Deputetja socialiste Elisa Spiropali e ka cilësuar si një precedent të rrezikshëm vendimin e djeshëm të Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, të cilat dënuan me 81 vite burg në total 4 ish-krerët e UÇK-së.

Gjatë fjalës së saj në Parlament, Spiropali tha se gjykimet në Hagë kanë përmbysur raportin e dënimeve për viktimën që është Kosova dhe agresorin që është Serbia.

Më tej Spiropali tha se qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës duhet të ketë 2 ‘deje’ financiare që të ushqejnë betejën për mbrojtjen e luftëtarëve të UÇK-së në Hagë.

“Duket qartazi që ai vendim mizor, i padrejtë dhe një precedent i rrezikshëm për atë që vjen, nuk ka si mos të lidhet edhe me rastin e Ukrainës, për të mos thënë që është ndoshta dëmi më i madh që duhet riparuar në Apel, përsa i takon kujtesës tonë kolektive dhe të drejtës tonë historike. Është e pashmangshme që të flasim sot për luftën për liri të Ukrainës apo vendeve të tjera që luftojnë për sovranitetin e tyre dhe të mos e kthejmë kokën te ajo që ndodh në Kosovë, duke parë edhe kontekstin historik. Ne mund të flasim për proporcionalitetin dhe raportin e viktimës me agresorin, që në këtë rast dhe gjykimet e vazhdueshme për Hagën janë kthyer përmbys. Duke nisur nga fakti që vetë Dhomat e Specializuara në Hagë janë krijuar mbi lajme të rreme e raporte të sponsorizuara.

Shtëpia e Verdhë rezultoi të ishte një farsë. 13 mijë të vrarë në Kosovë. 1500 njerëz të masakruar pa varr, të pagjetur ende. Të padënuar ata që kryen këto masakra. UÇK u ngrit për të mbrojtur gratë e dhunuara dhe fëmijët. Sot kemi ministre në Qeverinë e Serbisë që flet me krenari se po të kishte qenë ajo, do ishin vrarë edhe më shumë. Të bashkohemi të gjithë në një përpjekje të fortë kombëtare, institucionale e financiare, pasi kam qenë vetë në Hagë dhe i kam takuar, sforcimi financiar i familjeve të katër luftëtarëve është i llahtarshëm. Duhet të ketë edhe këtu në Qeverinë e Shqipërisë, edhe në Kosovë, dy deje financiare që ushqejnë betejën për mbrojtjen e luftëtarëve në Hagë. Çfarë duhet të ndodhë, duhet që Jakup Krasniqi, që ishte zëdhënësi i UÇK-së të vdesë në burg?”, tha mes të tjerash Spiropali.


Lajmi kryesor:

Dënimi i liderëve të UÇK, Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë të përbashkët: Vendim i padrejtë, një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli