Në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph”, publikuar këtë të mërkurë, më 1 prill, Donald Trump rikthen sërish në vëmendje mundësinë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO.

“Po e shqyrtoj seriozisht largimin nga NATO. Do të thoja se është diçka që shkon shumë përtej një rishikimi të thjeshtë. Nuk kam qenë kurrë i bindur nga NATO. E kam ditur gjithmonë që është një tigër prej letre, dhe këtë e di edhe Putini”, deklaroi ai.

Trump shprehet thellësisht i zhgënjyer nga qëndrimi i aleatëve gjatë luftës me Iranin. Sipas tij, askush nuk iu bashkua sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli.

“Ne kemi qenë aty automatikisht, edhe për Ukrainën që nuk ishte problemi ynë. Ishte si një test dhe ne ishim aty për ta (europianët), dhe do të ishim gjithmonë. Ata nuk ishin aty për ne (në Iran)”, shtoi ai.

Po sot, Trump dha një tjetër intervistë për “Reuters”, ku konfirmoi qëndrimin e tij: “Në fjalimin e sonte do të shpreh pakënaqësinë time ndaj NATO-s. Po e shqyrtoj seriozisht idenë për të tërhequr SHBA nga aleanca”.

Ai shtoi gjithashtu se materiali bërthamor i Iranit “nuk na intereson, do ta vëzhgojmë nga satelitët”, duke theksuar se “Irani nuk do të ketë armë bërthamore dhe as nuk dëshiron ta ketë”.

Nuk është hera e parë që Trump shprehet në këto terma për NATO-n. Megjithatë, sekretari i aleancës, Mark Rutte, kishte besuar se kishte ulur rrezikun e një përçarjeje historike mes SHBA dhe Europës, pas marrëveshjes në samitin e Hagës në qershor 2025, ku 32 vendet anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, me një rishikim të parashikuar në vitin 2029.

Megjithatë, lufta kundër Iranit i ka rikthyer tensionet në nivele të larta. Çdo mbledhje e Këshillit të Atlantikut të Veriut tashmë shoqërohet me përplasje gjithnjë e më të forta.

Në ditët e fundit, sinjali ishte dhënë edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili deklaroi se “NATO nuk mund të jetë një aleancë me një drejtim”, duke treguar një qëndrim të qartë të administratës amerikane.

Megjithatë, nga ana ligjore, Shtëpia e Bardhë nuk mund të shpallë vetë largimin nga NATO. Një ligj i miratuar nga Kongresi në vitin 2024 parashikon që një vendim i tillë duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit ose nga dy të tretat e Senatit.

Në teori, republikanët, që kontrollojnë Kongresin, mund ta kalojnë këtë vendim shpejt, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit në nëntor. Por disa juristë amerikanë theksojnë se Trump mund të përpiqet ta anashkalojë Parlamentin duke përdorur kompetencat e tij si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, çka mund të çojë në një përplasje ligjore që mund të përfundojë në Gjykatën Supreme.

Në çdo rast, përtej aspektit ligjor, shqetësimi kryesor mbetet politik. Rutte dhe liderët e vendeve kryesore kanë frikë se samiti i NATO-s në Ankara, më 7-8 korrik, mund të kthehet në një përballje të fortë mes Trump dhe aleatëve.

Ndërkohë, SHBA po tregohet gjithnjë e më pak e gatshme për të mbështetur Ukrainën. Në Bruksel qarkullon ideja se fondet e programit Purl mund të përdoren jo për furnizimin e Ukrainës me armë, por për të mbushur rezervat e Pentagonit, të boshatisura nga dërgesat e mëparshme.

Edhe vetë ky fond po ecën ngadalë. Deri tani, 24 vende kanë kontribuar vetëm 4.5 miliardë dollarë, ndërkohë që kërkesa e Volodymyr Zelensky është mes 90 dhe 100 miliardë dollarë. Italia ende nuk ka aderuar. /CorrieredellaSera