Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano i ka dhënë një përgjigje të qartë dhe të prerë Greqisë për çështjen e Fredi Belerit, ku Athina kërcënon me pengimin e rrugëtimit të Shqipërisë në union.

Mirëpo, Stano gjatë një interviste të dhënë për Open Tv News, ka qenë i qartë gjatë me Greqinë duke i thënë se nuk duhet të kijojë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe. Stano thekson se në këtë çështje zbatohet sundimi i ligjit.

"Ne nuk hyjmë në mosmarrëveshje dypalëshe pasi kemi besim tek aftësia e aktorëve, sidomos nëse aktorët janë shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet që do të jenë pjesë e saj, për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë që të ketë përfitim reciprok, duke zbatuar parimet dhe rregullat. Në këtë rast zbatohet sundimi i ligjit, ligji duhet të respektohet dhe nëse ka dyshime, shtetet anëtare të BE-së dhe gjithashtu shtete si Shqipëria i zotërojnë instrumentet dhe mjetet për t’i dhënë zgjidhje problemeve ose mosmarrëveshjeve të tilla, në mënyrë që të mos krijojnë krisje të panevojshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe të mos i ngrenë çështjet bilaterale në nivel unioni, si për shembull në procesin e anëtarësimit", tha Stano. 

Nga ana tjetër kryeministri Rama që do marrë pjesë në samtin e Brukselit gjatë kongresit të PS tha se qëndrimi i Shqipërisë për çështjen Beleri nuk do të ndryshojë, as para e as pas takimit të 13 dhjetorit. Ai u shpreh skeptik nëse Greqia do vendose veton për të penguar avancimin e shqipërisë në rrugën drejt BE Shqipëria pret hapjen e 5 kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në BE.  

"Unë nuk do të pranoj deri në 13 dhjetor se fqinjët tanë do t’i vënën tapën e vetos shishes së hapur me aq shumë përkushtim. E qartë asnjë cic-mic ballkanik, apo gërr-gërr perëndimor për interesa politike nuk e vonon dot Shqipërinë në anëtarësimin në BE. Tani ka dalë Greqia… nesër mund të dalë dikush tjetër. Por përse për këta do ta prishim gjakun ne? Nuk duhet ta humbasim kurrë busullën ku BE, Europa është amaneti ynë dhe është borxhi historik vijën ndarëse mes demokracisë", ka thënë Rama në Kongresin e PS. 

Gjatë samitit të Brukselit pritet të diskutohen edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, si një nga çështjet kryesore që shqetëson të gjithë rajonin. Kjo çështje do të pasqyrohet edhe në deklaratën e përbashkët që do të firmoset nga të gjithë liderët e pranishëm.

Berlini zyrtar e ka quajtur të papranueshëm pretendimin e Greqisë për të penguar rrugën e integrimit të Shqipërisë për çështjen Beleri. Ndërsa gazeta Kathimerini shkroi se edhe Spanja po i bën presion Greqisë që të pranojë firmosjen e letrës në emër të Këshillit Evropian në Tiranë, në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat për tre grup-kapitujt e parë.