I pagëzuar si 'Derbi i Italisë', jo më kot sfida mes Interit dhe Juventusit është një nga përballjet më të forta në futbollin italian. E shtuna e 14 shkurtit që përkon edhe me Shën Valentinin, festën e të dashuruarve, nuk mund të jetë e tillë për dy klubet që kanë pasur një histori të trazuar ndër vite, me shumë përplasje dhe akuza, kjo në vitet 2005-2006 për çështjen 'Calciopoli'.

Juventusit iu hoqën dy titujt kampion për shkak të skandalit të trukimeve dhe rolit të tyre në këtë çështje, teksa në sezonin 2005-06 edhe Milani që përfundoi i dyti u dënua. Kështu, titulli shkoi për Interin si vendi i tretë i atij sezoni, gjë që është apeluar disa herë nga 'Zonja e Vjetër'.

Në mes të gjithë këtij rivaliteti jo vetëm në fushë, sot për të dyja skuadrat nuk mund të ketë 'Shën Valentin' dhe dhurata me lule apo zemra.  

Sot në orën 20:45 të dyja skuadrat do takohen në 'Giuseppe Meazza', sfidë e cila vlen për raundin e 25-të në Serie A. Interi me pesë fitore radhazi mban kreun e klasifikimit me 58 pikë, 12 më shumë se Juventusi i vendit të katërt.

Sfida e fazës së parë luajtur në Torino ishte një spektakël i vërtetë futbolli, me përmbysje dhe ripërmbysje, teksa në fund Juventusi fitoi 4-3 (13 shtator). Sot në fushë pritet rivalitet dhe grintë, me duelin e mbrëmjes së 14 shkurtit 2026 që do jetë i 242-ti në histori mes dy klubeve në të gjitha kompeticionet.

'Peshorja anon' nga krahu i Juves me 111 fitore, kundrejt 70 fitoreve të Interit, ndërkohë që 60 sfida mes tyre janë mbyllur në barazim. 'Zonja e Vjetër' është në superioritet edhe për golat e shënuar në portën e Interit, plot 355, kundrejt 295 që zikaltërit kanë shënuar në portën e Juves.

Trajnerët, Chivu dhe mungesat

Një derbi brenda derbit është edhe përballja e dy trajnerëve. Cristian Chivu i Interit, i cili e ka nisur këtë zanat jo shumë kohë më parë, e ka përballjen e parë kundër Luciano Spallettit. Rumuni e cilësoi 'maestro' Spallettin 'si një shembull për trajnerët e rinj'.

Për Interin mungesë e sigurt do jetë vetëm ajo e mbrojtësit Dumfries, ndërsa Barella dhe Calhanoglu janë të gatshëm për sot në mbrëmje. Nga kampi rival nuk do jenë të gatshëm Milik dhe Vlahovic që mungojnë prej muajsh, ndërsa Kephren Thuram nuk ia ka dalë të udhëtojë me grupin drejt Milanos, duke qenë një 'gropë' e madhe për Spallettin në mesin e fushës. Sot nuk do ketë derbi mes vëllezërve Thuram, pasi vetëm Marcus mund të jetë në fushë për Interin.