Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u prit në një takim nga homologu i saj kroat Gordan Grlić Radman.

Në takimin bilateral, të dy Ministrat folën për ngritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në një nivel të ri institucional, duke nisur me përgatitjen e Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare, si dhe mbajtjen e Komisionit të Përbashkët për Marrëdhënie Ekonomike, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e investimeve.

Spiropali shkruan se në takim diskutuam për prioritetet e konektivitetit në rajon, ku rëndësi e veçantë iu kushtua ndërlidhjes në infrastrukturë dhe energji, si dhe bashkëpunimit në siguri përmes marrëveshjes trilaterale Shqipëri-Kroaci-Kosovë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministri kroat deklaroi se Kroacia mbështet fort ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat me BE.

'Pritja nga kolegu dhe miku, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Europiane, Gordan Grlić Radman, për ta çuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona në një nivel të ri institucional, duke nisur me përgatitjen e Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare, mbajtjen e Komisionit të Përbashkët për Marrëdhënie Ekonomike, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e investimeve.

Diskutuam për prioritetet e konektivitetit në rajon, ku rëndësi e veçantë iu kushtua ndërlidhjes në infrastrukturë dhe energji, si dhe bashkëpunimit në siguri përmes marrëveshjes trilaterale Shqipëri-Kroaci-Kosovë. Kroacia mbështet fort ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat me BE, dhe përparimi i Shqipërisë është një shembull tipik i meritës në rrugën drejt integrimit europian', shkruan Spiropali. 

Spiropali dhe homologu kroat bënë një ftesë publike për Bullgarinë, për t'ju bashkuar deklaratës së përbashkët për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Kjo marrëveshje trilaterale është nënshkruar tashmë mes Shqipërisë, Kroacisë, dhe Kosovës.

"U shprehëm, gjithashtu, të hapur për të përfshirë gradualisht edhe partnerë të tjerë me të njëjtat qëndrime, dhe do të mirëprisnim pjesëmarrjen e Bullgarisë në fusha ku përputhen interesat strategjike, veçanërisht në lidhje me ndërlidhshmërinë Adriatiko–Joniane, qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale. Objektivi ynë është i qartë: ta bëjmë rajonin tonë më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm dhe më të përafruar me arkitekturën europiane dhe euro atlantike.

Në këtë kontekst, mirëpritëm rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, siç reflektohet në formatin trilateral të krijuar këtë vit dhe të formalizuar përmes “Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes". E konsiderojmë këtë bashkëpunim një platformë të vlefshme për rritjen e ndërveprueshmërisë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse rajonale dhe mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës", tha Spiropali.