Mes socialistëve as nuk mendohet ndonjë skenar që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, para atyre të pritshme pranverën e vitit të ardhshëm. Nga Shkodra, si drejtuese politike e PS në këtë qark, Elisa Spiropali shuan çdo pretendim të tillë, të artikuluar herë pas herë nga zëra opozitarë në skenën politike dhe atë mediatike.
“Nuk ka asnjë diskutim për zgjedhje të parakohshme, kur të ketë ju do jeni të informuar por deri më sot ne jemi me një mandat të plotë dhe në një mandat për të realizuar premtimet tona si qeveri dhe këtë do bëjmë”, tha Spiropali.
Të gjendur përballë një kaosi i cili prej muajsh po pengon normalitetin në seancat plenare në Kuvend, Spiropali e kishte një mesazh për kolegët e opozitës.
“Ne urojmë shumë që çështjet që i pengojnë deputetët e PD dhe këtu nuk po i ndaj në të kujt e si por po them që të gjithë ata bashkë duhet që t’i kthehen rrugës së arsyes, duhet që të gjejnë një pikë që i bashkon, të bëjnë së pari bashkimin mes tyre sa i takon strategjive që duhet të zgjedhin si në Kuvend ashtu edhe strategjive elektorale dhe nuk mund të jetë Kuvendi zgjidhja për strategjitë e tyre radikale”, vijoi Spiropali.
Megjithatë pavarësisht strategjisë së një pjesë të opozitës për kaos, sipas Spiropalit ato nuk do të munden që ta mbajnë peng punën në parlament për karrige dhe debate të brendshme të Partisë Demokratike. Komisioni i reformës zgjedhore, i cili është edhe një prej kushteve të rithemelimit për të rikthyer normalitetin në parlament, Spiropali garantoi se do vazhdojë për çështjet më prioritare.
“Sigurisht që nuk rrezikon që të dështojë sepse përtej komisionit bipartiak sigurisht që po shpresojmë që të funksionojë, ne kemi rekomandimet e ODIHR të cilat janë udhërrëfyes. Patjetër që ka ndryshime ligjore që mund të duhen 84 vota në qoftëse ka ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, ka çështje të tjera të cilat mund të adresohen në mënyra të tjera por prandaj ne e kemi ngritur këtë Komision që ne të vijmë aty dhe të bëjmë propozime përmbajtësore, ne nuk e kemi ngritur Komisionin e Reformë Zgjedhore që të diskutojmë për karrigen e njërit apo të tjetrit”, tha Spiropali.
E shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Benet Beci, deputetët Edona Bilali dhe Frrok Gjini, si dhe Prefektja e qarkut Majlinda Angoni, Spiropali zhvilloi një takim me strukturat e Partisë socialiste në Shkodër, në zbatim të udhëzimeve të Kryeministrit Rama për anëtarësime të reja dhe riorganizim të partisë.