Kështu, pavarësisht se sa raste pacientësh trajtojnë gjatë një viti, institucionet shëndetësore e kanë të përcaktuar buxhetin që do të shpenzojnë për të gjitha nevojat që u paraqiten.
Në vendimin e qeverisë të miratuar vetëm një javë më parë, është parashikuar që të gjitha institucionet spitalore në vend do të marrin një buxhet prej 15.6 miliard lekësh të reja, me një rritje prej 10.3% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.
Sa i përket strukturave të punonjësve në këto institucione shëndetësore është parashikuar që të jenë plot 12. 117 persona, duke pësuar një rritje në krahasim me vitin e kaluar nga 11.888 punonjës.
E ndërsa për spitalet e mëdha është përcaktuar një buxhet i lartë, problemi mbetet për spitalet e qyteteve të vogla, të cilat duhet të paguajnë më shumë para për pagat e punonjësve, se sa për ilaçet dhe investimet që do të kryhen gjatë 2014-ës. Rasti më konkret është për spitalin në Malësi të Madhe ku vetëm për ilaçe dhe investime të tjera në aparatura apo rikonstruksione të ambienteve është parashikuar që të jenë vetëm 5.5 milion lekë të reja, kurse për pagat e mjekëve, infermierëve dhe administratës është parashikuar që ky fond të shkojë në 11.6 milion lekë përgjatë gjithë vitit.
Në të njëjtat kushte janë edhe spitale të tjera në qytete të vogla si ai i Delvinës, Devollit, Hasit, Kuçovës dhe Peqinit ku buxheti i ilaçeve dhe investimeve është dy herë më i vogël se buxheti i pagave të punonjësve.
Ndonëse prej vitesh është diskutuar ekzistenca e këtyre spitaleve, edhe këtë vit buxheti i tyre ka qenë i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Por, edhe për spitalet e qarqeve duket se paraqitet e njëjta situatë ku fondi për pagat është më i lartë se fondi i shpenzimeve për mallra dhe shërbime.
Situata ndryshon vetëm për Qendrat Universitare dhe më Konkretisht dy maternitetet në Tiranë, Sanatoriumin, Spitalin e Traumës dhe QSUT. Ky i fundit ka përfituar edhe shtesën e buxhetit me rreth 350 milionë lekë për përmirësimin e shërbimit të onkologjisë, 100 milionë lekë për blerjen e materialeve mjekësore për hemodinamikën dhe kardiokirurgjinë.
Plot 50 milionë lekë për materialet mjekësore për funksionimin e laboratorëve të qendrës spitalore, si dhe 70 milionë lekë për të siguruar mirëmbajtjen e aparaturës mjekësore në këtë qendër. Në total QSUT përfiton një buxhet prej 5.8 miliard lekësh të reja. Ajo që është e veçantë në buxhetin e këtij viti është se për herë të parë është përfshirë Spitali i Traumës i cili ka të njëjtin fond sa edhe spitali i Vlorës. Por, nëse për Vlorën buxheti më i madh shkon për paga, për Spitalin e Traumës ose siç njihet ndryshe spitali ushtarak fondi më i madh do të shkojë për investime dhe barna, konkretisht 357.8 milion lekë të reja.
Tabela
Spitalet me buxhet të vogël
Spitali Nr. i punonjësve Buxheti i pagave Buxheti për ilaçe
Delvinë 32 punonjës 19.5 mil 5.8 mil
Devoll 57 punonjës 31.7 mil 10 mil
Has 43 punonjës 25.4 mil 12 mil
Kuçovë 77 punonjës 47 mil 14.5 mil
M. Madhe 17 punonjës 11.6 mil 5.5 mil
Peqin 30 punonjës 19.9 mil 9 mil
Spitalet me buxhet më të madh
Spitali Nr. i punonjësve Buxheti i pagave Buxheti për ilaçe
Elbasan 657 364.5 mil 200 mil
Fier 526 290 mil 355 mil
Korçë 589 329.5 mil 200 mil
Shkodër 794 440 mil 197 mil
QSUT 2772 1.6 mld 3.9 mld
Materniteti 1 378 226.9 mil 180 mil
Materniteti 2 285 180 mil 140 mil
Vlorë 584 324 mil 168 mil
Trauma 310 210 mil 357.8 mil
Senatoriumi 334 179.7 mil 204 mil
Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)