Nga oborri i spitalit të Lushnjës, deputeti i PD Sajmir Korreshi ngriti alarmin për gjendjen e institucionit. Ai kritikoi mungesën e aparaturave, uljen e buxhetit, zhvendosjen e urgjencës dhe kushtet dramatike ku shumica e pacientëve marrin shërbim në korridor si dhe probleme të tjera

“Sot situata është dramatike. Unë i bëj sfidë ministrit të shëndetësisë dhe deputetëve që të vijnë ta shohin Spitalin e Lushnjës. Këtu duhet ndryshuar statusi bashkiak me atë rajonal që ka qenë dikur që përkthehet në më shumë investime dhe lek për këtë spital. Vjet buxheti ka qenë 107 milion lek ndërsa sivjet është 92 milionë lek. Po e bastardojnë këtë qytet dhe fondi për analizat ka një ulje të ndjeshme. Nuk ka medikamente për të bërë analizat dhe i dërgojnë në spitale private. Spitali i Lushnjës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ka ofruar shërbime 250 mijë njerëz por sot nuk ka skaner që punon. Nuk po bëhen as operacionet më të thjeshta si ai i apendisitit, sepse është prishur skaneri. Mamografia është gjithashtu e prishur ndonëse është dhuruar nga Komuniteti Islamik. Sot në Urgjencën e Lushnjes çfarë bie jashtë hyn brenda, krevate janë në korridore, po të shkosh tek gjinekologjia nuk ka aparat ekografie. Sot spitali është në kushte dramatike. Nuk kemi mjete për të ekzaminuar. Kjo sjell pasoja edhe në jetën e qytetarëve sepse jo të gjithë e kanë mundësinë të shkojnë në Tiranë apo në Fier. I bën thirrje ministres, deputetëve të ngrejnë zërin se Lushnja meriton një spital dinjitoz ku të marrin shërbim” tha ai. 

Sipas Korreshit, zgjidhja për këtë spital që u shërben 250,000 banorëve jo vetëm të Lushnjes e Divjakës por edhe zonave të Belshit, Rrogozhinës dhe Peqinit, është ndryshimi i statusit nga spital bashkiak në spital rajonal, çka sipas tij do të sillte më shumë investime dhe fonde. Ai i bëri thirrje ministres së Shëndetësisë dhe deputetëve të zonës që të vizitojnë nga afër spitalin dhe të reagojnë.

Sipas Drejtorisë së Spitalit të Lushnjes, përveç uljes së buxhetit për vitin 2025, edhe fondi për analizat ka pësuar një rënie të ndjeshme nga 48 milionë në vitin 2025 në 43 milionë për vitin 2026.  Buxheti i Spitalit të Lushnjës është sa 50% e Spitalit Rajonal të Fierit dhe trajton 80% të pacientëve të këtij të fundit.