Spiunët nën ‘apel’ dhe lehtësia e përdorimit nga shërbimet sekrete të huaja

Spiunët nën ‘apel’ dhe lehtësia e përdorimit nga shërbimet sekrete të huaja

Meta dhe Berisha

Ka nisur shqyrtimi i dy drafteve të ligjit për “Lustracionin” të propozuara nga PD zyrtare e kryesuar nga Enkelejd Alibeaj dhe Partia Socialiste.

Bëhet fjalë për hapjen e dosjeve të ish spiunëve të Sigurimit famëkeq të Shtetit dhe përjashtimin nga politika e administrata të gjithë atyre të cilët në periudhën e komunizmit kanë mbajtur postin e sekretarit të PPSH.Socialistët kanë përcjellë kërkesën e Autoritetit të Dosjeve, sipas të cilës të gjithë ata politikanë që kanë kaluar në “filtrin” e komisioneve “Mezini” dhe “Bezhani”, duhet të verifikohen sërish nga vetë Autoriteti për të marrë “certifikatën” e pastërtisë së figurës.

Por që në krye të herës kanë nisur debatet në lidhje me këto dy nisma ligjore, ku presioni ka qënë i gjithanashëm sidomos nga pjesa e PD që drejtohet nga Berisha dhe Partia e Lirisë e Ilir Metës.

Duke qënë se në terminologjinë e përditshme kur bëhet fjalë për hapjen e dosjeve të sigurimit të Shtetit për politikanët shqiptarë dhe përjashtimin nga politika të atyre që kanë mbajtur funksione drejtuese në PPSH apo në organet e diktaturës komuniste, kanë përmendur si subjekte që mund të preken nga “lustracioni” Ilir Metën(I.M) dhe Sali Berishën, “amplituda” e presionit të të atakuarve ndaj Autoritetit të Dosjeve dhe deputetëve të Parlamentit shqiptar ka qënë tepër e lartë.

Që në krye të herës goditjet kanë qënë të forta, duke vënë në “shënjestër” Autoritetin e Dosjeve, për të cilin Ilir Meta ka depozituar një padi për shpifje. Madje në të gjitha daljet publike, bëhet thirrje që ky kallzim të merret në shqyrtim sa më shpejt, pasi sipas tij po zvarritet. Ndërkohë që me gjithë kohën në dizpozicion, kreu i Partisë së Lirisë, njëherësh dhe ish President i vendit nuk e ka gjetur “mundësinë” që të bëjë vetë një kërkesë personale si të gjithë politikanët dhe qytetarët e thjeshtë, për të zbardhur dosjen e tij.

Eshtë veprimi më i drejtë por dhe më i thjeshtë, që ashtu sikurse akuzatori i tij Filip Talo që kërkoi të gjente se kush e kishte spiunuar në vitin 1989 për tentativë arratisje, i kushtoi asokohe ca ditë në “hapsanë” dhe pastaj pajisjen me dokumentin e bashkëpuntorit të Sigurimit vetë atij, madje gjeti dhe vendin ku ishte “strehuar” dosja me emrin e spiunit I.M, ashtu dhe Ilir Meta të zbardhë dosjen e tij dhe të tregojë makar se nuk ka qënë bashkëpunëtor Sigurimi në atë kohë.

Në vend që të bënte këtë akt dhe t’u mbyllte gojën të gjithë kundërshtarëve të tij, reagimi i ashpër dhe i papërmbajtshëm i Metës kundër Autoritetit të Dosjeve dhe kreut të mazhorancës Edi Rama, por dhe ndryshimi i versionit fillestar, nga refuzim kategorik në variantin e “manipulimit të dosjes së tij nga Rama”, dhe sikur të jetë në të drejtën e Zotit, ka krijuar tashmë te shqiptarët perceptimin se ka qënë i lidhur me Sigurimin famëkeq të shtetit komunist.

Por kjo nuk e ka ndalur Metën të sulmojë të gjithë ata politikanë e deputetë që mbështesin nismat ligjore të hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, për t’i dhënë fund njëherë e mirë pjesëmarrjes së këtij kontigjenti në politikë në të ardhmen.

