Ngritja e korridorit të transitit të përbashkët Shqipëri – Kosovë, ishte kryefjala e takimit mes drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave Elisa Spiropali me homologun e saj kosovarLulzim Rafuna.
 
Stafet teknike të mbështetura nga UNCAD po bashkëpunojnë ngushtësisht për formatimin e modaliteteve për bërjen aktive të sistemit të transitit.
Spiropali gjatë takimit u shpreh se është prioritet i Doganës Shqiptare projekti i “Korridorit të Transitit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë”, dhe se ecuria e tij po ndiqet ditë pas dite.
 
Gjithashtu ajo siguroi homologun kosovar mbi angazhimin e Qeverisë Shqiptare për krijimin e infrastrukturës dhe standardeve për pikët doganore Morinë-Vernicë, e cila do të ketë një ambient doganor modern dhe do të bëhet realitet brenda këtij viti,me mbështetjen e BE dhe buxhetit të Qeverisë.
 
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës Lulzim Rafuna u shpreh se në këtë takim të parë për këtë vit ka shumë zhvillime për të ekspozuar nga viti 2014, por gjithashtu edhe pritshmëritë për këtë vit.

Ai tha se Administrata Kosovare është në një proces reformimi organizativ që synon motivimin dhe stimulimin e punonjësve të doganës. Përsa i përket pikës së përbashkët kufitare Morinë – Vernicë ai u shpreh se infrastruktura dhe logjistika po plotësohen, ndërkohë që pritet një shtim i fluksit të mjeteve pas aplikimit të transitit të përbashkët.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)