“Vitin që do të vijë ne do të tërheqim të gjitha tarifat roaming midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”. Tre muaj më parë, shefja e Komisionit Evropian ju bëri shqiptarëve këtë premtim të madh: të udhëtosh në çdo vend anëtar të BE-së, pa u shqetësuar për tarifat e telefonit.
Ky nuk është ende një realitet, por qeveria ka hartuar ndryshime ligjore që i hapin rrugë realizimit të tij.
Projektligji i ri, është si një "pasaportë digjitale": ashtu siç lëvizim të lirë nëpër Evropë, së shpejti edhe valët e telefonit tonë do të udhëtojnë pa "viza" tarifore, duke e bërë të padukshëm, kufirin midis Tiranës dhe vendeve të BE-së, në faturën tonë telefonike.
Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore për të ndryshuar ligjin "Për komunikimet elektronike", me synimin e qartë, që kudo në Evropë, shërbimi të ofrohet me të njëjtat tarifa si brenda vendit.
Sipas relacionit, ky aksion është në një domosdoshmëri për integrimin e përshpejtuar të Shqipërisë në tregun unik digjital të BE-së. Objektivi politik është që brenda vitit 2026, qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga heqja e tarifave shtesë që aplikohen aktualisht, gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Skema do të jetë e njejtë, më atë që ndodh tanimë prej pak vitesh me vendet e rajonit.
Kompanitë celularë në Shqipëri do të jenë të detyruara të zbatojnë tarifat ‘tavan’ të miratuara nga AKEP, për të parandaluar abuzimet dhe për të garantuar që roaming-u të funksionojë si në shtëpi.
Që këto rregulla të mos mbeten vetëm në letër, ligji parashikon masa administrative me gjobë për të gjithë operatorët që nuk i respektojnë ato.
Projektligji i ri shihet si një hap strategjik për të forcuar ekonominë digjitale dhe për të ofruar përfitime direkte për xhepat e qytetarëve, duke thyer barrierat e komunikimit.
Edhe pse në relacion parashikimi është optimist që heqja e tarifave të ndodhë brenda këtij viti, projektligji parashikon se zbatimi i këtij regjimi do të nisë, pasi të nënshkruhen marrëveshjet bilaterale me BE-në, ku do të përcaktohet dhe data e telefonisë pa roaming.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











Është një gjë shumë e mirë të komunikosh në Europë njësoj si në Shqipëri,por unë ua kam frikën kompanive mobile që janë në tregun shqiptar.Po t’i hedhësh një sy historikut të këtyre kompanive që kanë operuar në vëndin tonë ato i kanë zhvatur qytetarët shqiptarë.Çmimet i caktonin sipas qefit dhe ato ishin 10-20 herë më të larta se shtetet më të pasura të BE.Fillimisht kanë abuzuar me impulse,por kur filluan me çmimet për minutë përsëri i ripnin të gjallë shqiptarët.Çmimi midis Vodafon dhe AMC(sot One) për 1 minutë shkonte 700 lek,ndërsa çmimi brënda vet kompanisë ishte 250 lek për minutë.Pra ishin qeveritë shqiptare që i linin këto shushunja t’ju thithnin gjakun shqiptarëve.Ministra ose zyrtarë të ndryshëm të këtyre qeverive si të majta dhe të djathta i lejonin të abuzonin me çmimet,sepse ata mbushnin xhepat e tyre pasi ishin bashkpunëtorë në krim.Sot çmimet janë më të favorëshme,por shushunjat përsëri abuzojnë duke vjedhur minutat dhe internetin që mbarojnë edhe me një përdorim minimal.Këto pisllëqe i kam hasur sa herë vij me pushime në vëndlindje.
PërgjigjuAskush nuk e pengon qeverine qe te miratoje sa me shpejt ligjin perkates. Parlamenti duhet te merret urgjentisht me kete ceshtje nga e cila perfitojne qytetaret shqiptare. Duhet nje afat I caktuar kur do te filloje ulja e tarifave,qe kompanite e telefonise te mos vazhdojne te fitojne pa limit.
Përgjigju