Rënia e Viktor Orban në Hungari nuk është thjesht një rotacion pushteti, por është fundi i një modeli, i një sistemi që ndërtohet mbi kontrollin, zgjatjen artificiale të pushtetit dhe iluzionin e pathyeshmërisë.

Për më shumë se një dekadë e gjysmë, Viktor Orban ndërtoi një regjim që formalisht ruante zgjedhjet, por në thelb kontrollonte institucionet, median dhe ritmin e jetës politike. Ai krijoi një realitet ku pushteti dukej i përhershëm, por pikërisht aty nisi edhe rënia e tij.

Orban nuk humbi thjesht përballë një kundërshtari, por humbi përballë lodhjes së një shoqërie që kishte filluar të ndiente koston e një sistemi të mbyllur. Ekonomia, e goditur nga inflacioni dhe mungesa e dinamizmit, e bëri gjithnjë e më të vështirë justifikimin e pushtetit të gjatë.

Akuzat për korrupsion dhe klientelizëm minuan besimin publik dhe ndërkohë përplasjet me Bashkimin Europian nuk mbetën thjesht debate ideologjike; ato u kthyen në kosto konkrete për qytetarët, përmes fondeve të bllokuara dhe izolimit politik.

Në këtë klimë, fitorja e Peter Magyar nuk ishte një surprizë, por një pasojë logjike. Ajo që e bëri të mundur këtë fitore nuk ishte vetëm programi politik, por fakti që ai përfaqësonte një dalje nga sistemi.

Magyar nuk ishte pjesë e ciklit të konsumuar të pushtetit. Ai nuk mbante mbi vete barrën e kompromisit të gjatë. Ai ishte, mbi të gjitha, një alternativë që nuk kërkonte thjesht të zëvendësonte Orban-in, por të ndryshonte rregullat e lojës dhe të fuste konceptet e të djathtës liberale dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me BE dhe jo me kokën kthyer nga Rusia.

Siç paralajmëronte Adam Smith, “monopolet dhe privilegjet e përhershme janë armiqtë më të mëdhenj të një tregu të lirë”. Kjo nuk vlen vetëm për ekonominë, por edhe për politikën. Këtë kuptoj Magyar më shpejt seckushdo sepse kur pushteti bëhet monopol, ai humbet legjitimitetin.

Kjo është arsyeja pse ajo që ndodhi në Hungari ka rëndësi për Shqipërinë.

Se nëse Hungaria pati një Orban, Shqipëria ka “Orbanët” e saj. Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta janë tre figura që kanë dominuar jetën politike për më shumë se tre dekada. Në sipërfaqe ata duken si kundërshtarë të ashpër, por në thelb janë pjesë e të njëjtit sistem, një sistem që riciklon pushtetin pa e transformuar atë.

Ky është një sistem ku rotacioni ndodh, por ndryshimi jo. Ku partitë ndërrohen, por logjika e qeverisjes mbetet e njëjtë. Ku shteti shpesh identifikohet me liderin dhe jo me institucionin, dhe mbi të gjitha është një sistem që nuk prodhon dalje të reja, sepse nuk i lejon ato të rriten.

Në këtë kuptim, “Orbanët e Shqipërisë” nuk janë kopje të modelit hungarez, por një reflektim lokal i të njëjtit fenomen: zgjatja e pushtetit nëpërmjet mekanizmave jodemokratikë.

Por, ndryshe nga Hungaria, Shqipëria ka një kontekst krejt tjetër: aspiratën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe presionin e brendshëm të reformës në drejtësi përmes SPAK. Kjo aspiratë nuk është vetëm një objektiv diplomatik, por një test i vërtetë sistemi.