TIRANE, 25 dhjetor /ATSH/. - Lassana Diarra dhe Lukas Podolski do të jenë dy goditjet e para të Interit gjatë merkatos se janarit 2015.  Emri ish-mesfushorit të Real Madridit është me të vërtetë surprizë për neroazzurrët, por fakti që Lass Diarra aktualisht është një lojtar pa kontratë ka bërë Interi të hedhë sytë nga 29-vjecari francez.





Këtij të fundit i ka përfunduar kontrata me skuadrën ruse Lokomotiv Moska para pak muajsh dhe Diarra është duke u përgatitur individualisht me ndihmësin personal Dominic Rogan për të arritur formën optimale, në mënyrë që të gjejë një skuadër të re gjatë janarit.
Trajneri i Interit, Roberto Mancini, sheh te futbollisti francez një opsion shumë të mirë për mesfushën e skuadrës dhe transferimi i Diarra te 18 herë kampionët e Italisë mund të realizohet më shpejt nga sa parashikohet.
Persa i përket sulmit, me sa duket do të jetë Lukas Podolski blerja e Interit për të përforcuar repartin e avancuar. Akordi mes klubit neroazzurr dhe Arsenalit është arritur dhe Podolski do të transferohet në Milano në formën e huazimit për 6 muaj.
Interi do të tentojë më pas ta blejë përfundimisht ish-futbollistin e Kolnit, duke u bazuar edhe në paraqitjet që ky i fundit do të beje me skuadrën në pjesën e mbetur të këtij sezoni. /a.ke/