Në të njejtën gjatësi vale ka qënë dhe kreu i “Rithemelimit” në PD Sali Berisha, i cili jo vetëm që ka sulmuar grupin e Alibeajt, pra ata që kanë propozuar “lustracionin”, socialistët po e po, me argumentin se kërkojnë të nxjerrin liderët e opozitës nga politika për t’i shërbyer qeverisjes së Edi Ramës, ndonëse Berisha është dakord me hapjen e dosjeve, por dhe është shprehur se nuk do të njohë asnjë ligj të tillë të ngritur apostofat për “gjueti shtrigash”.

Një presion i tillë i dy liderëve më të fuqishëm të opozitës, Berisha dhe Meta ndaj nismave për hapjen e dosjeve dhe përjashtimin e spiunëve dhe sekretarëve të PPSH nga politika, por dhe ndaj Autoritetit të Dosjeve, gjyqësorit që ka padinë e PL për shpifje ndaj këtij institucioni, si dhe deputetëve të Parlamentit shqiptar, nuk ka kaluar pa lënë gjurmë.

Ka ndikuar, madje ka “lëkundur” deri në një farë mase dhe konseguencën e palëve politike në versionin përfundimtar të drafteve të paraqitura në Parlament për “Lustracionin”.

Dikush mund të thotë se “zbutja” e draftit të PD së Alibeajt për përjashtimin e sekretarëve të PPSH, pavarësisht nivelit nga politika dhe “katandisjen” në përcaktimin vetëm për sekretarët që kanë marrë pjesë në vendimet për dënime apo dëbim-internime, që korrespondon me ish sekretarët e parë të PPSH në rrethe e lart, pra duke përjashtuar ish sekretarin e partisë së Qendrës Universitare Spitalore Tiranë, Sali Berisha, ka ardhur i ndikuar nga nevoja për një bashkim të plotë të PD. Përderisa kanë filluar negociatat mes palëve brenda kësaj partie.

Pra për të mos ‘acaruar” Doktorin dhe për ta marrë me të mirë atë që të mos bllokojë daljen me kandidatë të përbashkët të PD në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, “zbutet” nisma ligjore dhe përjashtohet Berisha nga kufizimet e ligjit, duke mos e penguar të vijojë politikën.

Por dhe kërkohet që të mos hapen dosjet të gjitha, por sipas kritereve të veçanta për ish spiunët e Sigurimit, një debat i shpërthyer këto ditët e fundit, çka mund të shihet si një përpjekje për të anashkaluar dhe I.M, të akuzuarin se ka spiunuar ish bashkë-studentin Filip Talo.

E thënë me pak fjalë, po tentohet një paritet goditjeje në nismat ligjore për “Lustracionin”, duke ceduar në këtë rast mbi dëshirën mbarëpopullore por dhe në kërkesën institucionale në Shqipëri dhe në Këshillin e Europës, që spiunët dhe funksionarët e PPSH të jenë jashtë politikës. Nuk ka spiunë të mirë apo të këqinj, janë thjeshtë spiunë që i kanë shërbyer regjimit komunist, dhe në veçanti armës më të tmerrshme të diktaturës, Sigurimit të Shtetit.

Teksa të gjithë ata që akuzohen si sipunë të Sigurimit janë nën ‘apel’ dhe të angazhuar për të kundërshtuar nismat ligjore që hap dosjet dhe i largon ata përfundimisht nga politika, është e udhës të nënvizojmë se prania e tyre në këto 32 vite në kupolën politike, herë në opozitë dhe herë në pushtet, i ka sjellë një dëm të pallogaritshëm Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Për më tepër nëse do të vijojnë të qëndrojnë sërish në politikë, në këtë situatë konfliktesh si ai i agresionit rus në Ukrainë, përplasjesh dhe luftës për rritjen e zonave të influencës dhe në rajonin tonë, atëherë situata bëhet akoma më e rëndë.

E themi këtë se spiunët, janë “specia” më e manovrueshme dhe që përdoret kollaj, thjeshtë dhe vetëm me pak presion për zbardhjen e dosjes, për qëllimet e përdoruesit potencial. Kjo shfrytëzohet lehtësisht nga shërbimet inteligjente të huaja, të vendeve jo mike dhe armike të Shqipërisë për nevojat e tyre, dhe në dëm të Shqipërisë.

Të mos ketë askush dilemë se nuk i kanë listatplotë emër për emër me të gjithë ish spiunët e sigurimit të Shtetit shqiptar, të shërbimeve sekrete rajonale apo më gjërë. I kanë të gjithë, në mënyrën më rigoroze më të mundshme.

