TIRANE- Ky shkrim mori shtysë nga një artikull i Kryeministrit për nevojën e mësuesve të gjuhës angleze në rrethinat e Tiranës me titull “Do të shkruajmë një histori të re për arsimin në Shqipëri”.Pra, thellbi i kësaj thirrje nuk është thjesht prania e një mësuesi të gjuhës angleze, por ky mësues duhet të jetë i kualifikuar dhe t’i mësojë këta nxënës me dashuri, pasion dhe përkushtim.
Vetë fjala “mësues” ka një domethënie shumë të madhe dhe gjatë leksioneve me studentët e mësuesisë bëjmë analizën kuptimore të kësaj fjale, ku shpjegimet e tyre janë shumë kuptimplotë dhe thirrëse për nevojën e madhe për kualifikimin e mësuesve pavarësisht nga përvoja në punë. Faktikisht, ata bëjnë deduksionin e kësaj fjale duke u nisur nga përvoja e tyre si nxënës në shkollë.Por lind pyetja, a i kanë mësuesit tanë këto cilësi, për të cilat nxënësit dhe prindërit i kërkojnë në mënyrën më të thjeshtë dhe më njerëzore? Dhe me të drejtë ngrihet me të madhe reformimi i mësuesve, term i cili po abuzohet shumë. Nuk po diskutohet se si të largohen mësues nga puna, përkundrazi, po theksohet ngritja e tyre profesionale për një mësimdhënie bashkëkohore. Nga përvoja ime profesionale brenda dhe jashtë vendit, medoj, se reforma duhet të fillojë që në orët e punës së mësuesit në shkollë, të cilat duhet të jenë jo fiktive, por efektive dhe në shërbim të kërkesave të kohës.
Mësuesit edhe kur janë të kërkuar të rrinë në shkollë nuk kanë një plan veprimi se si do i edukojnë dhe mësojnë nxënësit e tyre. Nuk zbatohen standardet e vendosura, por bëhet një sy qorr e një vesh shurdh dhe të gjithë rendin në qendrat e tyre të gjuhëve të huaja ose punojnë për kolegët e tyre, të cilët në mënyrë krejt të paligjshme janë mësues në shkolla përkatëse dhe drejtojnë qendra të gjuhës. Për mendimin tim, ky është abuzim me vendin e punës që është tepër i shenjtë, pasi energjia dhe mendimi prodhues i mësuesit nuk mund të jenë efektive non stop, prandaj abuzohet me punën e shtetit për të kontribuar në punë private.
Nëse dëshirojmë të marrim përvojën e përparuar evropiane duhet që Reformat të bëjnë diferencën në mësimdhënie, dhe ashtu si thekson Kryeministri do hapet rrugë të rejave për të rinjtë.
Tendenca botërore është që trajnerët të shkojnë aty ku janë nevojat. Kështu, shoqata e mësuesve të gjuhëve të huaja në Shqipëri, ELTA, në bashkëpunim me SIDI Education, ka më shumë se dy vjet që po ndjek këtë strategji të kualifikimit të mësuesve të gjuhëve të huaja në vend. Kështu, në fundjavë, trajnerët tanë dhe të SIDI Education udhëtojnë drejt zonave që paraqesin nevojat e tyre për trajnim.
Trajnime të tilla janë bëre pothuajse në të gjitha zonat urbane të vendit. Duhet të vë në dukje se këto trajnime kanë patur miratimin dhe dashamirësinë e Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve, por përsëri përfaqësuesit e DAR-eve dhe ZA-ve ka raste që i pengojnë mësuesit duke mos e shpërndarë informacionin për trajnim. Gjithashtu, për të rritur cilësinë e mësimdhënies mendoj, që këto trajnime të bëhen edhe në ditët e javës, në orët e pasditës kur mësuesve t’u përcaktohet qartë në rregullore apo në ligj se kualifikimi i vazhdueshëm i tyre, pavarësisht nga vjetërsia në punë, është një domosdoshmëri për integrimin e vendit në Evropë.
Shkrimi u publikua sot (16.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)





