Spiro Koleka, Një jetë në
shërbim të Shqipërisë

Spiro Koleka, Një jetë në<br />shërbim të Shqipërisë
Monografia e re e prof. Bardhosh Gaçes i kushtohet Spiro Jorgo Kolekës, njërit prej bijve të shquar të fisit të Kolekajve. Një fis patriotësh dhe intelektualësh, që bëri emër të nderuar në historinë e Shqipërisë gjatë Rilindjes Kombëtare dhe viteve të rimëkëmbjes së shtetit shqiptar. Ai ishte i biri i Jorgo Kolekës, intelektual me arsim të lartë, që ia kushtoi jetën kauzës së çlirimit të atdheut dhe me këtë frymë rriti dhe edukoi fëmijët e tij, nga të cilët u dallua veçanërisht Spiroja.

Duke ndjekur rrugën e t’atit, ai që i ri mori pagëzimin atdhetar si luftëtar dhe propagandist i përkushtuar e sypatrembur, por në të njëjtën kohë ndoqi dhe studimet e larta në Universitetin e Vjenës dhe u diplomua inxhinier ndërtimi. Në fakt, intelektuali i ri, në kushtet e pushtimit osman, para detyrave të inxhinierit, vuri detyrat e luftës për çlirimin e atdheut. Në shembullin e t’atit, një nga aktivistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Spiroja i ri do të aktivizohej në lëvizjen patriotike, duke marrë pjesë në kuvende burrash dhe duke u shquar si një veprimtar militant në trevat e Himarës , të Labërisë e të Vlorës.   

     Spiro Koleka, duke marrë stafetën e t’atit, do t’i kushtohet fillimisht punës së palodhur për përhapjen e shkrimit shqip, krahas patriotëve J. Minga, A. Mezini, Y. Rradhima, Hamza Isai, Ibrahim Abdullai, Kristo Karbunara, Hamit Lumi etj. Në ngjarjet që erdhën me valët e reja të luftës, ai do të bëhet një nga nxënësit besnikë të Ismail Qemalit. Kthimi i udhëheqësit në atdhe dhe takimet me të do jenë për patriotin e ri mësime të paçmuara atdhetarie.

Ai do të bëhet një nga drejtuesit e “Lidhjes Kombiare për përhapjen e gjuhës shqipe” dhe fryt i këtyre përpjekjeve do të jetë dhe hapja e shkollës së parë shqipe në Vlorë. Që në këtë kohë, ai do të manifestojë publikisht dhuntitë e tij, oratorinë dhe aftësitë publicistike.

 Fjala e tij e folur dhe e shkruar do ta bëjë emrin e Spiro Kolekës të njohur në trevat shqiptare, por edhe në diasporë. Artikujt e tij luftarakë dhe cilësorë do të botohen me pseudonimin “Bregdetasi”, veçanërisht në shtypin e diasporës nga një kontinent në tjetrin, nëpër gazetat e Rumanisë, të Misirit e deri në Boston të Amerikës. Fjala e tij e mençur dhe e guximshme do të shpërndante mesazhe atdhedashurie dhe besimi për të ardhmen e Shqipërisë së lirë.

Spiro Koleka është një nga frymëzuesit dhe krerët e klubit “Labëria” të Vlorës, që punuan për përhapjen e librit shqip dhe zgjerimin e shkollës shqipe. Këtij qëllimi do t’i shërbente udhëtimi i tij në Manastir dhe në Rumani prej nga solli libra shqip dhe përvojë arsimore.

Por atdheu nuk mund të çlirohej vetëm me shkolla, por edhe me veprime dhe organizime ushtarake. Këtij qëllimi i shërbyen organizatat luftarake siç qenë “Komiteti i fshehtë” dhe “Shoqëria e fshehtë për shpëtim” ku S. Koleka do të jepte kontributin e tij të çmuar. Ai vihet në krye të veprimtarisë atdhetare për ruajtjen dhe mbrojtjen e Himarës, si një trevë e vatër e shqiptarizmës. Në këtë luftë ai do të përballej si me pushtuesit turq ashtu dhe me shovinistët grekë në kushte të vështira.

Në vitet 1911-1912, gjatë kryengritjeve mbarëshqiptare, S. Koleka zhvilloi një veprimtari luftarake-propagandistike. Ai qe një nga drejtuesit e qendrës së Kryengritjes së Përgjithshme, që u ngrit në Korfuz. Ndërkohë, ai do t’u kundërvihej qëndrimeve oportuniste e konformiste si dhe flirteve pro turke të Eqrem bej Vlorës.