Në fillimin e viteve ’90, pas rënies së regjimit komunist, nuk mbeti asgjë pa dalë jashtë vendit dhe shitur, që nga metalet e çmuara e deri tek hartat minerare, vendburimet e metaleve dhe të naftës e gazit. Madje me këto harta dhe projekte, të cilat kishin të shënuar në mënyrë precize çdo gjë, shumë kompani kanë ardhur dhe kanë marrë koncesione minerare e nafte që nga viti 1992 e këtej, duke i paraqitura si të hartuara dhe përfunduara në terren. U kanë marrë dhe lekët, Janë shitur për pesë lekë, apo për një lejeqëndrimi në Kanada, vendet e BE etj.

Askush të mos ketë dyshime që dhe listat e ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, kanë kaluar pa asnjë korrekturë në dorën e shërbimeve sekrete të vendeve të rajonit, të Rusisë e deri tek vendet arabike. Nuk është rastësi që shërbimet sekrete të këtyre vendeve dinë me detaje gjithçka ndodh në Shqipëri dhe sa herë që janë në hall i ‘këpusin’ një destabilizim vendit si në rastin para bombardimeve të NATO-s në Kosovë, kur u shemb shteti shqiptar nga themelet.

Nuk është rastësi që Moska ka pasur dhe ka ndikim në Shqipëri, duke marrë çdo informacion dhe duke mbështetur forcat politike anti-perendimore në Tiranë. Madje dhe duke i financuar ato me paratë e nëndheshme të oligarkisë ruse që komandohet nga Putin. Janë dhe nën hetim në Shqipëri dhe SHBA liderët apo ish liderët e opozitës për këtë arsye. Eshtë kthyer në një linjë pune përdorimi i ish spiunëve sa herë ua ka lypur nevoja.

Përdoren lehtësisht, jo vetëm sepse janë “stazhinuar” si spiunë dhe u është kthyer në rutinë, pra janë bërë ‘ustallarë” por dhe sepse “shtrëngohen” më kollaj për të shërbyer. I kërcënon me dosje. Madje u dërgon afër dhe të rekrutuarit e rinj Moska, si këshilltarë për t’i pasur nën kontroll. Ndaj ka dhe të shpallur “non grata” dhe kandidatë si të tillë në Shqipëri.

Dhe nuk është rastësi që dhe ish shefi i shërbimit sekret shqiptar Bashkim Gazidede gjeti strehim në vendet arabike. Madje një kryeministër shqiptar loboi fort andej më pas, deri duke kërkuar bashkëpunimin e MOSAD-it izraelit për të rimarrë dosjen e spiunëve dhe sekrete të tjera që kishte marrë me vete Gazidede në ekzil.

Në mënyrë të përmbledhur ish spiunët e Sigurimit të Shtetit, janë përdorur nga shërbimi i ri sekret shqiptar, shërbimet sekrete të huaja sa herë ua ka lypur nevoja. Madje janë impostuar në politikë, ata që kanë vlejtur më shumë, pra kanë kryer shërbime më të sofistikuara dhe më eficente, duke e marrë më qafë këtë vend që dhe pas 32 vitesh nuk po del nga tranzicioni.

Prandaj është emergjencë flakja e tyre e menjëhershme nga politika, administrata dhe qeverisja në të gjitha nivelet. Duhet të bëhet njëherë e mirë një pastrim kombëtar, ndryshe Shqipëria do të vijojë të mos e ngrejë kokën asnjëherë. Ky do të ishte shpëtimi i vërtetë i Shqipërisë.

G.MO/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kupi: 18/10/2022 03:58

    Nuk ka rrezik Shqiperia nga spiunet e saj. Por nga spiunet e te huajve. Sic e keni edhe nomeklaturen e kuadrit te ri neokomunist, sa spiune me fuqite evropiane si Italia, Franca apo Gjermania, me tej tek Amerika.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Berisha do të pyetet për çështjen Gërdeci?



×

Lajmi i fundit

Dialogu me Prishtinën, si e shohin analistët serbë për rrezikun nga nacionalistët në rast marrëveshjeje Serbi- Kosovë

Dialogu me Prishtinën, si e shohin analistët serbë për rrezikun nga nacionalistët në rast marrëveshjeje Serbi- Kosovë