KRUJE - Enver Stafuka një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, është rrëmbyer pasditen e së dielës pranë lokalit të vëllait të tij në qendër të qytetit të Fushë Krujës, nga katër persona të cilër iu prezantuan si policë.

Ky fakt është pohuar nga Naim Stafuka, vëllai i personi që u vu nën akuzë për vjedhjen e makinës nga ku u qëllua kryekomisari i Kombinatit Dritan Lamaj.
 
Duke rrëfyer dinamikën e ngjarjes, Stafuka thotë se katër persona të maskuar dhe me makinë civile të cilët u prezantuan si policë, ndaluan para lokalit ku ndodhej Enveri.

Sipas rrëfimit të Stafukës, katër personat i pohuan Enverit se janë efektivë policie dhe e morën në mjet duke vijuar rrugën në drejtim të Durrësit. 

Naim Stafuka i bën apel policisë të zbardhe këtë ngjarje dhe të gjendet vëllai i tij. 

Enver Stafuka, u dyshua në vitin 2013 si një nga personat që vodhi automjetin tip BMË të përdorur në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në Tiranë, shkurtin e vitit të kaluar. Por Gjykata e shkallë së Parë në Durrës e liroi duke e shpallur të pafajshëm më 13 nëntor të vitit 2013.

Policia e Krujës në bashkëpunim me atë të Durrësit kanë nisur hetimet për identifikimin e 3 personave që futën forcërisht në mjetin e tyre 48-vjeçarin Stafuka dhe për zbardhjen e fatit të këtij të fundit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)