/ ATSH-Z.Tosku/- Neda dhe Nada, binjaket "tip", më karakter të veçantë, të ngjashme fizikisht si dy pika uji, por të ndryshme në personalitet, tashmë janë kampionet më të reja në sportin e kick-box në rang kombëtar.
Profil
Për Nedën 18- vjeçare, e cila që ka lindur 5 minuta  përpara motrës së saj binjake Nada, sporti i kick-boxing është zgjedhja më e duhur që ka bërë në jetë.
E veshur me pantallona sportive në ngjyrë lejla të errët, më një kanatjere tipike sportive ku pjeset e shpatullave janë të zbuluara, me flokët gështenjë dhe paksa të çrregullta, Neda tregon se është bukur të jesh me e zonja aty ku meshkujt mendojnë se janë të mirët.
"Unë mendoj se djemtë nuk kanë asgjë më shumë se sa une si femër, pasi çdo gjë në jetë kultivohet, qoftë kjo edhe forca fizike. Unë besoj se të punosh çdo ditë me pasion dhe dëshirë, në një lloj sporti si kick-box , është bukur pasi fundja natyra na ka dhënë mundësira të barabartë. Lum ai që di të kuptojë dhe punojë fort, në atë që mendon se mund të jetë më i miri'.
Gjatë bisedës me Nedën, herë pas herë ndërhyn edhe motra e saj binjake, Nada, e cila edhe ajo ka fituar çmime në rang kombëtar, por pranon që Neda është më e sukseshme në kick-box. Me modestinë e saj prej një kampioneje në kategorinë e të "rinjve", Neda shprehet se ndoshta duhet të punojë me shumë tani që përfundoi gjimnazin.
Një pasion i lindur nga nisja e palestrës për të mbajtur trupin në formë, tregon se historia e dy vajzave binjake, qe jane model frymezimi  që çdo gjë ne jetë  kultivohet me  vullnet për të punuar dhe  me pasion.
"Nisa palestrën bashkë me motrën time Nada, si një mundësi e mirë për të mbajtur trupin në formë, por aty kuptuam që ne ishim të forta fizikisht. Profesori ynë, Arian Bahja, këmbënguli shumë që ne të fillonim kick-box dhe karate, si dy sporte interesante dhe të reja, për dy adoleshente si ne. Ne besuam në fjalën e profesorit dhe sigurisht kjo dha rezultat", tha Nada, duke treguar mënyrën sesi lindi ky pasion në jetën e tyre.
E ndërsa Neda tregon, prindërit e saj janë mbështetësit kryesorë në rrugëtimin që dy binjaket kanë nisur. "Fati ynë i madh si binjake që kurrë nuk jemi ndarë asnjë moment nga njëra-tjetra, është mbështetja e madhe e prindërve. Prindërit na mbështetën që në momentin e parë që ne i treguam në lidhje me propozimin që na bëri profesori ynë i nderuar, që të mund të vazhdonim dy lloje sportesh. Kjo, sigurisht në një qytet të vogël si Peqini, është një stimul i madh për ne, pasi mund të paragjykohesh shumë lehtë. Por, ne besojmë se në 2015, nuk ka asgjë të keqe te mund të japësh kontributin tënd në fushën që ti mendon se mund të jesh më e mira apo më i miri", flet Neda plot pasion dhe lumturi, duke shpjeguar çdo detaj që mendimeve dhe punës së saj, në sportin e kick-box.
Ndërsa Nada tregon për motrën e saj, se ajo që i bën të fitojnë është bashkimi që ato të dyja kanë, jo vetëm se natyra i ka bërë të njejta, por janë mbështetëse të njëra tjetrës në çdo gjë. "Ashtu sikurse jemi të njëjta, ne na duhet të qëndrojmë fort dhe ne duam të dyja bashkë suksesin. Këto janë vetëm hapat e parë të karrierës sonë", thotë Nada, e bindur në gjërat që ajo beson fort.
Por, jo rastësisht binjaket nga Peqini shprehen kaq shumë të bindura për kontributin që duan të japin në shoqëri, qoftë kjo duke dalë kampione në sportin e kick-box apo karate. Pasardhese të një nga familjeve më intelektuale në Peqin, ku gjyshi i tyre Demir Beheluli, ka lënë gjurmë në historinë dhe kontributin që ka dhënë në fushën e edukimit dhe arsimit, duke u nderuar me tituj dhe grada të ndryshm, si "Mësues i nderuar" për merita të shquara në fushën e edukimit dhe arsimit.
Një kontribut të madh në nisjen e rrugëtimit të tyre është profesori Arjan Bahja, i cili për shumë vite punoi për këtë lloj sportesh në Kretë të Greqisë, duke sjellë eksperiencën e tij në realitetin shqiptar e duke mësuar shumë të rinj dhe të reja.
Neda dhe Nada tregojnë se ishte profesori ai që vuri në dukje talentin e tyre dhe pa që vajzat ishin të vendosura për t'ja dalë ."Profesori ynë këmbënguli shumë që ne të trajnoheshim vazhdimisht në kick-box dhe karate. Ai është nga ata profesorë që besojnë tek puna dhe vullneti për t'ja dalë mbanë dhe për të qënë i pari në çdo sfidë. Edhe pse ishim vetëm 3 vajza në këtë lloj sporti, për ne ishte shumë bukur që ky profesor besoi që ne mund të arrinin diku. Dhe rezulati shihet. Ai kishte të drejtë. Ne jemi falenderuese ndaj tij", shprehen binjaket, me bindjen më të madhe që ky ishte mbështetës i pari i talentit të tyre.
Tanimë, për binjaket kampione, rruga e gjatë e suksesit sapo ka nisur, pasi hapi i dytë është vazhdimi i studimeve në Fakultetin e Shkencave Juridike, në degën krminalistë dhe detektive në Strugë, ku dekan është Luan Hajdaraga.
Çmimin e parë Neda e rrëmbeu në muajin prill të 2014 në kategorinë 58 kg, ndërsa Nada çmimin e dytë në sportin e kick-box në kategorinë 54 kg. Çmimi i saj i parë u pasua nga një trofe, në 29 qershor 2014 në Vlorë, ku Neda u shpall fituese e "Kupa e Verës" në 56 kg. Muaji dhjetor do të shënonte një tjetër fitore për Nedën. Ajo rrëmbeu çmimin e parë në kategorinë 60 kg, ku morën pjesë 23 çifte, nga të cilat Neda doli e para. Ndërsa Nada shpallet fituese në kick-box në kategorinë 54 kg, por sporti i saj I preferuar mbetet karateja. Në muajin mars të 2015, të dyja vajzat morën çmimin e dytë në katëgorinë 56 kg për Nadën dhe 57 kg për Nedën.
Femra është cilësuar gjithmonë si ai kristali i brishtë që sapo ta prekësh mund të thyhet, por vetë femrat në kohë kanë arritur të vërtetojnë që e vendosin ato se në cilin pozicion duhet të jenë, qoftë kjo edhe rrëmbimi i titujve kampione në sportin e kick boksit, për binjaket "tip".
Kampionatet e sporti  te  kick-box organizohen nga Federata Shqiptare e Kick-Boxing, ku president është Xhavit Bajrami. /a.ke/