Shpallja e Pavarësisë në nëntor 1912 Spiro Kolekën do ta gjejë në radhët e para të patriotëve vlonjatë në mbështetje të Qeverisë së Ismail Qemalit. Ai do të shërbejë në detyra të ndryshme në administratën e re deri dhe këshilltar i kryeministrit. Më pas, ky militant i palodhur do të tregonte besnikërinë dhe devotshmërinë ndaj Ismail Qemalit dhe kauzës shqiptare në akte dhe në ngjarje të rëndësishme.

Shpejt do të vinin kohë të trazuara, por ato nuk do ta lëkundnin qëndrimin e vendosur dhe konsekuent të Kolekës. Ai do t’i kundërvihej Esat Toptanit, por do të tregohej syçelët ndaj presioneve të Komisionit Ndërkombëtar që donin ta paralizonin veprimtarinë e qeverisë së Vlorës.

Ngjarjet që sollën në krye të Shqipërisë Princ Vidin, do ta gjenin Kolekën përsëri në pozita gjithnjë patriotike. Në këtë kohë ai do të drejtonte portin dhe doganën e Vlorës. Ndërkaq Koleka do të qëndronte syhapur edhe ndaj përpjekjeve antishqiptare të shovinistëve grekë, duke demaskuar Protokollin famëkeq të Korfuzit. Koleka, tani një politikan me përvojë, nuk kishte besim te qeverisja anemike e Princ Vidit dhe këtë e shpreh qartë në artikullin “Rreziku, detyra, shpresa”.

Shqipëria në Luftën e Parë Botërore u gjend para rreziqeve jetike, të cilat Spiro Koleka do t’i përjetonte rëndë, por pa e humbur besimin në fatin e Atdheut. Fatkeqësitë do të vijonin me kryengritjen e Haxhi Qamilit, me vdekjen enigmatike të Ismail Qemalit e, më pas, me kërcënimet e copëtimit që i vinin Shqipërisë nga armiqtë e saj në Konferencën e Paqes së Parisit. Kronika e veprimtarisë politike të Kolekës në këtë kohë është sa e pasur dhe aq e admirueshme.

Dukej sikur fati i Shqipërisë ishte i pa shpresë, por tamam në këtë kohë mblidhet Kongresi Kombëtar i Lushnjës për t’iu kundërvënë rreziqeve të mëdha antishqiptare. Spiro Koleka me patriotët e Vlorës prej disa muajsh kishin krijuar Komitetin e fshehtë të Vlorës për mbrojtjen e saj nga synimet aneksuese të imperializmit italian, si dhe nga politikat kapitulluese të qeverisë së Durrësit.

Në hapjen e Kongresit të Lushnjës përfaqësuesit e Vlorës ishin në radhët e para, ku shquhej figura e nderuar e Spiro Kolekës. Ata dhanë kontributin e tyre në debatin e madh që u zhvillua për disa ditë me radhë. Në përfundim të punimeve u zgjodh Këshilli Kombëtar me atributet e Senatit, ku mes tyre figuronte dhe emri i Spiro Jorgo Kolekës.

Veprimtaria patriotike e djalit të Jorgo Kolekës nuk kishte të sosur. Ai do të ishte ngaherë atje ku ndizeshin zjarret e luftës për mbrojtjen e atdheut. Në verën e vitit 1920 shpërtheu Lufta e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Në këtë ngjarje historike emri i Kolekës do të merrte një shkëlqim të ri. Ditët e netët e tij në këtë kohë janë një kronikë e gjallë që zbulojnë në një shkallë akoma më të lartë patriotizmin e flaktë, urtësinë dhe mençurinë, trimërinë dhe largpamësinë e Spiro Kolekës.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i Vlorës në strategjinë dhe në planet e tij politiko-luftarake do të mbështetej dhe në mendimet e senatorit Spiro Koleka. Ka mbetur i paharruar në analet e historisë fjalimi i tij, që mban para luftëtarëve, të cilët përgatiteshin për betejat e ardhshme dhe që iu përgjigjën me thirrjen “O Shqipëri, o gur e hi !”

Në situatat që erdhën më pas, roli i Kolekës u rrit. Ai do të ishte ndërlidhës në mes qeverisë së Tiranës dhe kryengritësve. Për këtë arsye qeveria e emëroi Kolekën ministër Fuqiplotë për të koordinuar lidhjet në mes Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe krahinave të vendit.

