Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar rregulloren për zbatimin e regjimit të autorizimit të përgjithshëm për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike.

Përmes kësaj rregulloreje, përcaktohen rregullat dhe procedurat për hyrjen dhe operimin në tregun e komunikimeve elektronike, saktësohen të drejtat dhe detyrimet e subjekteve që ofrojnë rrjete dhe/ose shërbimeve, vendosen kërkesa ligjore, teknike dhe financiare të standardizuara për të gjithë operatorët dhe forcohen mekanizmat mbikëqyrës dhe instrumentet e autoritetit për garantimin e sigurisë së rrjeteve dhe mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve.

Dokumenti synon të krijojë një mjedis rregullator të qëndrueshëm, transparent dhe të parashikueshëm, duke kontribuar në zhvillimin e një tregu konkurrues dhe funksional të komunikimeve elektronike. Gjithashtu vendos një qasje të unifikuar dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe me parimet e Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike (EECC).

Gjithashtu, AKEP do të organizojë një takim informues me pjesëmarrjen e operatorëve të tregut të komunikimeve elektronike, ku do të prezantohen në mënyrë të detajuar kërkesat, detyrimet dhe procedurat e reja të parashikuara nga ky akt, si dhe do të ofrohet mundësia për diskutim dhe adresimin e çështjeve që lidhen me zbatimin e saj.