihet varri, të tjerëve u janë kthyer eshtrat më vonë dhe janë identifikuar me analizën e ADN. Shokë burgu të Kurtit, i cili lexonte dhe mbahej me gajret nga ky ish gardiani serb, që e ka thirrur si dëshmitar. Të presim çfarë do thuhet në këtë gjyq, si shkoi si nuk shkoi Albini për të dëshmuar, se pse e kanë trajtuar mirë në burg kryeministrin aktual të Kosovës.

Ai që mbetet është fakti se “spicat” për të krijuar konflikte artificiale në hapësirën mbarë shqiptare po futen nga Berisha në shtetin amë dhe Kurti në Kosovë. Duke krijuar ndoshta idenë e rreme se janë shqiptarët e keqja e Ballkanit, por duke e veshur me nota patriotike. Dhe patriotizmi i tillë vërtetë ka siguruar vota më shumë për këtë sol politikanësh, por ka sjellë vetëm humbje për shqiptarët. Kudo që kanë qënë dhe janë. Kaq e kemi takatin, nuk bëjmë hajr në këtë drejtim.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë