Çështja e ligjit të luftës së Greqisë u ngrit në Athinën zyrtare edhe nga ministrja e Jashtme Elisa Spiropali. Në një konferencë me homologun grek George Gerapetritis, ministrja Spiropali tha se dy vendet janë anëtarë të NATO-së dhe se pret që Greqia të heqë ligjin e luftës, një kërkesë e artikuluar edhe nga kryeministri Rama.
“Edhe nga takimet e sotme më përforcohet bindja se ky potencial miqësie krijon momentin e duhur për të trajtuar të gjitha çështjet e ashtuquajtura të mbetura, si edhe ato aktuale, në mënyrë që të hapim sa më shpejt një kapitull të ri, duke e parë përfundimisht të shkuarën tonë me sytë e së ardhmes së përbashkët. Në këtë drejtim, ne duhet të nxisim komunikimin mes shoqërive tona, mjediseve akademike, grupeve të interesit, organizatave profesionale, studentëve.
Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq.
Dua ta falenderoj posaçërisht Ministrin për lidershipin dhe vizionin për të ndërtuar një marrëdhënie me sytë nga e ardhmja. Ky hap do të forconte më tej bashkëpunimin dhe vizionin tonë të përbashkët europian”, tha Spiropali.
Lajmi kryesor:
Spiropali në Athinë: Të hiqet ligji i luftës! Çështjen e detit e zgjidhim sipas të drejtës ndërkombëtare! Të njohim pensionet










