Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë, në dy ditët e ardhshme, 16 dhe 17 Dhjetor.
Vizita e Ministres Spiropali do të nisë në Presidencën greke, ku do të pritet nga Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, në orën 12.00.
Në orën 12.45, Spiropali do të ketë një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Ministrja Spiropali do të nënvijëzojë rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Greqisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët europiane në rajonin tonë, ku vendet e Ballkanit Perëndimor të trajtohen si një tërësi strategjike.
Ministrat do të diskutojnë çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve me frymën e mirëkuptimit mes palëve.
Pas takimit, Ministrat do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për shtyp rreth orës 14.30.
Në qendër të bisedimeve do të jetë edhe komunitetiti shqiptar në Greqi, si dhe nevoja për përshpejtimin e negociatave drejt nënshkrimit të marrëveshjes së shumëpritur për mbrojtjen sociale, që përfshin njohjen e pensioneve për qytetarët e të dy vendeve.
Në 16.00, Ministrja do të zhvillojë një bashkëbisedim me akademikë dhe ekspertë të Fondacionit Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane (ELIAMEP) me fokus rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Në 19.00, Spiropali do të takohet me komunitetin shqiptar në Greqi, në një pritje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë.
Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09.00, Spiropali do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias.
Në orën 09.45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Vizita e Ministres do të përmbyllet me në një takim Ambasadorët e vendeve të BE, si dhe Ambasadorët e akredituar në Shqipëri, me rezidencë në Athinë, rreth orës 12.30, të fokusuar në perspektivën europiane të vendit tonë.

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë, në dy ditët e ardhshme, 16 dhe 17 Dhjetor.
Para takimit, Shoqata Patriotike “Çamëria” i ka kërkuar Spiropalit përfshirjen në bisedimet me zyrtarët grekë kërkesën për heqjen e Ligjit të Luftës, i cili mban ende de jure gjendjen e luftës ndërmjet dy vendeve tona. Po ashtu, Spiropalit i kërkohet trajtimi i Çështjes Çame në bisedimet dypalëshe.
Letra e plotë drejtuar Elisa Spiropalit:
Kërkesë e Shoqatës Patriotike “Çamëria” drejtuar Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë,
Znj. Elisa Spiropali
E nderuar Znj. Ministre,
Takime të tilla si ky i zhvilluar nga Ju në Greqi janë të mirëpritura dhe ndiqen me vëmendje të veçantë nga opinioni publik shqiptar dhe në mënyrë të veçantë, nga ana jonë.
Kjo vëmendje lidhet si me rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ashtu edhe me problematikat e shumta që burojnë nga e kaluara jonë historike.
Siç keni deklaruar edhe Ju, këto bisedime pritet të prekin të gjitha çështjet e vjetra dhe të reja, në një këndvështrim të plotë, gjithëpërfshirës 360 gradë.
Ne Ju inkurajojmë që këto çështje të diskutohen me dialog, realizëm, dinjitet dhe reciprocitet, parime këto që fatkeqësisht, jo gjithmonë janë respektuar nga përfaqësues të shtetit shqiptar ndër vite.
Në emër të Shoqatës Patriotike “Çamëria” kërkojmë që, në diskutimet që do të zhvilloni me homologun tuaj në Athinë të përfshihen në axhendën e bisedimeve çështje me rëndësi jetike për komunitetin e shqiptarëve të Çamërisë, si dhe për interesin kombëtar në tërësi.
Së pari, përfshirja në bisedime e kërkesës për heqjen e Ligjit të Luftës, këtij atavizmi të së kaluarës, i cili mban ende de facto dhe de jure gjendjen e luftës ndërmjet dy vendeve tona.
Ju kujtojmë se ky është një detyrim që rrjedh nga Deklarata e Parlamentit të Shqipërisë miratuar në 18 korrik 2024, e cila parashikon në çdo rast përfshirjen e kësaj çështjeje në bisedimet dypalëshe dhe në forumet e përbashkëta ndërkombëtare.
Së dyti, trajtimi i Çështjes Çame në bisedimet dypalëshe është një detyrim që buron nga ligji nr:7839, datë 30.06.1994, për shpalljen e 27 qershorit si: “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë” si edhe nga Rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë datë 8 prill 2004.
Çështja e shqiptarëve të Çamërisë, e drejta e tyre juridike, pronësore e të nënshtetësisë, janë të detyruara të jenë pjesë përbërëse e kësaj axhende.
Duke Ju falënderuar për vëmendjen dhe kontributin Tuaj,
Me respekt,
Shoqata Patriotike “Çamëria”
Komente











