Emisioni Esencë me Eljan Taninin, shfaqet çdo të premte, ora 21:00 në Report Tv. Tema të ndryshme, të ftuar me rëndësi mes nostalgjisë dhe realitetit të sotëm ishin të ftuarit e mbrëmjes që lamë pas.

Mendimet e Stalinit për shqiptarët por edhe cili është personi X që tërhoqi nga arkivat 13 letra mbi lidhjet me Ish Jugosllavinë me urdhër të kujt? Flet për herë të parë për këtë çështje Profesor Gjon Boriçi. Intervistë kjo e bazuar mbi kërkimin shkencor të Boriçit me mbi 700 faqe.

Boriçi u shpreh se Stalini përveç se na ka mbështetur për arsye të ndryshme politike dhe ushtarake, ai nuk është se ka patur ndonjë ide të mirë për shqiptarët në përgjithësi, por  duke i trajtuar ata si qënie që binden.

Rubrika Amarcord ndalon në Tiranë te Ish Shtëpia Publike më e famshme në Rrugën Kont Urani. Një vilë e ndërtuar në zemër të kryeqytetit që prej vitit 1928 me fokus të qartë: Vajzat publike, vendase dhe të huaja! Sot është thuajse e rrënuar, mund të bëhej Muze i Seksit në Shqipëri.

Esencë Arkiv, dëshmon për herë të parë në median shqiptare Jehona Lushaku: Si dhe përse e xhirova me kamera amatore ushtrinë ruse në Prishtinë!

Ndër të tjera në emision u faktua edhe:

Ushtria ruse në Prishtinë?

Babai dhe nëna e Jehona Lushakut ishin në listat e zeza, duhet të vriteshin nga serbët! Ata lëvizën nga Prishtina, u rikthyen fshehurazi në apartamentin e xhaxhait në qendër të Prishtinës. Jehona atje gjeti një kamera amatore, ku xhiroi dhe dëshmoi tepër fshehurazi forcat ruse dhe serbe që festonin në qendër të Prishtinës. Serbët dhe rusët festonin duke gjuajtur me armë, traditë kjo edhe në vendet e tjera të Ish Jugosllavisë!

Stalini, shqiptarët dhe personi X!

Personi X në letra dhe arkiva paraqitet si një nga figurat më të besuara të qeverisë shqiptare para viteve ’90, një njeri që kishte akses dhe ndikim në dokumente të ndjeshme shtetërore. Më 27 qershor 1981, me urdhër të Nexhmije Hoxhës, thuhet se janë hequr 13 fletë nga një dosje arkivore, një veprim që edhe sot mbetet i mbuluar nga misteri.

Studiuesi Gjon Boriçi ka ngritur një pyetje që vijon të ngacmojë debatin: Mos vallë ajo dosje përmbante të dhëna për një projekt të hershëm të bashkimit të Shqipërisë me Ish Jugosllavinë?

Marrëdhënia me sovjetikët ishte ideologjike dhe emocionale: për Hoxhën, Joseph Stalin ishte figura qendrore, pothuajse e shenjtëruar në diskursin politik të kohës.

Tirana me shtëpi publike!

Rubrika “Amarcord” ndalet në Rrugën Kont Urani, në një nga rrugët më të vjetra historike të Tiranës, ku ende qëndron një vilë e rrallë me vlerë arkitekturore dhe historike. Kjo ndërtesë ka qenë dikur shtëpi publike, ndër më të njohurat e kohës, ku sipas dëshmive  punonin vajza vendase dhe të huaja, madje kishte edhe mjek të angazhuar për kontrollin shëndetësor.

Sot, vila është ende në këmbë, e ndarë në shumë dhoma, si dëshmi origjinale e funksionit të saj të dikurshëm. Kjo vilë nuk është thjesht godinë e vjetër, por pjesë e historisë sociale të Tiranës. Madje hidhet edhe ideja që ajo të restaurohet dhe të kthehet në një muze me tematikë mbi historinë e prostitucionit dhe jetës urbane të dikurshme  si një mënyrë për të mos e fshirë, por për ta dokumentuar të shkuarën.