Gjatë zhvillimit të ngjarjeve Koleka do të jetë një nga figurat kyçe të veprimeve politike dhe diplomatike. Ai do të jetë dëshmitar i betejave heroike të bashkatdhetarëve të tij kundër pushtuesve deri në orën kur armiqtë dorëzuan armët dhe u nënshkrua Protokolli i Tiranës. Pas çlirimit të Vlorës, ministri Fuqiplotë, Spiro Koleka i drejtoi luftëtarëve dhe popullit një shpallje përgëzimi dhe lavdërimi, krenarie dhe mirënjohje, që përfundonte me thirrjet: “Rroftë Shqipëria!” “Rroftë Fuqia Kombëtare!”

Pas Luftës së Vlorës, kur qeveria shqiptare u gjend para shumë problemeve politike me shtetin italian, Spiro Koleka kreu me sukses një varg detyrash diplomatike. Maturia dhe mendimi i tij i mençur, përvoja e deri atëhershme, të frymëzuara nga ndjenja të fuqishme patriotike, e bënë të zgjidhen probleme të vështira e delikate politike.

Tani Spiro Koleka ishte bërë një figurë politike kombëtare, ndaj ai u zgjodh kandidat për deputet në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921, ku fitoi bindshëm. Në parlament, Koleka u radhit me Partinë Popullore krahas Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Stavro Vinjaut, Bahri Omarit etj., që ishin për zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare.
Spiro Koleka edhe në kushtet e reja do të ishte aktiv dhe do të kryente misione të rëndësishme.

Kështu, ai tok me F. Nolin dhe T. Curanin do të dërgoheshin në Romë për të zgjidhur disa probleme ekonomike. Atje ai do të njihej dhe do të miqësohej me deputetin francez, Zhusten Godard, i cili më vonë do të vinte në Shqipëri dhe do të mbështeste shtetin shqiptar në Romë dhe në Evropë. Më pas, kur qarqet shoviniste greke bënin intriga dhe presion për aneksimin e krahinës së Himarës, Koleka u ngarkua nga qeveria si delegat fuqiplotë për zgjidhjen e çështjes se Himarës në interes të shtetit shqiptar dhe të himariotëve. Falë këtyre përpjekjeve u vendos përfundimisht administrata shqiptare në Himarë.

Gjatë krizës politike në vjeshtën e vitit 1922, Spiro Koleka u emërua ministër i Botores në kabinetin e Xh. Ypit, në një kohë që Noli ishte ministër i Jashtëm. Duke qenë inxhinier ndërtimi dhe me një formim intelektual serioz, ai në këtë post kreu me nivel cilësor shumë projekte që synonin për përparimin e vendit të prapambetur.

Ai u tregua një drejtues energjik, kompetent dhe i ndershëm. Koleka iu dha drejtim e zgjidhje të drejtë shumë problemeve të jetës shqiptare dhe të marrëveshjeve me shtetet e huaja, si për çështjen e vajgurit, tharjen e kënetave të Myzeqesë, të zbulimeve arkeologjike, të infrastrukturës së rrugëve, të zgjedhjes së gjeologëve të shquar që zgjidhën çështjen e minierave shqiptare etj. Ai, së bashku me Nolin, punoi për krijimin e Bankës Kombëtare Shqiptare.

Për vlerat që kish treguar Spiro Koleka, pas rrëzimit të qeverisë së Xh. Ypit, ai u zgjodh rishtas ministër i Botores në qeverinë e re të krijuar nga Ahmet Zogu. Në këtë moment , ai iu përkushtua dhe zgjidhi një varg problemesh, si çështjen e kontratave të koncesioneve të huaja, raportet me Lidhjen e Kombeve që të ndihmonin ekonomikisht dhe organizativisht shtetin e ri shqiptar.

Kur në gjirin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Zogu ndodhën konflikte e kontradikta serioze, Koleka do të merrte krahun e duhur dhe do të përballej me kundërshtarë, që e bënë atë të tërhiqet nga kabineti dhe të emërohet prefekti i Korçës, ku ai zbatoi projekte me rëndësi dhe la emër shumë të mirë në popullin e Korçës.

Në janar të vitit 1924, në zgjedhjet e reja Spiro Koleka u zgjodh rishtazi deputet në parlamentin shqiptar, i mbështetur nga patriotët, si Jani Minga e Halim Xhelo. Në muajt e parë të këtij viti jeta politike ishte shumë e trazuar. Koleka do t’i ndjente synimet antikombëtare për një pushtet diktatorial të Zogut.

Ai do t’i ndiqte me gjakftohtësi ngjarjet që po çonin në ndryshime politike të rrezikshme, ndonëse do ta përjetonte keq vdekjen e A. Rustemit. Ai u bashkua me deputetët e opozitës dhe do të dënonte djallëzitë e Zogut në dëm të shoqërisë shqiptare.

