Si përfaqësuesja rajonale e fondacionit Trashëgimia pa Kufij ajo akuzon PD se po përvetëson punën dhe financimet prej 172 mijë eurosh që fondacioni suedez ka dhënë për shtëpinë e Babametove në Gjirokastër, shtëpi e cila shfaqet në këtë spot elektoral si një prej arritjeve të PD.
Por deklarat e saj ka ngjallur një tjetër reagim. Deputeti i Partisë Socialiste Auron Tare thotë se nuk e kupton rebelimin e kësaj zonje pas 8 viteve bashkëpunim të ngushtë me PD lokale e qëndrore.
“Kjo organizatë (“Trashëgimia pa kufij”) e drejtuar nga një boshnjake, bashkëshortja e një ish-funksionari të lartë të Ministrisë së Ekonomisë, ka 8 vjet që bashkëpunon ngushtë me PD lokale dhe qëndrore. Tenderat e restaurimeve të kësaj shtëpie janë fituar nga kunati i Sali Berishës, sikurse edhe shumë tendera të tjerë të kësaj organizate.
Përse ankohet atëherë zonja nga Bosnja?...” Ky ishte reagimi e Auron Tares dje menjëherë pas publikimit të deklaratës së Lejla Hadžić. Tare theksoi se kjo organizatë prej 8 vitesh punon me firmen Martini sh.p.k. që figuron në emër të Agim Ramës, firmë që ka fituar disa tendera restaurimi në qytein muze të Gjirokastrës e të gjitha projekte në bashkëpunim me organizatën “Trashëgimia pa kufij”.
***
Por çfarë ka ndodhur me këtë banesë të famshme, historia e restaurimit të së cilës përfshin në vetvetë shifra të mëdha donacionesh nga 500 mijë euro të cilat u mpakën në 172 mijë euro?
Banesa e Babametove në Gjirokastër, monument i kategorisë së dytë, është vënë në epiqendër të kritikave të restauratorëve vendas e sidomos nga ana e intelektualëve.
Bledar Kaçi, piktor gjirokastrit dhe mjeshtër restaurimesh, pranon për Shqiptarja.com, se banesa në fjalë, ka humbur identitetin e plotë të saj. E ndërtuar në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, kjo banesë sipas tij, ka dalë tërësisht jashtë funksionit pas restaurimit, i cili është më tepër një shkatërrim sesa një rehabilitim.
Sipas tij, janë prishur raportet e dikurshme karakteristike gjirokastrite, dritaret janë shndërruar jashtë origjinalitetit të dikurshëm dhe dryni i saj origjinal është zëvendësuar me një dryn kinez dhe llampa aspak origjinale. Për Shqiptarja.com, zoti Kaci, shprehet i revoltuar për këtë “gjëmë” të madhe që i kanë shkaktuar restauratorët e famshëm ndërkombëtar, Gjirokastrës dhe në veçanti banesës karakteristike të Babametove, e cila qëndron në afërsi të kompleksit karakteristik të Pazarit të vjetër të qytetit.
Kreu i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Gjirokastër Spartak Drasa, vlerëson iniciativën e Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij dhe Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Qytetit të Gjirokastrës, të cilat ishin iniciuesit e restaurimit të plotë të objektit në fjalë. Sipas tij, kontribut të veçantë ka qeveria shqiptare, e cila përgjatë viteve të fundit, ka investuar miliona dollarë, në mirëmbajtjen e zonës historike të qytetit, mes të cilave është edhe ajo e Babametove.
Dy muaj më parë, ambasadori suedez në vendin tonë Patrik Svensson, i ka dorëzuar në mënyrë simbolike ndërtesën, pronarëve të banesës pllakatën e shtëpisë dhe drynin kinez. Ndërsa fondi restaurues, fillimisht është përfolur për 500 mijë euro, ndërsa nga viti në vit, kjo shumë prej donatorëve dhe përfaqësuesve të restauratorëve, është ulur sa më shumë duke arritur në shifrën e 170 mijë eurove.
Ndërtesa u bë subjekt i ndërhyrjeve restauruese në vitin 2009 dhe përpjekjet për t’a restauruar, u ndërrmorrën nga Fondacioni Suedez Trashëgimia Kulturore pa Kufij dhe partnereve të saj në Shqipëri, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Zyrës për Administrimin e Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Qytetit të Gjirokastrës(GCDO).
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)