Ne pranga edhe tre ish-punonjes te Kseres, mes tyre dy gra
Bashkë me Kserën në pranga kanë rënë edhe tre ish-zyrtarë të ministrisë që ai ka drejtuar, mes tyre dy gra. Artevis Mene 27 vjeç, ish-punonjës në ministrinë e Kserës, u arrestua mbrëmjen e së premtes në fshatin Gorcanci ku ai jeton, pranë Derviçanit. E arrestuar është edhe 31-vjeçarja Elda Kozaj nga Fieri dhe banim në Tiranë ish-punonjëse në ministrinë e Punës. Ndërsa ekonomistja e shoqërisë "Shpresa", Pranvera Lile 58 vjeç nga Gjirokastra dhe banim në Tiranë, akuzohet për falsifikim të dokumenteve.
Sipas Policisë janë lëshuar edhe 3 urdhër arreste të tjera, për personat Alban Karabashi si dhe personat me inicialet A.J, D.F, të cilët Prokuroria e Tiranës i akuzon për shpërdorim detyre.
Urdhër ndalimi ka edhe për ish- shefin e kabinetit të Kserës, Kleves Bitron, i cili aktualisht ndodhet në burg, ku vuan një dënim tjetër për shpërdorim detyre.
Avokati i Kserës, Genc Gjokutaj gjatë një komunikimi jashtë kamerave, pohoi se arrestimi ishte i paligjshëm dhe se klienti i tij që nga nisja e hetimit nuk ishte pyetur asnjëherë.
Video/ Shoqerimi i Kseres ne drejtorine e Policise se Tiranes
Ky është momenti i shoqërimit të Spiro Kserës në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ai është transportuar me furgon policie nga Gjirokastra ku u arrestua. Në pamjet e sjella nga Policia e Shtetit, shihet Ksera teksa zbret nga furgoni me pranga në duar të prangosura, ndërsa pas tij shoqërohet edhe i arrestuari i dytë në Gjirokastër, Artevis Mene.
Ish-zyrtarët "bllof" me aktivitetet, ja si i kamuflonin
Ndaj tyre ka pasur një kallëzim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Ministria e Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, ku bëhet fjalë për një investim prej 30 milionë lekësh që duhet të përdoreshin në favor të personave me aftësi të kufizuara, por që nuk janë përdorur për këtë qëllim. Nga hetimi i dokumentacionit është zbuluar se personat e mësipërm, kanë regjistruar për të faktuar aktivitetin edhe një CD- në të cilin shfaqeshin pamje të aktiviteteve të supozuara për të moshuarit, për të verbrit si dhe të komunitetit rom. Dokumentacioni tregonte se aktivitetet ishin kryer në korrik e gusht, ndërsa në të vërtetë pamjet tregonin aktivitete të kryera në muajin mars, ku duket qartë se njerëzit janë të veshur me rroba dimri.
Ksera: Arrestimi me prapavije politike
Shqiptarja.com zbardh deklaratat e para të ish-ministrit Ksera në ambientet e komisariatit të Gjirokastrës, pas arrestimit të tij. Ai mësohet të jetë shprehur para hetuesve se arrestimi ka prapavijë politike. Ndërkohë, deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga strukturat e Partisë Demokratike, dega Gjirokastër, ku Ksera është pjesëtar në këto struktura. Burime nga PD-Gjirokastër thanë për Shqiptarja.com se i takon degës së Tiranës të japë një reagim për ngjarjen.
Ish-ministri Ksera është paraqitur mjaft i qetë gjatë momentit të ndalimit ku ka deklaruar se nuk "ka bërë asgjë". Ksera u shoqëruar pa pranga me një makinë policie drejt ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, ndërsa pas mesnate, rreth orës 02:00 të mëngjesit të së shtunës ai u transferua për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Video/Ndalimi i Kseres ne Gjirokaster