Me triumfin e Revolucionit të qershorit Koleka e përkrahu programin e qeverisë së Fan S. Nolit dhe masat që mori për një rend ligjor.

Por, nga ana tjetër, ai kishte kritika dhe rezerva në adresë të qeverisë për mosmbajtjen e premtimeve dhe për ngadalësinë e saj në veprime. Dështimi i Revolucionit në dhjetor 1924 e dëshpëroi patriotin demokrat dhe e bëri të largohet nga atdheut e të mërgojë në Itali me shumë shokë e bashkëpunëtorë. Kështu do të nisë një periudhë shumëvjeçare mërgimi në jetën e Spiro Kolekës.

Në këto kushte, ai përsëri nuk do të largohet nga jeta politike, por nuk do të bashkohet me Fan Nolin. Rrugët e tyre tashmë ishin ndarë. Spiro Koleka radhitet më forcat e djathta, që u renditën në organizatën Bashkimi Kombëtar. Koleka do të ishte një nga udhëheqësit e saj dhe do të mbronte me vendosmëri pikëpamjet e veta për një Shqipëri të lirë dhe demokratike përmes publicistikës së tij dhe aktivizimit në aksionet politike që Bashkimi Kombëtar zhvillonte në mërgim. Ai nuk e mbështet Fan Nolin me gjithë thirrjet e tij për të bashkëpunuar, por as Mustafa Krujën që bën punën e fashizmit.

Koleka dënon traktatet skllavëruese që lidhi Italia fashiste me Tiranën zyrtare dhe mbron interesat kombëtare të Shqipërisë me argumente historike dhe politike. Ai bëri pyetjen: “Një Shqipëri nën një satrap tradhtar si mund të thuhet se është e pavarur dhe sovrane?”

Miqësia mes Fan Nolit dhe Spiro Kolekës, me gjithë kontradiktat që kishin, nuk do të prishet, por kjo nuk do të pengojë polemikat politike që zhvillohen në mes tyre. Ata do të ruajnë respektin ndaj njëri-tjetrit dhe do t’i mbajë të bashkuar dashuria dhe sakrifica për Shqipërinë dhe popullin e tyre. Patrioti demokrat nuk është kurrsesi që “Shqipëria të jetë një Turqi e vogël në Evropë”, por për “Një Shqipëri evropiane mbështetur në baza morale të forta”.

Spiro Koleka e përballoi me burrëri mërgimin, duke i qëndruar besnik idealit kombëtar dhe bindjeve të veta demokratike. Vitet e fundit, ai do t’i kalonte në ishullin e Korfuzit për t’u gjendur sa më afër tokës mëmë, pa të cilën nuk e mendonte jetën e tij dhe kuptimin e eksperiencës njerëzore.

 Më në fund, një ditë janari të vitit 1940, patrioti demokrat Spiro Koleka, i lodhur dhe i sëmurë do të kthehej në atdhe. Një zemër e mbushur me aq dashuri për Shqipërinë, nuk mund ta duronte gjëmën që i kish rënë atdheut të robëruar

Kështu, vetëm pas disa muajsh, më 27 nëntor 1940, ai mbylli sytë dhe u varros në tokën amtare, i çmuar dhe i respektuar nga shokët e të afërmit, duke lënë një emër të nderuar e të paharruar në historinë moderne të Shqipërisë.

Emri dhe vepra plot vlera e Spiro Kolekës, prisnin prej vitesh të studioheshin ashtu siç e meritonte. Sado i përmendur në historiografinë tonë, ai meritonte një monografi gjithëpërfshirëse, të cilën e mori përsipër dhe e kreu me sukses historiani, prof. Bardhosh Gaçe.

Njohës i thellë i historisë së trevave të Jugut e, veçanërisht, i atyre të Labërisë e të Vlorës, autor i një vargu monografish të figurave të tjera më përfaqësuese, falë aftësive profesionale, gjurmimeve nëpër arkiva, vjeljes së kujtimeve e, mbi të gjitha, përkushtimit atdhetar dhe seriozitetit shkencor, Bardhoshi arriti të na japë një vepër të denjë për një figurë që la gjurmë të thella në rrugën e mundimshme për lirinë e Shqipërisë dhe përparimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare.

Monografia “Spiro Jorgo Koleka” nderon autorin për kontributin me vlerë që sjell në fushën e historiografisë sonë, nderon trashëgimtarët e tij, fisin e Kolekajve, si dhe vendlindjen dhe gjithë trevën e Bregdetit që s’ka si të mos krenohet me një figurë që nuk i takon vetëm Himarës, por mbarë Shqipërisë.
SPIRO KOLEKA

























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë