Prej katër vjetësh, Ilir Meta dhe partia e tij drejton tre ministri në qeverinë e kryeministrit Sali Berisha, ndërkohë që Edi Rama me Partinë Socialiste ka ndërrmarrë të paktën tre sulme të mëdha kundër tij, ku më kryesori është ai janarit të para dy viteve, që kulmoi me protestën e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 vetë. Përveç kësaj, mes Ramës dhe Metës, në gjithë historinë politike të tyre, ka pasur marrëveshje, por edhe “pabesi” të shumta, të thëna e të pathëna në publik.
Nisur prej këtyre, mund të mendohet fare lehtë se si Rama, ashtu edhe Meta, mund ta kenë në nivelin zero besimin tek njëri-tjetri. Shtoi kësaj edhe një pakënaqësi që egziston tek militantët më të zjarrtë të të dy palëve, thirrja e Stanishevit, mund të rrezikojë të bjerë në vesh të shurdhër.
Në situatën aktuale, kur edhe politika shqiptare, ka nisur të zmadhojë hapin drejt zgjedhjeve të 23 qershorit, vetë kryetari I PSE-së, që siç e pranon edhe vetë, është një mik i të dyve, mund të ndërrmarrë edhe një hap tjetër përveç thirrjes së djeshme: të bëhet “kumbar” i një marrëveshjeje mes Edi Ramës të Partisë Socialiste dhe Ilir Metës të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Vetëm një personalitet i tillë dhe presioni i të gjitha partive socialiste, mund të garantojë, si Ramën, ashtu edhe Metën, se as njëri, as tjetri nuk “do ta dredhë” vetëm pas një muaji. Ndoshta Presidenti i PSE-së, duhet të ketë kuptuar, se në politikën shqiptare, vetëm apeli nuk mjafton.
Aq më tepër për dy rivalë brenda një shtëpie, siç janë Rama dhe Meta. Stanishev i mbetet të bëjë edhe hapin e fundit për politikanët e majtë kokëfortë, të bëhet garant i bashkimit të tyre, të cilin po e kërkon prej kaq kohësh. Për liderët shqiptarë nuk mjafton apeli, duhet garancia.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)